Në Shqipëri kryeministri Edi Rama deklaroi të premten se qeveria nuk do të ndryshojë qëndrimin e saj për rastin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës Fredi Beleri, pavarësisht se Greqia po kushtëzon hapjen e bisedimeve mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë, për grup kapitujt e parë, si hap drejt procesit të anëtarësimit. Në mënyrë të përsëritur, zoti Rama i është kundërpërgjigjur kërkesave të Athinës, se bëhet fjalë për një çështje që i takon drejtësië dhe se në mënyrë kategorike nuk mund të ndërhyjë.
Javën e ardhshme zoti Rama pritet të jetë në Bruksel, për të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit Europian me Ballkanin Perëndimor. Duke folur për këtë, në Kongresin e Partisë socialiste, ai tha se nga 27 vendet anëtare, vetëm Greqia “e ka lënë ende pezull opinionin e vet, jo për rezultatet e pamohueshme të Shqipërisë për hir të së vërtetës, por për një arsye të mos arsyes tradicionale ballkanike në marrëdhëniet fqinjësore”.
Fredi Beleri, kandidat i koalicionit opozitar në zgjedhjet vendore të 14 majit, si përfaqësues i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, që përfaqëson minoritetin grek në Shqipëri, u arrestua dy ditë përpara votimit, nën dyshimet për shitblerje të votës. Ai, megjithatë, arriti të fitonte me një diferencë shumë të ngushtë votash. Aktualisht çështja e tij është në gjykim. Greqia, reagoi menjëherë duke kërcënuar Shqipërinë se ky rast do të kishte pasoja në rrugëtimin e saj të integrimit europian. Ajo foli fillimisht për shkelje të të drejtave të pakicave, dhe më pas për shkelje të të drejtave politike, duke qenë se disa kërkesa të përsëritura të zoti Beleri, për të kryer betimin, ndonëse në gjendje arresti, janë refuzuar nga gjykatat shqiptare.
Lexoni edhe këtë Mitsotakis: Rasti Beleri hije mbi marrëdhëniet me ShqipërinëKryeministri Rama tha gjatë fjalës së tij, se rasti i zotit Beleri “nuk ka asnjë lidhje as me Bashkimin Europian, as me kushtet e procesit të negociatave, as me ndonjë mangësi të Shqipërisë në këtë fazë të negociatave ku Shqipëria ka shkëlqyer, në kuptimin e plotë të fjalës ka shkëlqyer, në procesin e përbashkët të skanimit të pozitës së saj aktuale”. Ai nënvizoi se qëndrimi i qeverisë shqiptare “nuk ndryshon as deri në 13 dhjetor dhe as nuk do të ndryshojë përtej 13 dhjetorit. Dhe ky qëndrim nuk do të ndryshojë, jo sepse ne jemi kokëfortë, por sepse arsyeja për të mos ndryshuar qëndrim është shumë më kokëfortë sesa ne. Drejtësia për Shqipërinë është sot si uji që sapo ka nisur të dalë me vështirësi në një shkretëtirë ku brez pas brezi ishte e trashëguar gojëdhëna se “nuk do dilte kurrë”.
Lexoni edhe këtë Von del Leyen: Hapja e grup-kapitujve të bisedimeve me Shqipërinë, brenda vititKomisioni europian i ka rekomanduar vendeve anëtare nisjen, brenda dhjetorit, të bisedimeve për grupkapitujt e parë, ose ato që njihen si “Themeloret”, ku përfshihen shteti i së drejtës dhe reforma në administratën publike, për të cilat procesi i shqyrtimit analitik (screening) ka përfunduar që në verë.
Greqia fillimisht refuzoi të nënshkruante letrën që Komisioni, sipas procedurës, duhet t’i dërgonte Shqipërisë duke i kërkuar asaj hartimin e udhërrëfyesit për këto çështje, që përbëjnë dhe parakushtet për hapjen e bisedimeve për grupin e parë. Në fund të muajit nëntor, Greqia, bëri një hap pas. Por, ajo ka ende mundësi të bllokojë procesin. Komisioni europian do të përgatisë një vlerësim mbi udhërrëfyesit e paraqitur nga pala shqiptare, për të informuar më pas vendet anëtare, se Shqipëria i plotëson kushtet. Dhe ky vlerësim duhet të marrë sërish miratimin e vendeve anëtare, në takimin e radhës të Këshillit europian, në gjysmën e dytë të dhjetorit.