Stoltenberg “ka besim” se mbështetja amerikane për Ukrainën do të vazhdojë

US Secretary of State Antony Blinken (L) and Secretary General of NATO Jens Stoltenberg shake hands after they delivered a joint statement during a NATO foreign ministers meeting at NATO headquarters in Brussels, on November 28, 2023. (Photo by SIMON WOHL

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha të martën se ai ka besim se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ofrojnë mbështetje për Ukrainën pavarësisht kundërshtimeve të një numri ligjvënësish amerikanë për miratimin e më shumë fondeve për Ukrainën.

Duke folur me gazetarët përpara fillimit të bisedimeve dy ditore me ministrat e jashtëm të NATO-s në Bruksel, zoti Stoltenberg vlerësoi atë që ai e quajti mbështetje të pashembullt ushtarake të aleatëve NATO-s për Ukrainën në përgjigje të agresionit të Rusisë.

"Sfida tani është se ne duhet ta ruajmë këtë mbështetje", tha zoti Stoltenberg.

Ai e konsideroi mbështetjen e Ukrainës si detyrim të NATO-s, duke thënë se një fitore ruse në Ukrainë do të ishte një "tragjedi për ukrainasit" dhe e rrezikshme për anëtarët e NATO-s.

Stoltenberg u takua me Sekretarin e Shtetit Antony Blinken para fillimit të bisedimeve të nivelit të ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s.

“Ne do të riafirmojmë fuqishëm mbështetjen tonë për Ukrainën, ndërsa ajo vazhdon të përballet me agresionin e Rusisë”, u tha Blinken gazetarëve në një paraqitje të përbashkët me zotin Stoltenberg.

Të mërkurën, Sekretari Blinken do të udhëheqë delegacionin e Shteteve të Bashkuara në Maqedoninë e Veriut, anëtare e NATO-s, e cila është organizatore e një takim të ministrave të jashtëm të vendeve të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, që do të mbahet në Shkup më vonë këtë javë.

Shtetet e Bashkuara do të organizojnë samitin e ardhshëm të NATO-s në Uashington, i cili do të mbahet nga 9 deri më 11 korrik të vitit 2024. Sekretari Blinken do të diskutojë përparësitë e takimit të Uashingtonit me homologët e tij ndërsa aleanca feston 75 vjetorin e themelimit vitin e ardhshëm.

Këshilli NATO-Ukrainë

Kryediplomati amerikan do të marrë pjesë gjithashtu në takimin e parë ministror të Këshillit NATO-Ukrainë, ndërsa Kievi aspiron të bëhet anëtar i NATO-s.

"Këshilli mbështet partneritetin e ngushtë të Ukrainës me NATO-n", tha Jim O'Brien, Ndihmës Sekretar i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike. "Aleatët do të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën në përpjekjet e saj për t’u vetëmbrojtur për sa kohë që Rusia vazhdon agresionin", shtoi ai.

Këshilli NATO-Ukrainë u inaugurua në Samitin e NATO-s në Vilnius më 12 korrik, ku ishin të pranishëm edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski dhe udhëheqësit e vendeve anëtare të aleancës perëndimore.

Ai u mblodh për herë të dytë në fund të korrikut për të diskutuar gjendjen e sigurisë në Detin e Zi pas tërheqjes së Rusisë nga marrëveshja mbi eksportin e grurit ukrainas.

Takimi i tretë u mbajt në tetor, në të cilin u diskutua ndihma thelbësore për Ukrainën dhe afrimi i standardeve të ushtrisë së Ukrainës me ato të NATO-s.

Këshilli NATO-Ukrainë është organi i përbashkët, në të cilin vendet e NATO-s dhe Ukraina ulen si pjesëmarrës të barabartë për të çuar përpara dialogun politik.

Ballkani Perëndimor

Në një nga seancat në takimin e ministrave të jashtëm të NATO-s u diskutua edhe për gjendjen e sigurisë dhe demokracisë në Ballkanin Perëndimor.

"Një e ardhme e qëndrueshme dhe e begatë për Ballkanin Perëndimor duhet të bazohet në qeverisje të mirë, sundim të ligjit, demokraci shumë-etnike dhe respektim të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore", tha zoti O'Brien.

Zyrtarët e NATO-s kanë pohuar përkushtimin e aleancës për të ruajtur sigurinë dhe për të kontribuar në një stabilitet më të gjerë në Ballkanin Perëndimor.

Deklarata u bë në përgjigje të paralajmërimit të Presidentit Zelenski në fillim të këtij muaji, se Ukraina ka informacione, që sugjerojnë se Rusia ka një plan për destabilizimin e Ballkanit.

Duke folur më 21 nëntor në Shkup, gjatë ndalesës përfundimtare të turneut në Ballkanin Perëndimor, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Stoltenberg deklaroi se aleanca po monitoron nga afër aktivitetet e Rusisë në rajon. Por ai tha se aktualisht nuk ka asnjë kërcënim ushtarak ndaj një anëtari të NATO-s në rajon.


Maqedonia e Veriut dhe takimi i OSBE-së

Pasi qeveria e Maqedonisë së Veriut njoftoi se do të pezullonte përkohësisht masën e ndalimin e fluturimeve nga Rusia për të lejuar zbritjen e aeroplanit të Ministrit të Jashtëm rus Sergej Lavrov në Shkup për takimin ministror të OSBE-së, zoti Lavrov tha të hënën se do të merrte pjesë në këtë takim nëse Bullgaria hap hapësirën e saj ajrore për kalimin e delegacionit rus.

Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit tha se ai nuk pret që Sekretari amerikan i Shtetit të ketë një takim me homologun e tij rus gjatë takimit ministror të kësaj jave.

“Nuk e presim një gjë të tillë”, tha zyrtari amerikan i pyetur për mundësinë e një takimi Blinken-Lavrov në Shkup.

Kur u pyet në lidhje me bojkotimin e takimit nga Ukraina, Letonia, Estonia dhe Lituania për shkak të pjesëmarrjes së ministrit rus Lavrov, zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit tha: "Ne padyshim respektojmë të drejtën e çdo vendi për të marrë vendim mbi pjesëmarrjen apo bojkotimin e një takimi. Ne mendojmë se ky është një forum i dobishëm për t'u angazhuar me anëtarët e OSBE-së dhe për këtë arsye ne do të marrim pjesë në këtë takim."

Sanksionet e Maqedonisë së Veriut kundër Rusisë do të mbeten në fuqi për të gjitha fluturimet e tjera.

Shumica e vendeve evropiane ndaluan fluturimet nga Rusia pas fillimi të sulmit në shkallë të gjerë të Rusisë ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Ndihmës Sekretar i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Jim O'Brien nuk pranoi të komentonte mbi mundësinë e një komunikimi mes kryediplomatit rus Lavrov, nëse ai merr pjesë në takimin ministror të OSBE-së në Shkup, dhe delegacionit të Shteteve të Bashkuara, por i tha Zërit të Amerikës gjatë një interviste me telefon se Sekretari Blinken do të ketë një "diskutim të mirë" me homologët e OSBE-së për "mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Ukrainën”.

Një pjesë e të dhënave për këtë artikull është marrë nga agjencia e lajmeve Reuters.