Në prag të zgjedhjeve në Serbi, beteja politike është shtrirë nëpër murale. Momentet më kontradiktore të historisë moderne, kznë gjetur pasqyrim në mbishkrime të përhapura gjithandej në Beograd. Nga thirrjet për kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë, tek mbishkrimet mbi vëllazërinë e serbëve me Rusinë, e deri tek sloganet në mbështetje të grupit mercenar rus “Wagner” dhe mesazhet kushtuar ushtarëve rusë të vrarë në Ukrainë - rrugëve të Beogradit është e dukshme beteja politike përmes muraleve.
Në një nga muralet rrugëve të Beogradit bëhet thirrje për “kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë”. Një tjetër që thotë se “Kosova është Serbi” qëndron midis portreteve të dëmtuara të Presidentit rus Vladimir Putin dhe Ish Presidentit amerikan Donald Trump. Ndjenjat e serbëve ndaj Kosovës dhe simpatia për Rusinë vërehen gjithandej në brendësi të lagjeve dhe anash rrugëve të kryeqytetit të Serbisë.
Së fundmi janë krijuar edhe murale kushtuar grupit mercenar rus Wagner dhe disa ushtarëve rusë të vrarë gjatë luftës në Ukrainë.
"Do të thoja që në rreth pesë vitet e fundit, ka pasur një luftë të vazhdueshme në mure. Është një fushëbetejë, një luftë e përhershme në të cilën disa përdhosin veprat e të tjerëve”, thotë studiuesja Hana Suica për agjencinë franceze të lajmeve AFP. Murali më i vjetër i Beogradit ndodhet në qendër të qytetit - një student me kurriz, i veshur me xhinse, me një fletore të kuqe në dorë.
Kjo vepër është krijuar më 1984 nga profesori i Akademisë së Arteve, Çedomir Vasiç dhe studentët e tij për nder të 25 majit, ditëlindjes së Josip Broz Titos, udhëheqësit komunist që sundoi ish-Jugosllavinë për 35 vjet.
Profesori Vasiç u arrestua pas krijimit të veprës, por pas 24 orësh u lirua pasi sqaroi domethënien e muralit. Pesë vjt më vonë autoritetet lejuan shprehjen e artistëve jugosllavë përmes muraleve me rastin e Kongresit të nëntë të “Vendeve të Paangazhuara”, një lëvizje e 120 vendeve që nuk ishin të lidhura me ndonjë prej blloqeve të Luftës së Ftohtë.
“Shumicën e kohës, njerëzit që arrestohen për murale, arrestohen pikërisht, sepse njerëzit në pushtet nuk e kuptojnë konceptin dhe idenë pas kulturës së muraleve”, thotë Ljiljana Radoseviç, historiane arti.
Në vitet 90, të shënuara nga shpërbërja e përgjakshme e Jugosllavisë, bombardimet e NATO-s dhe rënia e Sllobodan Millosheviçit, mbishkrimet në mure u bën një nga mënyrat kryesore të shprehjes së mospajtimeve politike në Beograd.
Më vonë, më 2014, grupi muzikor “JNA” krijoi murale me portrete gjigante bardh e zi të shkrimtarëve, poetëve dhe aktorëve kryesisht me prirje majtiste, për nder të klubeve të kryeqytetit në basketboll dhe futboll, “Partizani”.
Portretet u bën shumë të njohura saqë ata me bindje të kundërta politike kirjuan murale me heronjtë e së djathtës ekstreme si Ratko Mlladiç – udhëheqësi i forcave serbe i dënuar për krime lufte, përfshirë gjenocidin në Bosnje gjatë viteve 90.
"Ajo ngjalli shumë reagime, sepse i kushtohej kriminelit të dënuar të luftës Ratko Mlladiç, prandaj pati shumë reagime. Ky është një shembull tjetër i luftës përmes mureve”, thotë studiuesja Hana Suica.
Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut në Serbi, gjatë muajit mars identifikoi më shumë se 250 portrete ose grafite të Rakto Mlladiçit në Beograd. Portretet e tij dëmtohen vazhdimisht. Në fillim të tetorit, një aktivist për të drejtat e njeriut u gjobit me 850 euro për hedhjen e vezëve në një nga muralet e Mlladiçit.
Një tjetër mural që ka tërhequr vëmendje të madhe ndodhet para departamentit të filozofisë së Universitetit të Beogradit - portreti bardh e zi i Zoran Xhinxhiçit, kryeministrit serb të vrarë nga ish-luftëtarët paraushtarakë më 2003.
Vite pas vdekjes së tij, figura e Xhinxhiçit është e dashur për progresistët, për vizionin e tij të parealizuar për një shtet modern liberal dhe i urryer nga garda e vjetër, sepse ai dorëzoi Sllobodan Millosheviçin në gjykatën ndërkombëtare për krime lufte në Hagë.
Ndër vite, murali është njollosur disa herë. Tani është punuar në një pikë më të lart në ndërtesë për të parandaluar vandalizmin, ndërsa mbishkrimet poshtë portretit vazhdojnë.