Grupi Hezbollah që vepron në Liban tha se lëshoi dronë shpërthyes ndaj pozicioneve të një komande izraelite të dielën, ndërsa sulmet ajrore izraelite goditën jugun e Libani. Dhuna e nxitur nga lufta në Gazë është përhapur përgjatë gjithë kufirit izraelito-libanez.
Ushtria izraelite tha se "objektet e dyshimta ajrore" ishin lëshuar nga Libani dhe u asgjësuan.
Dy ushtarë izraelitë u plagosën rëndë ndërsa disa të tjerë pësuan dëmtime të lehta, sipas njoftimit të ushtrisë.
Avionët luftarakë izraelitë kryen "një sërë sulmesh ndaj objektivave terroriste të Hezbollahut në territorin libanez", shtoi ushtria izraelite.
Nuk ka pasur njoftime për viktima në Liban.
Shkëmbimet e zjarrit mes Izraelit dhe Hezbollahut, një grup i armatosur rëndë i mbështetur nga Irani, janë në nivelin më të lartë që nga lufta e vitit 2006. Dhuna është përqëndruar kryesisht në zonën kufitare.
Hezbollahu tha se kishte përdorur dronë shpërthyes për të sulmuar një pozicion komandues izraelit pranë zones Ya'ara, në Izrael.
Në Izrael, sirenat ranë në disa zona pranë kufirit.
Në Bejrut, banorët thanë se kishin parë dy avionë luftarakë .
Hezbollahu ka kryer një sërë sulmesh duke deklaruar se po i ndërmerr ato në mbështetje të palestinezëve në Rripin e Gazës. Të shtunën u njoftua për 10 të tilla.
Në një sulm, në një vend tjetër në kufi, mëngjesin e kësaj të diele, grupi Hezbollah tha se luftëtarët e tij kishin arritur të godisnin direkt një pozicion izraelit duke përdorur "armët e duhura".
Sulmet ajrore izraelite goditën periferi të fshatit Yaroun në Liban, jo shumë larg vendndodhjes së atij sulmi, sipas Agjencisë Kombëtare Libaneze të Lajmeve dhe një dëshmitari në zonë.
Sulmet ajrore thyen xhamat e shtëpive, dyqaneve dhe dëmtuan një shkolle në fshatin e afërt Rmeich, tha për agjencinë e lajmeve Reuters, Toni Elias, një prift në Rmeich.
Dhuna në kufi ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 120 njerëzve në Liban, duke përfshirë 85 luftëtarë të Hezbollahut dhe 16 civilë. Në Izrael kanë vdekur shtatë ushtarë dhe katër civilë
Grupi Hezbollah kryesisht lëshon dronë dhe Izraeli reagon me sulme ajrore.