SHBA, rregullore të re mbi çlirimin e gazit metan

Administrata Biden nxori të shtunën një rregullore të re e cila synon të reduktojë çlirimin e gazit metan në atmosferë, duke vënë në shënjestër industrinë e naftës dhe gazit natyror, për shkak të rolit të tyre në ngrohjen globale. Kjo shihet si pjesë e përpjekjeve të Presidentit Joe Biden për të përparuar me planet e tij mbi çështjen që lidhen me klimën.

Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit tha se rregullorja e re do të reduktojë ndjeshëm çlirimin e metanin dhe ndotësve të tjerë të ajrit, që krijohen nga industria e naftës dhe e gazit. Po kështu ajo do të shërbejë si një instrument për të mbështetur përdorimin e teknologjive më të avancuara të zbulimit të metanit, duke sjellë përfitime të mëdha në aspektin e shëndetit publik, e madje reduktim të numrit të vdekjeve.

Ndotja e ajrit, si pasojë e operacioneve të kryera nga industria e naftës dhe e gazit, mund të shkaktojë kancer, të dëmtojë sistemin nervor dhe atë të frymëmarrjes, si dhe mund të kontribuojë në defekte të lindjes.

Administratori i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit Michael Regan dhe këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për klimën Ali Zaidi, e shpallën rregulloren e re në konferencën e OKB-së për klimën, që po mbahet në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Në një tjetër zhvillim lidhur me këtë çështje, presidenti i takimit të nivelit të lartë mbi klimën, njoftoi të shtunën se 50 kompani nafte, që përfaqësojnë rreth gjysmën e prodhimit global, janë zotuar që të shkojnë drejt reduktimit total të gazit metan në atmosferë, deri në vitin 2030.

Insdrustritë e naftës dhe gazit janë burimi më i madh i metanit, komponenti kryesor i gazit natyror dhe shumë më i fuqishëm se dioksidi i karbonit. Ai është përgjegjës për rreth një të tretën e krijimit të efektit serë, që ndikon në ngrohjen e planetit. Ulja e ndjeshme e nivelit të çlirimit të metanit është një prioritet global, me synimin për të ngadalësuar nivelin e ndryshimeve klimatike dhe është një temë kryesore e konferencës së njohur si, COP28.