Përvjetori i 25-të i Kushtetutës, përfaqësues të shtetit dhe të drejtësisë vlerësojnë reformimin e sistemit gjyqësor

Parlamenti i Shqipërisë

Në Tiranë, Kuvendi shënoi sot me një konferencë të posaçme 25 vjetorin e miratimit të Kushtetutës së Shqipërisë përmes një referendumi kombëtar.

Autoritete të larta të shtetit dhe të drejtësisë vlerësuan reformën në drejtësi, qëndrueshmërinë e Kushtetutës së re si dhe ndikimin e saj në procesin e integrimit europian dhe zhvillimin e demokracisë në vend.

Presidenti Bajram Begaj deklaroi se sot Shqipëria duhet të mbrojë parimet themelore të Kushtetutës, po rishikimi i saj për shkak të zhvillimeve dhe realitete të reja duhet vlerësuar me kujdes për t’i shërbyer të ardhmes europiane.

Duke folur në një tubim kushtuar 25 vjetorit të miratimit të Kushtetutës së Shqipërisë përmes një referendumi kombëtar, presidenti Begaj kujtoi se ndryshimet kushtetuese të vitit 2016 reformuan sistemin e drejtësisë, forcuan pavarësinë e saj si dhe përshpejtoi integrimin europian të vendit.

“Referuar Progres-Raportit të këtij viti, Shqipëria ka bërë hapa pozitive në reformat që ka ndërmarrë, veçanërisht në reformën në drejtësi, e cila po jep rezultate të dukshme, duke kontribuar gjithashtu në ecurinë e procesit të integrimit evropian”, theksoi zoti Begaj.

Parimet themelore të Kushtetutës, të drejtat e njeriut, vlerat kombëtare dhe universale i mbron Gjykata Kushtetuese, e cila ka tashmë një përbërje të re edhe për shkak të procesit të vettingut.

Kjo Gjykata është përfshirë tashmë në trajtimin e e çështjeve me rëndësi si reformat zgjedhore, territoriale, konfliktet mes pushteteve dhe kompetencave, si dhe kushtetutshmëria e disa nismave ligjore.

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, thotë se depolitizimi i sistemit gjyqësor është një sfidë e vazhdueshme në Shqipëri, si në çdo demokraci të zhvillim.

“Reforma kushtetuese e vitit 2016, e njohur si reforma në drejtësi, synoi shkëputjen e politikës dhe të ndikimit të saj në përzgjedhjen e gjyqtarëve të lartë, duke bërë kështu një përpjekje domethënëse për depolitizimin e gjyqësorit”, tha zonja Zaçaj.

Në konferencë nuk ishin të pranishëm deputetë opozitarë, ndërsa morën pjesë deputetë socialistë, përfaqësues të sistemit gjyqësor dhe ekspertë ndëkombëtarë. Shteti i së drejtës është një element themelor i Kushtetutës, që zhvillon një shoqëri të lirë, demokracinë e saj, kulturën, paqen, pronën dhe mirëqenien, theksoi kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.

"25 vitet që kaluan nga miratimi me referendum i Kushtetutës kanë qenë një ushtrim demokracie, kontributesh, përpjekjesh e vështirësish për ndërtimin e shtetit të së drejtës, konsolidimin e institucioneve demokratike, avancimin e reformave, zhvillimin e ekonomisë, rritjen e mirëqenies dhe respektimin e lirive e të drejtave të qytetarëve", tha zonja Nikolla.

Sistemi i drejtësisë po përballet me një numër të madh të çështjeve gjyqësore të mbartura në vite. Megjithatë, strukturat e reja të drejtësisë po përpiqen të rritin transparencën dhe barazinë e shtetasve para ligjit, duke lënë mënjanë falë procesit të vetingut, politizimin, paaftësinë dhe korrupsionin, sëmundje shumëvjeçare, thotë kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi.

U desh ndryshimi në Kushtetutë që sistemi i drejtësisë të tronditej, për të bërë reformimin dhe për të fituar gradualisht besimin. Pavarësisht se ndryshimet prekën vetëm një nga degët e pushtetit shtetëror, sot çdo shqiptar është i ndërgjegjshëm se efektet që solli ky ndryshim janë gjithëpërfshirëse. Ato nuk prekën vetëm gjyqtarët dhe prokurorët, por ato po afektojnë çdo ditë jetët e shumë shtetasve dhe shtetarëve në Shqipëri”, tha zoti Sadushi.

Pas një përpjekje të dështuar me një referendum në nëntorin e vitit 1994, Shqipëria miratoi po me referendum në nëntorin e vitit 1998 Kushtetutën e parë të demokracisë pas afro gjysmë shekulli diktaturë komuniste, e cila ndaloi të drejtën e pronës dhe besimit fetar, lirinë e lëvizjes dhe pluralizmit politik, si dhe në tërësi shkelte liritë dhe të drejtat njerëzore.