Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u nis drejt Brukselit, për të marrë pjesë në takimin e ministrave të jashtëm të NATO-s, që mbahet nga datat 27-29 nëntor.
Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit tha se aleanca do të rikonfirmojë zotimin për të mbështetur Ukrainën në luftën ndaj agresionit rus.
Të martën, zoti Blinken do të udhëheqë një delegacion amerikan që do të vizitojë Shkupin në Maqedoninë e Veriut, vend anëtar i NATO-s, që do të mirëpresë Konferencën e Ministrave të Jashtëm të OSBE-së, në datat 30 nëntor dhe 1 dhjetor.
Shtetet e Bashkuara do të mirëpresin takimin tjetër të nivelit të lartë të NATO-s në Uashington nga datat 9-11 korrik të 2024. Zoti Blinken do të diskutojë me homologët e tij përparësitë e takimit të Uashingtonit, ndërsa vitin e ardhshëm aleanca shënon 75 vjetorin e saj.
KËSHILLI NATO-UKRAINË
Shefi i diplomacisë amerikane pritet të marrë pjesë në takimin e parë në nivel ministrash të jashtëm, të Këshillit NATO-Ukrainë, ndërsa Kievi synon anëtarësimin në NATO.
“Këshilli mbështet partneritetin e ngushtë të Ukrainës me NATO-n”, tha Jim O’ Brien, ndihmës sekretari i Departamentit të Shtetit për Çështjet Europiane dhe të Euroazisë. “Aleatët do të vazhdojnë të përkrahin Ukrainën që të mbrohet derisa Rusia të ndalë agresionin”, shtoi ai.
Këshilli NATO-Ukrainë mori jetë në takimin e nivelit të lartë të NATO-s që u mbajt në 12 korrik, me pjesëmarrjen e Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenksyy dhe krerë shtetetesh të tjera.
Në Këshill aleatët e NATO-s dhe Ukraina ulen si partnerë të barabartë për të çuar përpara dialogun politik.
BALLKANI PERËNDIMOR
Një një prej seancave të diskutimit të takimit të ministrave të jashtëm të NATO-se do të diskutohet edhe mbi sigurinë dhe demokracinë në Ballkani Perëndimor.
“E ardhmja e qëndrueshme e Ballkanit Perëndimor bazohet tek qeverisja e mirë, shteti i së drejtës, demokracia dhe respektimi i të drejtave të njeriut dhe lirive thelbësore”, tha zoti O’Brien.
Zyrtarët e NATO-s kanë konfirmuar angazhimin e aleancës për një mjedis të sigurtë ndërsa vazhdon kontributin për zgjerimin e qëndrueshmërisë në Ballkanin Perëndimor.
Deklarata erdhi në përgjigje të paralajmërimeve të Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy, për informacione që sugjeronin se Rusia ka një plan për destabilizimin e Ballkanit.
Duke folur në Shkup, në 21 nëntor, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se aleanca po mbikqyr nga afër veprimtarinë e Rusisë në rajon. Ai shtoi se aktualisht nuk ka sinjale për kërcënime ushtarake ndaj ndonjë vendi anëtar të NATO-s.