Tensionet në Kuvend, Rama: Nuk negocionojmë me non gratat dhe zëdhënësit e tyre

Në Tiranë, kryeministri Ed Rama, deklaroi se situatat e dhunshme në Kuvend po krijohen nga persona non grata dhe zëdhënësit e tyre, pa u bazuar në një argument bindës.

Your browser doesn’t support HTML5

Tensionet në Kuvend, Rama: Nuk negocionojmë me non gratat dhe zëdhënësit e tyre

Zoti Rama tha se komisionet hetimore, që këmbëngulin opozitarët, mund të ndërtohen sipas një ligji të ri, të cilin e ka kërkuar Gjykata Kushtetuese.

Një grup deputetësh opozitarë po protestojnë me tymuese prej disa javësh në Kuvend, duke penguar punën normale në komisione dhe seancat plenare, me kërkesën që të ngrihen disa komisione hetimore mbi korrupsionin qeveritar.

Prej disa seancash Kuvendi është gjendur nën tymueset e disa opozitarëve dhe përmbysjet e karrigeve, me mikrofonat e fikur prej tyre kolegëve socialistë, dhe bllokimin e komisioneve e përhershme parlamentare.

Këta opozitarë kanë kërkuar komisione hetimore për korrupsionin qeveritar, duke e cilësuar si një e drejtë kushtetuese, ndërsa shumica socialiste ka vazhduar punën online ose ka miratuar ligjet pa i diskutuar ato.

Kryeministri Edi Rama tha sot në një konferencë shtypi, se rregullorja e Kuvendit parashikon përjashtimin vetëm 10 ditë edhe për një zjarrvënësi, ndaj nuk mbetet gjë tjetër veçse të pritet drejtësia të bëjë drejtësi me ata që pengojnë forcërisht ushtrimin e detyrës të tjerëve.

Ai theksoi se nuk mund të negociojë me person një non grata, person që është subjekt i listës së zezë të SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe për korrupsion madhor dhe minim të demokracisë, si dhe subjekt i drejtësisë në Shqipëri.

“Ne nuk negociojmë me non gratën dhe me asnjë zëdhënës të non gratës. Non grata dhe zëdhënësit e tij kanë marrë përsipër, për një hall krejtësisht personal me drejtësinë e re, të kthejnë parlamentin në një shesh për të bërë përshesh dhe i gëzohen faktit që ndezja e flakës në sallën e parlamentit merr rrugë në gjithë mediat e botës, a thua se kjo sjell gjë tjetër përveç shkaravitjes së imazhit të Shqipërisë”, tha zoti Rama.

Ai theksoi se nuk ka asgjë për të negociuar nga ana tjetër, sepse mënyra se si ngrihen komisionet hetimore është e përcaktuar në ligj dhe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Ai tha se është koha të rishikohet ligji për komisionet hetimore, duke marrë parasysh përvojën e këtyre viteve si dhe dështimet e panumërta të këtyre komisioneve hetimore

“Duhen integruar vendime të Gjykatës Kushtetuese në ligjin për komisionet hetimore, për ta bërë ligjin në përputhje me standartet e BE-së”, tha zoti Rama.

Ai citoi në një studim voluminoz për ndërhyrjet që janë të nevojshme në ligjin për komisionet hetimore ku thuhet se Shqipëria mban rekord në Ballkan me diferenca të madhe me vendet e tjera, për numrin e madh të komisioneve hetimore që ka ngritur në gjithë këto vite, ndërsa efekthshmëria e tyre është shumë e ulët, sepse është bërë shumë zhurmë për pak gjë. Megjithatë ai tha se nuk i dukej normale të votohen ligjet si ndodhi me seancën e fundit për buxhetin, por shtoi se opozita nuk donta ta diskutonte, tregoi muskujt, edhe pse buxheti është ligj me rëndësi, ndaj socialistët e miratuan sepse puna duhet të vazhdojë.

Ndërsa kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, reagoi pak pas konferencës së zotit Rama, i cili sipas tij doli në media për të mbrojtur korrupsionin që nis nga zyra e kryeministrit dhe për t’i bërë presion drejtësisë, dhe kërkon të mbaj në këmbë marrëveshjen e 2008-ës.

“Edi Rama sot u mundua të shantazhojë drejtësinë, duke marrë në mbrojtje aferën korruptive të sterilizimit, siç ka bërë edhe me inceneratorët. Një përpjekje e dëshpëruar për t’i bërë presion drejtësisë”, reagoi zoti Basha përmes Facebook-ut.

Ai shtoi se zoti Rama është një nga njerëzit më të interesuar që të mos ketë ndryshim të sistemit zgjedhor në Shqipëri, për të mbajtur fort në këmbë marrëveshjen e 2008-ës, e cila sipas tij, u mohon shqiptarëve të drejtën për të zgjedhur deputetët që duan.

“Edi Rama nuk e ka fshehur dhe nuk e fsheh se kë do në krye të opozitës, këtë e dëshmoi edhe sot. Por shqiptarët e kanë të qartë se teatri i Parlamentit është vetëm fasada e interesave të përbashkëta Rama-Berisha”, tha zoti Basha.

Disa deputetë të opozitës po përpiqen të bllokojnë seancat e parlamentit si dhe punën e komisioneve parlamentare, si shenjë proteste ndaj “shkeljes së të drejtave kushtetuese” nga ana e shumicës, siças tyre, e cila ka refuzuar ngritjen e disa komisioneve hetimore të kërkuara nga deputetët e djathtë. Këta të fundit po ashtu akuzojnë socialistët se po kërkojnë të diktojnë “emërimet e përfaqësuesve të opozitës”, duke ju referuar rastit të përfaqësuesit në Komisionin e Posaçëm të Reformës zgjedhore.

Ndërkohë, selitë diplomatike perëndimore kanë shprehur shqetësimin për zhvillimet e fundit në parlamentin e Shqipërisë. Ambasada amerikane theksoi se “një parlament funksional dhe dialogu midis përfaqësuesve të tij, janë me rëndësi kritike për t'u ofruar shërbime dhe hartuar ligje në interes të popullit shqiptar". Ambasada nënvizon më tej se “mosfunksionimi i përsëritur i vërejtur gjatë muajve të fundit nuk është në interes të Shqipërisë”.

Edhe ambasada britanike shpërndau një deklaratë ku theksohet se “një parlament që funksionon dhe dialogu konstruktiv mes përfaqësuesve të zgjedhur janë thelbësorë për të garantuar legjislacionin dhe shërbimet në mënyrë efektive”. Deklarata i bën “thirrje shumicës dhe opozitës të punojnë së bashku për të garantuar që parlamenti të mund të ushtrojë rolin e tij mbikëqyrës dhe të veprojë në interesin e të gjithë qytetarëve”.