Shqipëri, festohet Dita e Pavarësisë

Në Shqipëri u festua sot Dita e Pavarësisë, në 111 vjetorin e themelimit të shtetit shqiptar.

Autoritete të larta shtetërore nga Shqipëria dhe Kosova morën pjesë në ceremoni të posaçme në Vlorë dhe në kryeqytet.

Your browser doesn’t support HTML5

Shqipëri, festohet Dita e Pavarësisë

Festimet e Ditës së Pavarësisë nisën në Shqipëri me kurora lulesh pranë varrit monumental të themeluesit të shtetit shqiptar, Ismail Qemali, dhe monumentit të flamurtarit kombëtar në Vlorë.

Presidenti Bajram Begaj, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, kryeministri Edi Rama dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vendosën kurora lulesh dhe morën pjesë në ceremoninë e ngritjes së flamurit kombëtar.

Presidenti Begaj uroi festën e Pavarësisë nga Vlora shqiptarëve kudo ndodhen, duke vlerësuar “vendosmërinë dhe guximin e patriotëve shqiptarë, që kryen aktin themelues të shtetit shqiptar” më 28 nëntor 1912, të cilët dhanë gjithçka për Shqipërinë e lirë e të pavarur.

Përmes një mesazhi publik zoti Begaj theksoi se “modeli i etërve themelues duhet t’i udhëheqë shqiptarët në çdo punë për vendin, në mbrojtje të paqes, demokracisë dhe zhvillimit”.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, uroi shqiptarët me foto nga ceremonitë e Vlorës, duke shprehur “nderim e mirënjohje për Ismail Qemalin, Atin Themelues dhe patriotët e bashkëluftëtarët e Shqipërisë së Pavarur”.

Kryeministri Edi Rama uroi 111 vjetorin e flamurit të Pavarësisë, ndërsa në mesazhin e tij kujtoi se pikërisht “ditën e Flamurit Kombëtar kishte ditën e lindjes heroi i kombit Adem Jashari”, i cili dha jetën për lirinë Kosovës.

Kryetari i Partisë Demokratike të opozitës, Lulzim Basha, festoi Ditën e Pavarësisë në Kosovë, me një vizitë nderimi në shtëpinë e heroit Isa Boletini, një nga pjesëmarrësit më të rëndësishëm në përpjekjet e shqiptarëve për liri në fillim të shekullit të kaluar.

“Nderojmë këtë 111 vjetor të pavarësisë kontributin vendimtar të Isa Boletinit dhe luftëtarëve të Kosovës për pavarësinë e Shqipërisë, në mbështetje të Ismail Qemalit dhe qeverisë së parë të shtetit të pavarur shqiptar”, theksoi zoti Basha.

Në kryeqytet flamuri kombëtar u ngrit në sheshin Skënderbej në prani të një mori përfaqësuesish të diasporës shqiptare gjatë një ceremonie festive të organizuar nga bashkia e Tiranës. Kryetari i bashkisë së kryeqytetit, Erjon Veliaj, uroi Ditën e pavarësisë tha në hapje të paradës së shqiptarëve.

“Gëzuar Ditën e Pavarësisë gjithë shqiptarëve! Rroftë Shqipëria! Sot jemi duke jetuar ditët tona më të mira. Kombi ynë nuk ka qenë kurrë më i begatuar, më i bashkuar me njëri tjetrin sa sot”, tha zoti Veliaj.

Në Tiranë u zhvillua sot për dy orë parada e shqiptarëve, ku për herë të parë u bënë bashkë gjithë diaspora shqiptare nga SHBA-të, shtete të tjera europiane, 50 delegacione nga komunat arbëreshe në Itali, krahas 15 delegacionesh të tjera përfaqësuese nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Presheva dhe rajone të tjera ku jetojnë shqiptarët.

Ceremoni nderimesh për Ditën e Pavarësisë dhe Ismail Qemalin zhvilloi në Vlorë edhe ish kryeministri Sali Berisha, i cili ndiqet nga një grup deputetësh mbështetës të tij.

Një numër jashtëzakonisht i madh shqiptarësh të Kosovës si dhe shtete të tjerë nga Europa dhe SHBA-ja morën pjesë në festimet e Vlorës dhe Tiranës.

Ata iu bashkuan paradës së shqiptarëve, duke nderuar në mënyra nga më të ndryshmet burrat themelues që morën pjesë në kuvendin themelues të qeverisë së parë shqiptare, të cilët shpallën pavarësinë pas afro 4 shekuj e gjysmë pushtimi nga perandoria osmane.

Në paradë e parë të shqiptarisë morën pjesë fëmijë dhe familjarë nga krahinat më të largëta ku jetojnë shqiptarët, si dhe nga qytetet më të mëdha ku ata jetojnë e punojnë, duke sfiduar rreshjet e shiut dhe kushtet e vështira të klimës.