Ish Klubi Partizani, aktet që çuan në ndërtimin e kompleksit të pallateve

Kompleki i pallateve i ndërtuar në zonën e ish Klubit Partizani

Në Shqipëri Prokuroria e Posaçme po heton mbi ligjshmërinë e privatizimit të ish-kompleksit Sportiv Partizani në Tiranë. Ish-kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi dhe ndërtuesi Fatmir Bektashi dyshohen për korrupsion, ndërsa zoti Malltezi edhe për pastrim parash. Përmes një sërë dokumentash, Zëri i Amerikës, analizon një nga momentet më të debatuara në çështjen e ish Klubit Partizani, atë që lidhet me ecurinë disa vjeçare të procesit që çoi në ndërtimin e një kompleksi pallatesh, që nga ndryshimi i destinacionit të sipërfaqes, deri te dhëniet e lejeve që e mundësuan atë, si dhe ndryshimet ligjore që përcaktuan një marrëdhënie të re për pronarët e trojeve ku shtriheshin terrenet sportive.

Më 8 qershor të vitit 2006, Këshilli i Rregullimit të Territorit (KRRT) i Bashkisë së Tiranës, kryetar i të cilit ishte drejtuesi i atëhershëm i Bashkisë Edi Rama, ndryshoi destinacionin e disa zonave të qytetit të Tiranës nga "zonë sportive" në "zonë banimi", mes të cilave dhe një sipërfaqe prej 0.7 hektarësh, në rrugën "Frosina Plaku", pjesë e Klubit sportiv Partizani.

Në argumentat e saj, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cilëson në kundërshtim me ligjin “Për urbanistikën” ndryshimin e destinacioneve të terreneve sportive, akt i cili do të merrte disa muaj më pas, më 21 nëntor të po atij viti, edhe miratimin e Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës, KRRTRSH, që në atë kohë kryesohej nga zoti Berisha, në cilësinë e kryeministrit.

Në përgjigje të kritikave se përse edhe KRRTRSH-ja e kontrolluar prej tij, kishte miratuar një akt që kishte shkelje ligjore, zoti Berisha është shprehur disa herë së fundmi, se ai kishte qenë i detyruar ta miratonte vendimin e KRRT-së së Bashkisë, për shkak të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese. “Më datën 21 nëntor unë e shqyrtova vetëm si noter, sepse vendimi i Gjykatës Kushtetuese më kishte hequr çdo mundësi për të ndërhyrë”- u shpreh ai pak ditë më parë.

Përpara mbledhjes së KRRTRSH-së, ka vetëm një vendim të Gjykatës Kushtetuese, të datës 11 nëntor, që në fakt, lidhet vetëm me një akt normativ të qeverisë, atë të dhjetorit 2005, i cili i jepte të drejtë Prefektit të mblidhte KRRT e Bashkisë Tiranë dhe nuk kishte të bënte me kompetencat mes pushtetit vendor dhe atij qendror. Gjykata Kushtetuese u mjaftua të konstatonte se akti normativ, e kish humbur fuqinë juridike për shkak se Kuvendi i Shqipërisë nuk ishte shprehur në mënyrë përfundimtare për të brenda afatit 45 ditor”.

Ndërsa, akti që e ndalonte në mënyrë të hapur qeverinë të ndërhynte në vendimarrjet e bashkive ishte ai i ndërmarrë nga Gjykata Kushtetuese, një muaj më vonë nga vendimi i KRRTRSH. Bëhet fjalë për vendimin me numër 29 të 21 dhjetorit 2006, për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencave mes Bashkisë së Tiranës dhe disa institucioneve të pushtetit qendror, sipas të cilit “Shqyrtimi dhe miratimi i lejeve të ndërtimit, si çështje të planifikimit dhe menaxhimit urban që përfshihen në konceptin ligjor “funksionet e veta”, janë kompetencë e plotë dhe ekskluzive e organeve të qeverisjes vendore”. Një tjetër pikë e vendimit përcakton se aktet e KRRT-së mund të ankimoheshin në Gjykatë: “E drejta e shfuqizimit të akteve të paligjshme të KRRT-ve që funksionojnë pranë organeve të qeverisjes vendore është kompetencë e organeve të pushtetit gjyqësor”.

Në atë kohë, pavarësisht se Bashkia ishte fituar nga socialistët, KRRT-ja e Tiranës, rezulton se kontrollohej në shumicë nga pushteti qendror i PD-së. Diskutimet në mbledhjen që miratoi ndryshimin e destinacionit për një pjesë të ish Klubit sportiv Partizani, mbeten të paqarta. Kërkesa e Zërit të Amerikës, për t’u njohur me procesverbalin e mbledhjes së 8 qershorit 2006, mbeti pa një përgjigje nga Bashkia e Tiranës.

Përbërja e KRRT-së së Bashkisë, Tiranë, sipas Neni 19 të ligjit “Për Urbanistikën”, i vitit 1998, parashikonte një shumicë të cilësuar me përfaqësues të pushtetit qendror, ndërsa pushteti vendor përfaqësohej vetëm me1/3 e anëtarëve. Kjo ishte një tjetër çështje për të cilën Bashkia e Tiranës, i ishte drejtuar në atë kohë Gjykatës Kushtetuese, e cila po në vendimin e 21 dhjetorit 2006, e shfuqizon Nenin 19 me argumentin se “Duke iu referuar dispozitës ligjore përkatëse rezulton se shumica e cilësuar e anëtarëve të KRRT-së, nuk përfaqësojnë bashkinë. Ekzistenca e një rregullimi normues të tillë, që kërkon minimumin e 2/3-ve të anëtarëve për të konsideruar të vlefshme mbledhjen e KRRT-së, nuk i krijon mundësi autoritetit vendor të gëzojë instrumentet e nevojshme ligjore për ushtrimin normalisht të funksionit dhe të vendimmarrjes në fushën e planifikimit urban, duke e vendosur atë, në këtë mënyrë, nën vullnetin e pushtetit qendror. Për rrjedhojë, neni 19 i ligjit nr. 8405, datë 17.09.1998 “Për Urbanistikën”, bie ndesh me parimin e decentralizmit të pushtetit dhe të autonomisë vendore, parashikuar nga neni 13 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nga Karta Europiane e Autonomisë Vendore”.

Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese, çon, 6 muaj më pas, në maj 2007,në ndryshimin e përbërjes së KRRT-së, së Bashkisë së Tiranës. Me propozim të Qeverisë, numri zbret nga 21 në 9 anëtarë, me këtë formulë: “Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Kryetar i KRRT-së; 3 anëtarë, me propozimin e shumicës së Këshillit Bashkiak të Tiranës; 3 anëtarë, me propozimin e pakicës së Këshillit Bashkiak të Tiranës; 1 anëtar, përfaqësues i ministrit përgjegjës për planifikimin urban dhe 1 anëtar, që zgjidhet me 3/5 e votave të të gjithë Këshillit Bashkiak të Tiranës”.

Një formulë e brishtë politikisht, sipas së cilës krijimi i shumicës, varet nga anëtari që zgjidhet me 3/5 e votave të gjithë Këshillit Bashkiak. Në kushtet kur shumica në këtë Këshill zotërohej nga koalicioni i majtë gjasat ishin më të mëdha që anëtari i 9-të i KRRT-së, të përfaqësonte të majtën, e cila në rrafshin e qeverisjes qëndrore ishte në opozitë.

Gjatë seancës parlamentare, ku diskutohet ky ndryshim ligjor, nga ana e socialistëve, kryetari i të cilëve drejtonte Bashkinë e Tiranës, kjo formulë kundërshtohet me arsyetimin se një përbërje e tillë, e lë sërish nën ndikimin politik të shumicës qeverisëse KRRT-në e Bashkisë së Tiranës.

Sipas procesverbalit të seancës, të siguruar nga Zëri i Amerikës, një nga pikat e nxehta të debatit lidhet me votimin me shumicë të cilësuar në KRRT-në e Bashkisë së Tiranës të planeve rregulluese (6 nga 9 vota). Një formulë e cila e bënte të detyrueshëm konsensusin politik.

Lulzim Basha, deputet i PD: “Dëshira dhe vullneti i mirë për të zhbllokuar KRRT-në e Tiranës janë mëse evidente. Po arrijmë dot ne sot t’i besojmë pushtetin e dhënies së lejeve të ndërtimit, njëshit në Tiranë, që ka 7 vjet që premton planin rregullues dhe nuk e bën? Në momentin e përfundimit të planit rregullues, sigurisht, kompetencat e dhënies së lejeve të ndërtimit shndërrohen në kompetenca administrative”

Ylli Bufi, deputet i PS: “Mua më duket se propozimi që bëhet është tërësisht në të njëjtën linjë, si praktikat e mëparshme. Pra, është një formulë, madje, e cila besoj që më shumë se në praktikat e mëparshme, bllokon tërësisht KRRT-në e Tiranës”.

Kryeministri Sali Berisha: “Unë ju garantoj se në mënyrën më kategorike, kjo maxhorancë nuk kërkon ta bllokojë KRRT-në. Me këtë formulim ne kemi pasur parasysh dy gjëra: E para, Bashkia të japë lejet pa asnjë lloj mundësie për ta pësuar. Por, kontroll po. Sepse këta tre vetë që janë, këta nuk e pengojnë dot dhe nuk do të mund ta pengojnë dot. Te studimet e pjesshme ka një problem, ka një qëllim, nuk e mohoj. Pse është ky problem? Kjo klauzolë është vetëm për ta imponuar që të bëjë planin rregullues të qytetit. Nëse bëhet ky plan rregullues i qytetit, dhe kjo klauzolë bie”.

Leja e ndërtimit

Në fund të dhjetorit të vitit 2007, KRRT-ja e re e Tiranës, tanimë me 9 anëtarë, miraton lejen për sheshin e ndërtimit në pronë të 38 qytetarëve, mes të cilëve është dhe emri i Jamarbër Malltezit. Vendimi me numër 136, përfshin, një shesh me një sipërfaqe prej 8540 metrash katrorë dhe mban firmën e kryetarit të Këshillit Edi Rama. Pas dy muajsh, në shkurt të vitit 2008, KRRT e Bashkisë së Tiranës miraton edhe lejen e ndërtimit, me vendimin, që sipas dosjes hetimore, mban numrin 61 të datës 26 shkurt 2008.

Zëri i Amerikës, kërkoi nga Bashkia e Tiranës, procesverbalin e të dyja mbledhjeve, por sërish nuk mori asnjë përgjigje.

Megjithatë Zëri i Amerikës, arriti ta lexojë proceverbalin e mbledhjes ku u miratua leja e ndërtimit për shoqërinë “Kontakt”. Dokumenti gjendet në Gjykatën e Shkallës së parë në Tiranë, në dosjen e gjykimit të padisë së një pronari dhe investitorit, ndaj Bashkisë së Tiranës, për moszbardhjen e lejes së mësipërme. Sipas procesverbalit, zoti Rama, në fillim të mbledhjes ka propozuar që ajo të drejtohej nga Arben Biçoku. Me gjasë Rama nuk ka vijuar të jetë pjesë e saj, përsa kohë në procesverbal firma e tij si dhe e një anëtari të tjetër të KRRT-së, përfaqësues i Bashkisë, mungojnë. Takimi ka vijuar me 7 anëtarët e mbetur të Këshillit.

Proçesverbali zbulon se Investitori nuk kishte ende pronësinë mbi zonën ku parashikohej ndërtimi dhe se leja do të zbardhej me faza, pasi të bëhej privatizimi. Në këtë dokument, Investitori (emri i të cilit nuk shkruhet), citohet të shprehet se nuk e kemi pronësinë për objektet”. Më tej bie në sy fakti se propozimet e investitorit, janë ato që duket se orientojnë mbledhjen, ku diskutimet vijojnë pa debate dhe kundërshtime. Eshtë Investitori ai që propozon që “të miratohet i gjithë korpusi dhe zbardhja të bëhet e faza, mos vijmë përsëri në KRRT”. Propozimi i tij gjen përkrahjen e anëtarëve të Këshillit dhe leja miratohet me kushtin e përfundimit të privatizimit të objekteve Drejtuesi i mbledhjes Arben Biçoku thekson ne përfundim se: “Miratohet leja për gjithë korpusin. Të bëhen dy vendime përkatësisht për fazën A dhe për fazën B. Faza B të zbardhet pas privatizimit dhe marrjes së pronësisë për objeket në veri. Miratohet.”

Në një intervistë në Top Story, në Top Channel, vajza e ish-kryeministrit Berisha, Argita Berisha tha se Kryetari i KRRT-së së Tiranës, Edi Rama nuk e zbardhi vendimin , duke penguar zbatimin e lejes së ndërtimit. Një pronar dhe shoqëria “Kontakt” e paditën Bashkinë e Tiranës në gjykatë në vitin 2008 dhe në shtator të vitit 2013 Gjykata e Lartë la në fuqi vendimin e shkallës së parë dhe të apelit, që detyronte Kryetarin e Bashkisë së Tiranës të bënte zbardhjen e lejes.

Zëri i Amerikës siguroi dy vendimet e gjykatave, atë të Apelit dhe të Gjykatës së lartë në lidhje me këtë çështje. Arsyetimi i Bashkisë së Tiranës për moszbardhjen e lejes së ndërtimit, sipas këtyre vendimeve, lidhet “me mosrespektimin e detyrimit ligjor të palës paditëse për plotësimin e formularit 3 dhe 3/1 që përmbajnë të dhëna teknike të domosdoshme për dhënien e lejes se ndërtimit”, ndërkohë që pala paditëse insistonte se privatizimi ishte bërë dhe se kushti i lejes ishte plotësuar.

Kryeministri Edi Rama në proponcimin e tij të vetëm për privatizimin e Klubit sportiv Partizani, në një intervistë pak ditë më parë në “Report TV”, (14 Nëntor) nuk dha shpjegime për mënyrën se si u ndryshua destinacioni nga zonë sportive në zonë banimi. Ndërsa komentoi një hartë të zonës, ai tha se leja e dhënë nga KRRT-ja i përket një sipërfaqeje të vogël ku “ka qenë hyrja e djathtas tek ish klubi Partizani, që ishin disa karakatina të kohës së ushtrisë. S’ka pas fare klub Partizani aty, ka qenë pjesë e territorit, por ka qenë pjesë e ca karakatinave. Ajo është leja. Gjithë pjesa tjetër, ku kanë qenë fusha, qendra tenisi futbolli, te fusha tjetër, që ka qenë fusha e hapur e basketbollit, tek palestra. Gjithë ajo që ka qenë tek kompleksi sportiv Partizani është leja që ka ardhur pasi është ndryshuar “Ligji për Sportin”. Si mund të jepte KRRT-ja në kohë time një leje të tillë kur ligji ishte shumë i qartë. Nuk mund të ndërtohet në terrene sportive. Terrenet sportive pastaj janë zhdukur dhe janë bërë ndërtime”- u shpreh zoti Rama.

Por menjëherë më pas, zoti Berisha reagoi duke deklaruar se “e vërteta është se ai vetë pohoi se para ndryshimit të ligjit, Edi Rama ka firmosur në shkelje flagrante dhe të dënueshme të ligjit të urbanistikës, kalimin nga zonë sportive në zonë urbane dhe ka firmosur lejen e tij, të asaj pjese territori”, ndërsa u shpreh se me miratimin e planit rregullues të Tiranës “zonën e klubit Partizani, Edi Rama e ka shndërruar totalisht në zonë urbane. Pra, nëse për të parën tha se aty kishte disa baraka, magazina, këto ishin fusha, fusha futbolli, volejbolli, basketbolli, etj. Pjesa tjetër, Edi Rama në kundërshtim me ligjin e urbanistikës, në kundërshtim me ligjin për sportet të amenduar, e shndërron kundrejt një valixhe, supozohet me euro apo dollarë, e shndërron në zonë urbane tërësisht”.

Debatet për “Ligjin për sportin”

Baza ligjore që i hapi rrugë ndryshimit të destinacionit të pjesës tjetër të Klubit sportiv Partizani, është një ndër çështjet më të debatueshme. Neni 31 i “Ligjit për Sportin” ndryshoi dy herë brenda një periudhe 8 mujore, në vitet 2007-2008.

Deri në tetor të vitit 2007, ky nen parashikonte që “objektet sportive jepen me koncension, apo privatizohen, me kusht që të mos u ndryshojë destinacioni” në përputhje me ligjin tjetër po të vitit 1995 "Për koncensionet dhe pjesmarrjen e sektorit privat në shërbimet publike dhe në infrastrukturë”.

Me ndryshimet në tetor të vitit 2007 Neni 31 ndryshon duke parashikuar se: "Objektet sportive jepen me koncension, me kusht që të mos u ndryshojë destinacioni”, në përputhje, këtë herë me ligjin e ri për koncensionet të vitit 2006, i cili përfshinte dhënien e konçensioneve edhe në fushën e arsimit dhe sporteve.

Prokuroria e Posaçme vëren se pikërisht në këtë periudhë që po procedohej me privatizimin e objekteve dhe terreneve sportive, Këshilli i Ministrave ndjen nevojën të ndryshojë ligjin "Për sportin". Ndryshimet e muajit tetor 2007 kishin hequr mundësinë e privatizimit të objekteve sportive. Kështu që në në korrik të vitit 2008 Neni 31 ndryshon sërish.

Sipas Prokurorisë së Posaçme “me propozim të Këshillit të Ministrave përcaktohet ndryshimi i nenit 31 në këtë mënyrë: “Objektet sportive privatizohen nga pronarët e truallit, kur ka të tillë, në të kundërt jepen me koncension, në përputhje me ligjin nr. 9663 datë 18.12.2006 "Për koncensionet dhe pjesmarrjen e sektorit privat ně shërbimet publike dhe infrastrukture" me kusht që të mos u ndryshojë destinacioni”.

Prokuroria thotë se në këndvështrim të leximit, sipas teknikës legjislative, interpretimi i kësaj dispozite është që objektet sportive privatizohen nga pronarët e truallit kur ka të tillë, pa i vendosur asnjë kufizim. Kurse, në rast se jepen me koncension, atyre duhet të mos u ndryshojë destinacioni.

Por zoti Berisha i bën një tjetër lexim sipas të cilit kushti për mosndryshim destinacioni prek dhe pronarët. “Sali Berisha u ka dhënë garanci terreneve sportive që nuk mund të ndryshojnë destinacionin. Ligji i Sportit u ndryshua për pronësinë e pronarit, por nuk u ndryshua kurrë për destinacionin”- argumenton ai.

Në fakt, ky nen ka qenë një çështje fort e debatuar në seancën parlamentare ku u diskutua ndryshimi i ligjit në korrik të vitit 2008. Deputetët e majtë, në opozitë në atë kohë, kërkuan me këmbëngulje shpjegime nëse ndryshohet apo jo destinacioni i terreneve sportive kur privatizohen nga pronarët.

Zëri i Amerikës sjell një pjesë të debateve në atë seancë:

Erjon Braçe, deputet i PS: Ajo që më bën përshtypje është fakti tjetër, që fjalia mbyllet këtu: “Objektet sportive privatizohen nga pronarët e truallit kur ka të tillë. Në të kundërt jepen me koncesion me kusht që të mos ndryshojë destinacioni.” Pra kushtin që të mos ndryshojë destinacioni ju e futni në këtë nen vetëm për shoqëritë aksionere apo për klubet, dhe mirë bëni. Por ç’ndodh në rastin kur ka ish-pronarë? E mori pronën pronari, shumë mirë, ia dhatë këtë të drejtë, por pse nuk vendosni kushtin, që normalisht kjo pronë të mos tjetërsohet? Prandaj, zoti Kryeministër, thashë pak më parë që ky nen nuk ka lidhje me sportin. Ky nen ka lidhje me trojet dhe ky është një problem shumë i madh.

Pandeli Majko, deputet i PS: Pyetja, që të jetë më e shkoqur, zoti Kryeministër, është: A dilni garant ju, se pas këtij ndryshimi në terrenet sportive, nuk do të ndërtohen pallate? Po apo jo? Ky është shqetësimi. Nuk po diskutojmë këtu do të shkojë Çiljeta në Kinë apo jo.

Kryeministri Sali Berisha: Do të përgjigjem në mënyrë shumë të thjeshtë. Se çfarë do të bëjnë pronarët, të jesh i bindur që Qeveria ka zero tagër në Tiranë. Qeveria e Tiranës jeni ju dhe është kryetari i Bashkisë së Tiranës. Të nderuar zotërinj, se çfarë do të bëjnë pronarët me territorin e tyre, e ka në dorë Bashkia e Tiranës dhe pronari, jo Qeveria. Në fakt, ju e keni shënjestrën tjetërkund, jo tek unë. Është puna juaj.

Skënder Gjinushi deputet i PSD (duke ju drejtuar deputetëve të PD-së) : U kuptua nga nënteksti i shefit tuaj, i cili tha tani se nëse do të ndërtohet pallat apo jo, kjo varet edhe nga kryetari i bashkisë, apo nga kryetarët e bashkive. Ai e ka të qartë se ku ndodhen dhe cilat janë këto terrene, ku ia vlen të ndërtosh dhe ku jo, pastaj hyrjet i ndan Ndreka.

Ilir Meta deputet i LSI: Shpreh shqetësimin e thellë, jo vetëm kaq, por alarmin se ndoshta pas gjashtë muajsh apo një viti nuk do të kemi më terrene sportive dhe Zoti na ruajt të paktën stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, sepse duket qartë që një plan ogurzi është për të gjitha terrenet sportive, që kanë mbetur në Tiranë, por edhe në qytetet e tjera të vendit tonë, ku, me sa duket, vlera e biznesit të ndërtimit është shumë e lartë. (I drejtohet Berishes). Ju edhe ato pak vepra sportive që kanë mbijetuar nga koha e diktaturës, tani, në marrëveshje të qartë me klanet e ndërtimit, duket se po jepni koncesione, ndoshta edhe në shkëmbim të Kodit të ri Zgjedhor.

Erjon Brace, deputet i PS: Më lejoni, zoti Kryeministër, t’ju them që në fjalinë e parë “Objektet sportive privatizohen nga pronarët e trojeve, nëse ka të tillë” duhet vendosur patjetër kushti që të mos u ndryshojë destinacioni. Kjo është themelore për të garantuar ekzistencën e klubeve sportive dhe ushtrimin e sportit në këto objekte sportive në vijim. Unë nuk mund ta pranoj konceptin tuaj që ju nuk ndërhyni. Nuk është e vërtetë. Territorin nuk e qeverisin vetëm njësitë vendore, atë e qeverisni edhe ju dhe ju jeni kryetari i KRTRSH-së, jeni ju që, jo më larg se disa muaj më parë, keni ndryshuar me vendim të KRTRSH-së destinacionin e disa zonave sportive në Tiranë. Prandaj, do të ishte mirë që ju, personalisht, ta pranoni këtë kusht për ish-pronarët.

Propozimi i deputetit socialist Erjon Brace nuk u miratua dhe neni 31 i Ligjit “Për Sportet” kaloi sipas formulimit të propozuar nga qeveria.

Pavarësisht gjithë aspekteve të debatueshme të gjithë kësaj çeshtjeje, pas lejes se parë të ndërtimit në shkurt të vitit 2008, Bashkia e Tiranës ka vijuar ndër vite, të japë leje të tjera ndërtimi, aty ku me herët shtrihej kompleksi sportiv Partizani.