Dhuna nga kolonët izraelitë në Bregun Perëndimor është përshkallëzuar, që nga sulmi i Hamasit në Izrael më 7 tetor, thonë palestinezët. Kjo ka ndodhur edhe pas trysnisë nga administrata Biden mbi Izraelin për të ndaluar dhunën e kolonëve duke urdhëruar ndalimin e udhëtimit në Shtetet e Bashkuara për kolonët ekstremistë, të përfshirë në sulmet ndaj palestinezëve. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Wilkins vizitoi skenën e disa prej përleshjeve të fundit në një qytet palestinez në Bregun Perëndimor.
Your browser doesn’t support HTML5
Në ullishtet e Qarawat Bani Hassanit, në Bregun Perëndimor, banorët palestinezë e shoqëruan Zërin e Amerikës në vendin ku Ahmed Assi, një 41-vjeçar, baba i gjashtë fëmijëve, u vra gjatë përleshjeve me kolonët izraelitë, vetëm tre ditë më parë.
Pas mbarimit të përleshjeve, vëllai i tij thotë se banorët e gjetën makinën e tij të braktisur në mes të rrugës.
“Dikush nga qyteti vuri re makinën e tij në vendin ku ndodhi ngjarja. Shkuam atje dhe njerëzit që kishin qenë me të e kërkuan në vendin e fundit që ai ishte parë. Ai u gjet i qëlluar dhe duhet të ketë qenë i vdekur për rreth katër orë”, thotë Othman Mustapha Assi, vëllai i viktimës.
Kolonët erdhën nga një vendbanim përtej luginës.
Në një hartë në zyrën e tij, kryebashkiaku i qytetit Qarawat Bani Hassan tregon vendbanimet izraelite që rrethojnë komunitetin e tij. Ibrahim Assi thotë se një tjetër anëtar i komunitetit u vra nga kolonët në shkurt, por ata i kanë shteruar mënyrat për të kërkuar drejtësi për atë vrasje me autoritetet palestineze dhe ato izraelite.
“Ne i bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të lirë në mbarë botën, veçanërisht atyre nga Amerika dhe Britania, që të ndërhyjnë dhe të parandalojnë Izraelin nga kryerja e këtyre masakrave dhe t'i mbajnë ata përgjegjës për veprimet e kolonëve izraelitë. Këta kolonë po sulmojnë civilët, të cilëve u mungojnë mjetet për të mbrojtur tokat e tyre”, thotë kryebashkiaku Ibrahim Assi.
Në javët e fundit, administrata Biden ka ushtruar trysni mbi Izraelin për të ndalur dhunën e kolonëve izraelitë ndaj palestinezëve. Më 5 dhjetor, Shtetet e Bashkuara njoftuan se nuk do t’u jepnin viza amerikane kolonëve ekstremistë, të përfshirë në veprime të dhunshme, pas kërkesave të përsëritura drejtuar qeverisë izraelite për të kontrolluar dhunën.
Në ciklin e dhunës, tridhjetë e një izraelitë, përfshirë fëmijë, janë vrarë në Bregun Perëndimor nga palestinezët këtë vit, sipas OKB-së.
Grupet e të drejtave thonë se viktimat e shkaktuara nga kolonët izraelitë janë dyfishuar që nga fillimi i luftës Hamas-Izrael dhe se kolonët janë më të armatosur dhe më agresivë.
“Në problemet e mëparshme me kolonët zakonisht ishte i përfshrië një individ me pistoletë, por tani po ndeshemi me grupe sulmuesisht me armë automatike M16 dhe se kërcënimet janë shumë më të rënda dhe të menjëhershme, me urdhëra për largim nga komuniteti brenda pesë ditësh”, thotë Bill Van Esveld nga organizata Human Rights Watch.
Në një përgjigje me shkrim për Zërin e Amerikës, zyrtarët e ushtrisë izraelite thanë se “Forcat Mbrojtëse të Izraelit dhe Administrata Civile po ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur sigurinë e të gjithë banorëve në qytetet dhe fshatrat në rajon”.
Ushtria izraelite tha se ndërhyri për t'i dhënë fund përleshjeve, në të cilat u vra Ahmed Assi, por kryebashkiaku i qytetit palestinez thotë se ushtarët izraelitë mbështetën vetëm kolonët.
Djali 15 vjeçar i Ahmed Asit thotë se nuk mund ta besonte se babai i tij kishte vdekur kur mori lajmin.
“Ata më detyruan të marr barrën e përgjegjësisë për familjen time në një moshë kaq të re”, thotë 15 vjeçari Nuriddeen Assi.
Këshilli rajonal i kolonëve izraelitë nuk iu përgjigj kërkesës së Zërit të Amerikës për koment.