Ligjvënësit amerikanë paralajmërojnë rritjen e fushatave të dezinformimit nga Kina

Ligjvënësit amerikanë paralajmërojnë se përpjekjet e Partisë Komuniste Kineze për të përhapur dezinformim do të vazhdojnë të shtohen përpara zgjedhjeve të vitit 2024 në Shtetet e Bashkuara. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Catherine Gypson, shqetësimi kryesor për ligjvënësit është kompania e mediave sociale TikTok.

Your browser doesn’t support HTML5

Ligjvënësit amerikanë paralajmërojnë rritjen e fushatave të dezinformimit nga Kina

Ligjvënësit amerikanë paralajmëruan të enjten se fronti më i rëndësishëm në konkurrencën mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës mund të jetë në telefonat celularë.

“TikTok-u është ndoshta operacioni më i madh i ndikimit keqdashës që është bërë ndonjëherë. Të lejohet që një entitet i kontrolluar nga Partia Komuniste Kineze të mbizotërojë platformat e mediave në Amerikë, do të ishte një gabim shumë i madh”, tha Ligjvënësi Mike Callagher, kryetar i Komisionit për Kinën në Dhomën e Përfaqësuesve.

Përhapja e dezinformimit në platformat e ndryshme të mediave sociale, përfshirë TikTok-un, mund të dalë me shpejtësi jashtë kontrollit, thonë ligjvënësit amerikanë.

“Pamjet komplet false të Donald Trump-it janë një tregues se çfarë duhet të presim në të ardhmen. Ndërsa përmirësohet teknologjia, po kështu do të përmirësohen aftësitë teknologjike dhe materialet false do të kalojnë nëpër mediat sociale pa u pikasur”, tha ligjvënësi demokrat Raja Krishnamoorthi.

Mënyra se si funksionon TikTok-u shkakton shqetësimin më të madh për ligjvënësit dhe ekspertët.

“TikTok-u është një aftësi më e sofistikuar, pasi të paktën teorikisht, mundet të përqëndrojë mesazhe të caktuara tek audienca dhe demografi të caktuara nëpër botë. Ka një algoritëm që nuk e shqyrton dot njeri dhe që gjendet në Kinë. Dhe shteti kinez nuk ka lejuar shitjen e këtij algoritmi”, thotë John Garnaut, nga Instituti Australian për Politikat Strategjike.

Por praktikat kineze të biznesit mund të komprometojnë edhe pronarët e mediave sociale.

“Elon Musk-u mund të jetë në veçanti i ekspozuar ndaj trysnisë nga Pekini, pasi ai ka interesa të forta biznesi në Kinë. Dhe Partia Komuniste Kineze është shumë efikase në përdorimin e bizneseve të huaja për t’i detyruar të ndjekin linjën e partisë”, thotë Yaqiu Wang, nga organizata “Freedom House”.

Ekspertët u thanë ligjvënësve se TikTok-u po bëhet gjithnjë e më shumë burimi kryesor i lajmeve për amerikanët, në veçanti për të rinjtë, por se mund të miratohen ligje për të ndalur përhapjen e dezinformimit.

“Duhen rregullore që të kërkojnë transparencë nga të gjitha platformat e mediave sociale, përfshirë për politikat mbi kontrollin e përmbajtjes, zbatimit të ligjeve, cilat materiale i censurojnë apo i përhapin gjerësisht me kërkesë të qeverive”, thotë zonja Wang.

Një gjykatës federal në Montana vendosi të enjten masën e parë të bllokimit të TikTok-ut, duke e quajtur këtë platformë antikushtetuese.