Një turist gjerman vdiq dhe dy të tjerë mbetën të plagosur pasi një burrë sulmoi turistët në qendër të Parisit pranë Kullës Eifel të shtunën në mbrëmje, në atë që presidenti Emmanuel Macron e përshkroi si "një sulm terrorist".
Policia e arrestoi shpejt sulmuesin e dyshuar 26 vjeçar, shtetas francez, u tha gazetarëve të shtunën ministri i Brendshëm Gerald Darmanin.
I dyshuari ishte dënuar me katër vjet heqje lirie në vitin 2016 për planifikimin e një sulmi tjetër, ishte në listën e vëzhgimit të shërbimeve franceze të sigurisë dhe njihej gjithashtu për çrregullime psikike, shtoi ministri i Brendshëm.
Sulmi ndodhi në orët e mbrëmjes kur burri sulmoi një çift turistësh me thikë në Quai de Grenelle, pak metra larg Kullës Eiffel, duke plagosur për vdekje një shtetas gjerman. Më pas ai u ndoq nga policia dhe sulmoi dy persona të tjerë me një çekiç përpara se të arrestohej.
I dyshuari kishte brohoritur "Allahu akbar" (Zoti është më i madhi) dhe i tha policisë se ishte i mërzitur sepse "shumë myslimanë po vdesin në Afganistan dhe në Palestinë" dhe ishte gjithashtu ishte i mërzitur për situatën në Gaza, tha ministri Darmanin.
“U shpreh ngushëllimet e mia familjes dhe të dashurve të shtetasit gjerman që vdiq këtë mbrëmje gjatë sulmit terrorist në Paris dhe me mendje jam me të plagosurit...”, shkroi presidenti Macron në rrejtin X.
"Nuk do t'i dorëzohemi terrorizmit," shkroi ndërkaq në rrjetin X, kryeministrja Elisabeth Borne.
Prokurorët francezë të antiterrorizmit po udhëheqin hetimet për incidentin e së shtunës mbrëma.
Sulmi në qendër të Parisit ndodhi më pak se tetë muaj përpara se kryeqyteti francez të organizojë Lojërat Olimpike dhe mund të nxis pikëpyetje lidhur me sigurinë në ngjarjen sportive botërore.
Qyteti po planifikon një ceremoni hapjeje të pashembullt në lumin Seine, me mundësinë qe të tërheqë deri në 600,000 shikues.