SHBA, ngërçi për ndihmat për Ukrainën

Shtëpia e Bardhë dhe republikanët nuk kanë arritur të gjejnë gjuhën e përbashkët për të siguruar dhjetëra miliarda dollarë ndihma për luftën e Ukrainës kundër agresorit rus dhe Izraelin i cili po lufton Hamasin. Republikanët bllokuan në Senat të mërkurën kërkesën e Presdidentit Biden për ndihmat. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara, zoti Biden ka lënë të kuptohet se është i gatshëm të bëjë kompromis lidhur me kërkesat e republikanëve për sigurinë kufitare me synimin që paketa e ndihmave të miratohet. Por ndihmësit e presidentit i akuzojnë republikanët se nuk po e përfillin propozimin e Shtëpisë së Bardhë.

Your browser doesn’t support HTML5

SHBA, ngërçi për ndihmat për Ukrainën


Pamjet e publikuara nga ushtria ukrainase tregojnë dëmet e shkaktuara nga një sulm rus në qytetin jugor të Khersonit të enjten, ndërsa propozimi për ndihmat për luftën e Kievit kundër agresionit të Kremlinit është bllokuar nga senatorët republikanë, të cilët kërkojnë masa më të ashpra për të siguruar kufirin e Shteteve të Bashkuara me Meksikën. Zëri i Amerikës bisedoi me Senatorin Jim Risch.


“Ne republikanët jemi shumë seriozë për mbylljen e kufirit tonë jugor. Rreth 10 mijë njerëz futen ilegalisht çdo ditë në Shtetet e Bashkuara. Para së gjithash, ne duhet të mbrojmë kufirin tonë”.


Shtëpia e Bardhë thotë se republikanët nuk e kanë përfillur propozimin e saj për reformën për kufirin dhe imigracionin.


Presidenti Biden paralajmëroi të mërkurën se nëse Kievi e humbet luftën, udhëheqësi rus Vladimir Putin do të shkojë përtej Ukrainës dhe mund të sulmojë një vend anëtar të NATO-s dhe se Shtetet e Bashkuara do të jenë të detyruara të ndërhyjnë.


“Mund të kemi diçka që nuk e kërkojmë dhe që nuk e kemi sot. Trupat amerikane që luftojnë trupat ruse. Trupat amerikane që luftojnë trupat ruse nëse futen në vende të tjera të NATO-s”.


Presidenti Biden ka sinjalizuar se është i gatshëm të bëjë kompromis, por ai thotë se afati po mbaron. Nga ndihmat e mëparshme për Ukrainën kanë mbetur vetëm 4.8 miliardë dollarë, me 1.1 miliardë dollarë për të mbushur rezervat e armatimeve dhe pajisjeve amerikane për të furnizuar Kievin.


“Nëse nuk miratohet ndihma amerikane, evropianët ka të ngjarë të ndihmojnë në një farë mase. Ukrainasve do t'u duhet të kthehen në një luftë më mbrojtëse dhe ka të ngjarë që të fillojnë të kërkojnë mënyra për t'i dhënë fund konfliktit”, thotë analistja Emma Ashford me Qendrën Stimson.


Zëri i Amerikës pyeti zëdhënësin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare John Kirby nëse administrata do të mbështeste negociatat për armëpushim.

“Presidenti Zelenskyy është ai që përcakton se si dhe kur përfundon kjo luftë dhe në çfarë kushtesh është i gatshëm të negociojë me zotin Putin”.


Për të miratuar 60 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën dhe 10 miliardë dollarë për Izraelin, Kongresi ka një kohë të kufizuar përpara festave të fundvitit. Partnerët evropianë ndihen të nervozuar.


Britania do të vazhdojë ta mbështesë Kievin, i tha Zërit të Amerikës të enjten Sekretari i Jashtëm David Cameron.


“Qartësisht, Amerika është një partner thelbësor dhe ka ekonominë më të madhe në botë, lojtari më i madh i mbrojtjes, absolutisht jetik”.

Gjërat janë edhe më të ndërlikuara, pasi 19 janari është gjithashtu afati i parë për të miratuar buxhetin për të shmangur mbylljen e pjesshme të qeverisë amerikane.