Qytetet e Bosnjës janë në krye të listës së qyteteve më të ndotura në botë që nga java e kaluar. Kryeqyteti i vendit, Sarajeva ka nxjerrë një paralajmërim për cilësinë e dobët të ajrit dhe ekspertët kanë fajësuar për këtë një rritje të djegies së karburanteve në zonat e banuara dhe sektorin e transportit. Të hënën, qyteti që shtrihet në një luginë të rrethuar nga malet, u mbulua nga një shtresë e trashë smogu.
Your browser doesn’t support HTML5
Enis Krecenin, meteorolog dhe ekspert i mjedisit tha për agjencinë e lajmeve Reuters se Sarajeva është në rrezik të lartë nga ndotja e ajrit gjatë muajve të dimrit për shkak të ndryshimit të temperaturave, që bllokojnë elementët e dëmshëm ndotës në sipërfaqe të ulët.
“Çështja e cilësisë së ajrit në Bosnje dhe Hercegovinë nuk është një gjë e re dhe nuk është shfaqur së fundmi. Ky problem ka ekzistuar për dekada sepse Bosnja është një vend i varfër me një jetesë shumë më të ndryshme se njerëzit e tjerë në Evropë. Industria jonë është e bazuar kryesisht në industrinë e rëndë dhe të papastër”, thotë ai.
Gjatë dimrit gjendja rëndohet për shkak të mungesës së lëvizjes së ajrit, thotë ai.
“Nëse nuk ka erë dhe ndryshime të tjera, ne do të kemi ajër të ndotur. Pra, smogu dhe ajri i ndotur i grumbulluar mbi qytet nuk hiqet pa një ndryshim të kushteve të motit, si reshje shiu ose erë.”
Pavarësisht premtimit të autoriteteve për ta bërë Sarajevën një qytet me nivel zero të çlirimit të karbonit deri në vitin 2035, kostoja e jetesës i ka detyruar banorët të zgjedhin opsionin më të lirë, karburantet, për ngrohjen e banesave të tyre dhe makina më të vjetra për transport, që shkaktojnë ndotje më të madhe të ajrit.
Ekspertët e shëndetit publik thonë se ajri i ndotur mund të shkaktojë probleme shëndetësore serioze për banorët.
“Ndotja e ajrit në Sarajevë shkakton ndryshime dhe probleme shëndetësore me mushkëritë si për të rinjtë ashtu edhe për popullatën e moshuar”, thotë Teufik Hadziosmanovic, mjek i sëmundjeve të mushkërive.
Pasojat e ajrit të ndotur janë më të rënda për personat që vuajnë nga sëmundje kronike, thotë mjeku Teufik Hadziosmanovic.
“Ekspozimi ndaj ajrit të ndotur, që zgjat me vite, mund të dëmtojë rëndë sistemin e frymëmarrjes dhe kjo ndodhë shpesh tek të rinjtë, fëmijët dhe pacientët me sëmundje kronike dhe mund të shkaktojë sëmundje kronike të mushkërive”, thotë ai.
Përveç sëmundjeve të mushkërive, mjekët thonë se ajri i ndotur mund të shkaktojë edhe kancer, sëmundje kardiovaskulare dhe vdekje të parakohshme.