Në Tiranë, Dhoma Amerikane e Tregtisë bëri sot të ditur, përmes Indeksit Vjetor, se mungesa e punëtorëve të kualifikuar, monopolet, informaliteti, korrupsioni, dhe konkurrenca e pandershme janë shqetësimet kryesore të anëtarëve të saj.
Indeksi mbi klimën e biznesit shënon një përmirësim të lehtë sivjet, por ai ende është nën nivelin mesatar të nevojshëm.
Your browser doesn’t support HTML5
Përfaqësues të biznesit shprehen se korrupsioni po i nxit njerëzit të largohen nga vendi, duke shkaktuar një gropë të madhe në ekonomi.
Indeksi vjetor i Dhomës Amerikane mbi klimën e biznesit në Shqipëri, shënoi një përmirësim prej afro 2 për qind këtë vit, ndërsa autorët theksuan se shifrat ende janë poshtë mesatares së pritshme.
Përmirësimi nga 41.4 në 43.4 për qind u regjistrua në anketimin vjetor të anëtarëve të Dhomës Amerikane të Shqipërisë, por ata theksojnë se duke treguar se mjedisi aktual i biznesit në Shqipëri është i pafrytshëm dhe nevojitet përmirësim i ndjeshëm.
“Shqetësimi kryesor i tyre, për të dytin vit radhas, u veçua mungesa e punonjësve të kualifikuar vendorë. Ky tregues ka një rënie 1.4 për qind në raport me vitin e kaluar, dhe mbetet një nga problemet kryesore. Rënie ka gjithashtu edhe treguesi total i punësimit”, thotë drejtori ekzekutiv i Dhomës Amerikane, Neritan Mullaj.
Ndër shqetësimet kryesore në këtë organizatë të biznesit mbeten monopolet dhe konkurrenca e pandershme për afro 64 për qind të anketuarve, ekonomia informale për mbi 63 për qind të tyre, ndërsa 59,5 për qind e pjesëmarrësve vlerësuan keq treguesin “Niveli i Korrupsionit”, duke e renditur atë si një shqetësim në rritje për shumicën e tyre.
Biznesmeni amerikan Mark Crawford, thotë se Indeksi mbetet përsëri nën mesataren e nevojshme të 50 për qindshit, ndaj ka shumë për të rregulluar. Ai thotë se shqetësim kryesor mbetet korrupsioni, i cili po i nxit njerëzit të ikin.
Largimi i njerëzve nga vendi, thotë ai, është një gropë e madhe për ekonominë, një problem themelor, sepse midis tyre janë edhe shumë persona të kualifikuar bashkë me punëtorët e thjeshtë.
“Ikja e tyre do të thotë se shqiptarët janë duke votuar me këmbë, duke shkuar në vende të tjerë. Kjo nuk do të thotë se ata nuk janë të aftë për punën, por po i marrin aftësitë e tyre dhe po ikin bashkë me to. Kjo është një zgjedhje e tyre, është një votim, që është duke ndodhur përditë. Nëse kjo do të vazhdojë, nëse shqiptarët e kualifikuar ikin, është shumë vështirë për ne, që të importojmë për të zëvendësuar ata”, thotë zoti Crawford.
Në konferencën me ministrinë e drejtësisë u kërkuan mënyra bashkëpunimi për të përmirësuar klimën e biznesit.
Presidenti i ri i Dhomës Amerikane të Shqipërisë, Grant Van Cleve theksoi se Indexi flet për Shqipërinë konkrete, që duhet përmirësuar, edhe pse disa shohin gjysmën e gotës bosh apo plot.
“Këtu po ndodhin disa gjëra: ka nisma për derregullimin mbi inspektorët, ka rezultate nga reforma në drejtësi, dhe me SPAK-un. Të gjithë këto bashkohen në rrugën e duhur për të kapërcyer në një nivel më të lartë, se kështu ndryshohet edhe perceptimi për zhvillimin, ftohen njerëzit që të kthehen përsëri në vend dhe të vijnë njerëz të rinj për të arritur në nivel domethënës”, tha zoti Cleve.
Ndërsa qeveria po përgatit një strategji të re antikorrupsion dhe një plan veprimi, ku ka kërkuar edhe bashkëpunimin e qarqeve të biznesit.
“Që objektivat e strategjisë së re të bëhen të zbatueshme, nevojitet bashkëpunim me sa më shumë aktorë dhe një plan veprimi trevjeçar 2024-26. Rezultatet e saj do të maten hap pas hapi”, thotë Rovena Pregja, drejtore e programeve antikorrupsion në ministrinë e drejtësisë.
Ulje kanë shënuar në Indeksin e këtij viti edhe ecuria e reformave ekonomike në të tre elementet: zhvillimi i ekonomisë, kërkesa për mallra e shërbime si dhe investimet, si dhe në punësim, krahasuar me një vit më parë.
Në përmirësim, sipas këtij Indeksi, janë raportet e bizneseve me gjykatat, me pronat private, me pronësinë intelektuale, me tatimet dhe doganat, me ministritë, si dhe nismat antikorrupsion.