Në Shqipëri, Gjykata Kushtetuese njoftoi sot se ka vendosur pezullimin e procedurave të nisura nga parlamenti për miratimin e marrëveshjes për migrantët, të nënshkruar muajin e kaluar në Romës mes kryeministrit Edi Rama dhe homologes së tij italiane Giorgia Meloni. Marrëveshja parashikonte ngritjen në territorin shqiptar të dy qendrave për pritjen e migrantëve që kapeshin në ujërat ndërkombëtare nga anijet e autoriteteve italiane. Të dy qendrat, njëra në portin e Shëngjinit, ku do merren të dhënat personale dhe bëhet verifikimi i parë i migrantëve, dhe tjetra në Gjadër, ku do të duhet të qëndrojnë deri në përfundim të procedurave për azilin, parashikohet të jenë nën jurisdiksionin italian, dhe çdo shpenzim është marrë përsipër nga pala italiane.
Marrëveshja u kundërshtua që në fillim nga opozita. Javën e shkuar, Partia Demokratike e drejtuar nga zoti Lulzim Basha si dhe deputetë që janë pjesë e grupimeve të ish kryeministrit Sali Berisha dhe zotit Gazmend Bardhi, iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese, me dy padi të veçanta duke kërkuar deklarimin e marrëveshjes si të papajtueshme me Kushtetutën e vendit, si dhe pezullimin e procedurave për ratifikimin e saj në parlament.
Lexoni edhe këtë Migrantët, dy padi në Kushtetuese, kundër marrëveshjes Rama-MeloniMarrëveshja mori aprovimin e Komisioneve parlamentare, të mbledhura online, me praninë e vetëm të deputetëve socialistë. Miratimi në parlament ishte parashikuar fillimisht për në datën 21 dhjetor, por dy ditë më parë, socialistët vendosin ta afronin ratifikimin për në seancën e nesërme, me gjasë për të shmangur pikërisht ndërhyrjen e Gjykatës kushtetuese.
Kryetarja e Gjykatës, Holta Zaçaj, bëri të ditur sot pasdite procedurën e ndjekur për rastin. “Kolegji i Gjykatës Kushtetuese, në datën 11 dhjetor 2023, pasi mori në shqyrtim paraprak çështjen, vendosi ta kalojë atë për shqyrtim në Mbledhjen e Gjyqtarëve. Mbledhja e Gjyqtarëve, e mbledhur sot, në datë 13 dhjetor 2023, vlerësoi se kërkesa plotëson kriteret paraprake të pranueshmërisë dhe vendosi kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare, mbi bazë dokumentesh. Bazuar në nenin 52, pika 3, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, shqyrtimi në seancë i çështjes pezullon automatikisht procedurat e ratifikimit në Kuvend, të Protokollit të bashkëpunimit, deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese”, bër të ditur zonja Zaçaj.
Sipas ligjit, shqyrtimi i çështjes duhet të përfundojë “brenda 3 muajve nga paraqitja e kërkesës”, që në këtë rast përkon me datën 6 mars të vitit të ardhshëm. Kryetarja Zaçaj, njoftoi se “mbledhja e Gjyqtarëve vendosi që seanca të zhvillohet në datën 18 janar 2024, ora 10:00”.
Marrëveshja hasi në kundërshtime të forta dhe në Italia, kryesisht nga opozita. Ndërkohë që dhe organizata të ndryshme ndërkombëtare, që merren me të drejtat e njeriut, apo dhe të emigrantëve në veçanti, kanë ngritur një seri shqetësimesh.
Dokumenti, shihet si një përpjekje e qeverisë italiane për të penguar largimet në rritje të emigrantëve nga Afrika dhe për të lehtësuar trysninë mbi qendrat e pritjes në territorin e saj.
Kryeministri Edi Rama nga ana e tij, e ka cilësuar thjesht si një qasje strategjike ndaj një partneri strategjik, siç është Italia, duke pretenduar se e gjithë kjo zhurmë bëhet, sipas tij, për faktin se për herë të parë një marrëveshje e tillë nënshkruhet me një vend që nuk është anëtar i BE-së.