Ministrat e Jashtëm të NATO-s i dhanë sot fund një takimi dy ditor në Bruksel ku u diskutua për mbështetjen për Ukrainën, sfidat më të ngutshme lidhur me sigurinë, si konflikti në Lindjen e Mesme, si dhe përgatitja për takimin e nivelit të lartë të aleancës në Uashington, me rastin e 75 vjetorit të NATO-s, vitin e ardhshëm. Sekretari amerikan i Shtetit Blinken dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Stoltenberg thanë se aleanca do të vazhdojë të mbështesë Kievin përballë agresionit rus.
Your browser doesn’t support HTML5
Në një konferencë shtypi në kryeqytetin belg, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se aleanca ushtarake është më e bashkuar se kurrë më parë.
“Ndërsa takohemi sot këtu në Bruksel, për ata që vunë bast kundër NATO-s është vërtetuar qartë se kanë gabuar. NATO sot është më e madhe, më e fortë, më e bashkuar dhe më e aftë se kurrë", tha ai.
Mbështja e aleancës për Ukrainën ishte pjesë e diskutimeve në takimin e ministrave të jashtëm të vendeve anëtarë të NATO-s.
“Përgjigja këtu sot në NATO është e qartë dhe e palëkundur. Ne duhet dhe do të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën, duke u siguruar që agresioni rus të mbetet një dështim strategjik. Kjo është po aq jetike sot sa dhe kur Kremlini nisi luftën pothuajse dy vite më parë”, tha ai.
Në të njëjtën linjë ishin edhe komentet e Sekretarit Stoltenberg, para takimit me ministrin e jashtëm të Ukrainës, duke theksuar se Ukraina po hedh një hap më pranë anëtarësimit.
“Ukraina po i afrohet gjithnjë e më shumë NATO-s. Të gjithë aleatët pajtohen se vendi do të bëhet anëtar i aleancës dhe ne duhet të diskutojmë mbi hapat e ardhshëm, mbi përpjekjet për reforma dhe se si NATO mund të mbështesë zbatimin e tyre".
Ndërkohë zoti Jens Stoltenberg paralajmëroi për një dimër të vështirë përpara.
“Rusia ka grumbulluar rezerva të mëdha raketash përpara dimrit. Ne kemi parë përpjekje të reja për të goditur rrjetin elektrik dhe infrastrukturën energjetike të Ukrainës, për ta lënë atë në errësirë e në të ftohtë".
Ministrat e Jashtëm të NATO-s diskutuan edhe çështje si siguria në Ballkanin Perëndimor si dhe lufta mes Izraelit dhe Hamasit. Shefi i NATO-s, iu përgjigjur dhe akuzave për standarde të dyfishta perëndimore, në trajtimin e konfliktit në Ukrainë me atë në Gazë. Ai tha se ligji ndërkombëtar duhej të zbatohej në të gjitha konfliktet, por shtoi se dy luftërat ishin shumë të ndryshme. Zoti Stoltenberg tha Ukraina nuk kishte qenë kurrë një kërcënim për Rusinë, e se sulmi rus ndaj Ukrainës ishte një sulm i paprovokuar.