Nënshkruhet kontrata me kompaninë serbe për shpërndarjen e energjisë elektrike në veri të Kosovës

Korporata e Kosovës për Shpërndarjen e Energjisë Elektrike tha se është nënshkruar kontrata me kompaninë ‘Elektrosever’, e cila ka për qëllim normalizimin e shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, Zubin Potok, Leposaviç, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut.

Nënshkrimi i kontratës, që u bë pa bujë dhe larg syve të medias, është pjesë e zbatimit të marrëveshjes për energjinë që ishte arritur në vitin 2013 dhe më pas qe konfirmuar në vitin 2015, në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në bazë të marrëveshjes, në qershor të vitit 2022 Zyra e Rregullatorit për Energji i dha licencën e operimit kompanisë serbe “Elektrosever”, e cila do të merret me shpërndarjen e energjisë elektrike në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veriun e Kosovës.

Çfarë përmban udhërrëfyesi për zbatimin e marrëveshjes për energjinë?

1. Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) do të lëshojë një licencë furnizimi për Elektroseverin. ZRRE-ja do të sigurojë pajtueshmërinë me kushtet e përcaktuara me licencën e furnizimit, në përputhje me kuadrin ligjor dhe rregullativ të Kosovës.

2. Brenda shtatë ditësh nga lëshimi i licencës për furnizim, Elektrosever do të njoftojë KEDS-in dhe KOSTT-in për të dhënat më të reja të konsumatorëve, përmes Bashkimit Evropian.

3. Brenda 10 ditësh nga lëshimi i licencës për furnizim, Elektroseveri do të nënshkruajë marrëveshjet e nevojshme teknike me KEDS-in dhe KOSTT-in për të operuar në tregun energjetik të Kosovës. Marrëveshja kornizë për pranimin e rregullave të tregut të energjisë elektrike me KOSTT-in, marrëveshja për detyrimin e bilancit me KOSTT-in, marrëveshja për kyçje me KEDS-in dhe një marrëveshje komerciale me KEDS-in për ofrimin e shërbimeve të shpërndarjes (faturimi, arkëtimi, mirëmbajtja dhe lidhja fizike e konsumatorit të ri) në katër komunat veriore me shumicë serbe, sipas paragrafit 1 të nenit 5 të marrëveshjes së vitit 2013.

4. Brenda 15 ditësh nga nënshkrimi marrëveshjeve të nevojshme me KOSTT-in, Elektroseveri do të pajisjet me Kodin e Identifikimit të Energjisë (EIC) për të kryer veprimtaritë e parashikuara me licencë.

5. Në përputhje me nenin 14 të marrëveshjes për energjinë të vitit 2015, brenda periudhës 30 ditëshe nga lëshimi i licencës për furnizim, KEDS-i dhe KOSTT-i (nën ndërmjetësimin e BE-së, nëse ka nevojë) do të kenë qasje te nënstacioni i Vallaçit, si dhe në infrastrukturën tjetër të shpërndarjes

6. Brenda 45 ditësh nga lëshimi i licencës për furnizim, KOSTT-i dhe KEDS-i pas konsultimit me Elektroseverin do të dorëzojë në ZRRE planin e investimeve dhe kostot e kërkuara të mirëmbajtjes dhe humbjet e rrjetit, bazuar në shqyrtimin e plotë të infrastrukturës ekzistuese

7. Brenda 21 ditësh pas dorëzimit të planit të investimit dhe kostos së kërkuar të mirëmbajtjes dhe humbjeve të rrjetit, ZRRE-ja do të aprovojë në parim këto plane, kostot dhe humbjet.

8. Në rast të mosveprimit sipas kushteve të caktuara pas 100 ditësh të lëshimit të licencës, ZRRE-ja mund të vendosë për pezullim apo tërheqje të licencës për Elektroseverin, në konsultim paraprak ndërmjet palëve, e të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, brenda një afati kohor prej 15 ditësh. BE-ja do të ofrojë opinion të ekspertëve, nëse kërkohet të paktën nga njëra palë.

9. Zbatimi i suksesshëm i udhërrëfyesit është pa paragjykim ndaj detyrimit të palëve për të zbatuar plotësisht marrëveshjet energjetike të vitit 2013 dhe 2015.

“Ky proces i zgjatur ka qenë shumë delikat dhe sfidues për tërë sistemin energjetik në Kosovë, dhe ne jemi të kënaqur që kemi arritur këtë moment historik”, thuhet në një njoftim të KEDS-it, në të cilin theksohet se kompania pret “bashkëpunimin me Elektroseverin, i cili do të jetë sukses kyç për shërbimet e shpërndarjes dhe investimeve në komunat e lartpërmendura”.

Nuk pati ndonjë koment qoftë nga qeveria e Kosovës apo ajo e Serbisë, ndërsa Bashkimi Evropian e mirëpriti marrëveshjen, duke e cilësuar atë një hap drejt zbatimit të udhërrëfyesit për të cilin palët janë pajtuar në qershor të vitit 2022.

“Nënshkrimi i kësaj kontrate nënkupton që Elektrosever do të fillojë furnizimin me energji elektrike për katër komunat veriore të Kosovës me shumicë serbe. Kjo do t'i japë fund praktikës aktuale të parregulluar”, thuhet në një komunikatë të Bashkimit Evropian.

Që nga përfundimi i luftës së vitit 1999, banorët në veri të Kosovës nuk i paguajnë faturat e energjisë elektrike. Deri në vitin 2017, shpenzimet e energjisë në atë zonë janë mbuluar nga faturat e qytetarëve në pjesën tjetër të Kosovës, ndërsa nga 2017, paguhen përmes buxhetit të Kosovës.

Autoritetet në Kosovë kanë thënë se me zbatimin e marrëveshjes për energjinë do të kursehen dhjetëra miliona euro në vit që paguhen për energjinë e shpenzuar elektrike në veriun e Kosovës.

“BE-ja përgëzon të gjitha palët e përfshira” që e bënë të mundur marrëveshjen dhe nënshkrimin e sotëm të kontratës, thuhet në një komunikatë në të cilën nënvizohet se blloku pret që “Kosova dhe Serbia të vazhdojnë me shpejtësi zbatimin e Udhërrëfyesit për Energjinë, si dhe të gjitha Marrëveshjet e tjera të arritura në bisedime në interes të normalizimit të marrëdhënieve”.

Kosova dhe Serbia që aspirojnë integrimet evropiane të cilat janë të kushtëzuara me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre janë përfshirë në një proces bisedimesh që nga viti 2011 dhe që atëherë janë arritur një varg marrëveshjesh.

Në shkurt dhe mars të këtij viti Kosova dhe Serbia u pajtuan rreth një marrëveshjeje që kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra-tjetrës. Ajo kërkon që palët të mos pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë. Plani parasheh edhe përmbushjen e të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Marrëveshja nuk i uli tensionet ndërmjet palëve, të cilat u përkeqësuan në fund të shtatorit pas një sulmi mbi policinë e Kosovës nga një grup serbësh të armatosur, ku mbeti i vrarë një oficer policie.

Sulmi u pasua nga shtimi i pranisë së forcave të NATO-s në Kosovë, por edhe një shtim përpjekjesh perëndimore për t’i nxitur palët të përshpejtojnë normalizimin e marrëdhënieve, mes shqetësimeve se Rusia mund të përpiqet të nxisë konflikt në Ballkan, për të shmangur vëmendjen nga agresioni i saj në Ukrainë.

Udhëheqësit më të lartë evropianë i kërkuan më 26 tetor Kosovës të nisë procedurën për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, ndërsa Serbisë që të njohë de-facto shtetësinë e Kosovës.

Lexoni edhe këtë Von der Leyen: Kosova të formojë Asociacionin – Serbia të njohë "de facto" Kosovën

Javën që vjen Bashkimi Evropian pritet të debatojë politikat e zgjerimit dhe në kuadër të diskutimeve pritet miratimi i përfundimeve që është paralajmëruar se do të përfshijnë kërkesën që Komisioni Evropian ta bëjë marrëveshjen e Ohrit pjesë të negociatave për anëtarësimin e Serbisë në bllok, përkatësisht të kapitullit 35 të negociatave.

Përfundimet pritet të miratohen nga ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare në një takim më 12 dhjetor dhe më pas nga Këshilli Evropian, në një takim të udhëheqësve që do të zhvillojë punimet me 14 dhe 15 dhjetor.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha të mërkurën se ka mundësi që Marrëveshja e Ohrit të bëhet pjesë e negociatave për anëtarësim, duke ritheksuar qëndrimin se për Serbinë është e papranueshme që Kosova “të anëtarësohet në Kombet e Bashkuara”.

Autoritetet në Kosovë thanë ndërkaq se janë pajtuar me një projekt statut për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe i ofruar nga diplomatët perëndimor, por kërkojnë që marrëveshja të nënshkruhet për të mundësuar zbatimin e saj.

Kryetari i parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca tha të premten në një intervistë me Zërin e Amerikës se kërkesa perëndimore për themelimin e asociacionit nuk do të plotësohet, nëse bashkësia ndërkombëtare nuk bën trysni ndaj Serbisë për hapat drejt njohjes së Kosovës.

Lexoni edhe këtë Konjufca: Nuk ka asociacion pa njohjen e Kosovës nga Serbia 

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara u kanë thënë palëve se në mungesë të përparimit për normalizimin e marrëdhënieve, rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme në radhë të parë integrimet evropiane.

Serbia i ka shpallur këto integrime synim të saj, por ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Rusisë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë, në radhë të parë për shkak të mbështetjes së pretendimeve serbe ndaj Kosovës nga ana e Kremlinit.