Çmimi i naftës më i ulti në pesë muaj

Çmimet e naftës ranë të martën në nivelin më të ulët të pesë muajve të fundit ndërsa është shënuar forcimi i dollarit amerikan dhe kanë rënë kërkesat për naftë. E marta ishte dita e katër radhazi e rënies së çmimeve pavarësisht se OPEC+ ka njoftuar për shkurtime vullnetare të prodhimit të karburantit.

“Marrëveshja e OPEC+ nuk ndikoi tek çmimet duke patur parasysh rëniet gjatë katër ditëve të fundit. Duket qartë se tregu nuk është ndikuar”, thotë Craig Erlam, analist për tregjet britanike, Lindjen e Mesme, Afrikën dhe Evropën me firmën OANDA.

Kontratat për të ardhmen për një fuçi nafte të papërpunuar në tregun që njihet “Brent” ranë në 77 dollarë e 22 centë. Ndërsa tregu “U.S. West Texas Intermediate” u mbyll të martën me 72 dollarë e 32 cent për një fuçi nafte të papërpunuar. Ky ishte çmimi më i ulët për të dy standardet e naftës së papërpunuar që nga 6 korriku.

Rënia e çmimit erdhi pavarësisht komenteve nga zëvendëskryeministri rus Alexander Novak, se OPEC + është i gatshëm të rrisë shkurtimet e prodhimit të naftës në tremujorin e parë të vitit 2024 për të eliminuar "spekulimet dhe paqëndrueshmërinë" nëse veprimet ekzistuese për të ulur prodhimin nuk do të ishin të mjaftueshme.

Më 30 nëntor, OPEC+ ra dakord për shkurtime vullnetare të prodhimit të naftës prej rreth 2.2 milionë fuçi në ditë për tremujorin e parë të vitit 2024. Por të paktën shkurtimi me 1.3 milion fuçi në ditë ishte zgjatje e vendimeve të mëparshme të marra nga Arabia Saudite dhe Rusia.

“Elementi vullnetar i marrëveshjes ngriti pikëpyetje për tregjet nëse ulja e prodhimit do të hynte në fuqi”, thotë Fiona Cincotta, analiste e tregut financiar me firmën amerikane StoneX.

Kremlini tha se do të duhet kohë që shkurtimet e prodhimit të naftës nga organizata OPEC+ të kenë efekt. Presidenti rus Vladimir Putin do të vizitojë të mërkurën Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabinë Saudite, anëtare të OPEC-ut, dhe do të presë presidentin iranian Ebrahim Raisi në Moskë të enjten.

Të ardhurat e Rusisë nga nafta dhe gazi ranë në nëntor në 961.7 miliardë rubla (10.53 miliardë dollarë) nga 1.635 trilion rubla në tetor për shkak të natyrës ciklike të pagesës së tatimeve në bazë të fitimit.

SHQETËSIMET PËR KËRKESAT E TREGUT

Në Kinë, importuesi më i madh në botë i naftës, bankat e mëdha shtetërore blenë sasi të mëdha të monedhës vendase, juan, për të parandaluar dobësimin e mëtejshëm të vlerës së saj pasi agjencia e vlerësimit Moody's e uli parashikimin ekonomik për Kinën.

Ndërkohë, vendet që po marrin pjesë në konferencën për klimën po shqyrtojnë thirrjet për një largim zyrtarisht nga karburantet fosile si pjesë e marrëveshjes përfundimtare të takimit të Kombeve të Bashkuara për të trajtuar ngrohjen globale.

Monedha amerikane shënoi rritjen më të madhe në dy javë përballë valutave të tjera pasi të dhënat e reja treguan për rënie të hapjes së vendeve të reja të punës në tetor, niveli më i ulët që nga fillimi i vitit 2021.

Ngadalësimi i tregut të punës dhe zbutja e inflacionit kanë rritur optimizmin se Banka Qendrore mund të mos rrisë më normat e interesit gjatë këtij cikli. Tregjet parashikojnë një ulje të interesit nga mesi i vitit 2024.

Një dollar më i fuqishëm mund të zvogëlojë kërkesat për naftë duke e bërë karburantin më të shtrenjtë për blerësit që përdorin monedha të tjera.

Por norma më të ulëta interesi mund të rrisin kërkesat për naftë duke ulur koston e huamarrjes për konsumatorët për të blerë më shumë mallra dhe shërbime.