Sondazhi, rreth gjysma e amerikanëve mendojnë se SHBA po shpenzon shumë për Ukrainën

Ndërsa ligjvënësit në Uashington po peshojnë mundësinë për dërgimin e miliarda dollarëve të tjera për të ndihmuar Kievin për t’u përballuar me agresionin rus, afro gjysma e publikut amerikan mendon se vendi po shpenzon shumë në ndihmë të Ukrainës. Rezultatet janë pjesë e një sondazhi të zhvilluar nga agjencia e lajmeve ‘The Associated Press” dhe qendra “NORC”.

Këto ndjenja, të nxitura kryesisht nga republikanët, ndihmojnë në shpjegimin e ashpërsimit të kundërshtisë mes ligjvënësve konservatorë republikane në Kongres, të cilët kundërshtojnë përpjekjet e Presidentit Joe Biden për të miratuar një këst të ri të ndihmës për Ukrainën. Ata thonë se paratë mund të shpenzoheshin më mirë për prioritetet e brendshme.

Megjithatë, kundërshtimi ndaj ndihmës ka rënë disi krahasuar me nivelin që paraqitej një muaj më parë sipas një tjetër sondazhi të AP-NORC-ut. Aktualisht, 45% thonë se qeveria amerikane po shpenzon shumë në ndihmë të Ukrainës, krahasuar me 52% që paraqitej në tetor. Ky ndryshim duket se vjen kryesisht nga republikanët: me sondazhin e ri 59% thonë se është shpenzuar shumë për Ukrainën, një nivel më i ulët gjithësesi nga 69% që paraqitej kundërshtia ndaj ndihmës, në tetor.

Megjithatë, rezistenca e republikanëve ndaj ndihmës së vazhdueshme për Ukrainën, mbetet e fortë.

Shtëpia e Bardhë ka ushtruar vazhdimisht trysni ndaj ligjvënësve për të miratuar një paketë shpenzimesh urgjente, prej gati 106 miliardë dollarësh, e propozuar në tetor, e cila përfshin më shumë se 61 miliardë dollarë për luftën në Ukrainë. Pjesa tjetër e kërkesës së Presidentit Biden përfshin ndihmë për Izraelin ndërsa vendi po lufton me Hamasin, shpenzime për prioritete të ndryshme në rajonin e Indo-Paqësorit, si dhe burime shtesë për të ndihmuar në menaxhimin e migracionit në kufirin jugor të vendit.

Administrata Biden ka paralajmëruar se ndihma për Ukrainën po mbaron. Në një vizitë të paparalajmëruar në Kiev të hënën, Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin tha se përpjekjet e Kievit për të mposhtur forcat ruse "kanë rëndësi për pjesën tjetër të botës" dhe u zotua se mbështetja amerikane do të vazhdojë "për një kohë të gjatë".

Mesazh ky që u përforcua edhe nga Shtëpia e Bardhë.

"Siç ka thënë Presidenti Biden, kur agresorët nuk paguajnë një çmim për agresionin e tyre, ata do të shkaktojnë më shumë kaos, vdekje dhe shkatërrim", tha John Kirby, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë të hënën.

Ata do të vazhdojnë dhe kostoja e kërcënimet për Amerikën dhe mbarë botën do të vazhdojnë të rriten”, shtoi ai.

Kongresi i ka kundërshtuar përpjekjet e Shtëpisë së Bardhë për të rritur ndihmën për Ukrainën të paktën dy herë në muajt e fundit.

Në Senat, një grup i vogël dypartiak po punon për ligjin që do të kombinonte ndihmën e re për Ukrainën me masa më të rrepta në kufi, për të trajtuar shqetësimet e republikanëve se SHBA-të ishte përqendruar tek nevojat jashtë vendit, në kurriz të çështjeve të brendshme. Një shumicë e gjerë e senatorëve vazhdojnë ta mbështesin ndihmën për Ukrainën dhe udhëheqësi i pakicës në Senat, republikani Mitch McConnell është një nga mbështetësit më të vendosur, pavarësisht tensioneve mbi këtë çështje në partinë e tij.

Pikëpyetja e madhe mbetet në Dhomën e Përfaqësuesve, ku kryetari i sapozgjedhur, Mike Johnson, ka folur gjerësisht mbi nevojën për t’iu kundërvënë agresionit rus, megjithatë ai përballet me ligjvënës republikanë që e kanë kundërshtuar ashpër atë.

Zoti Johnson, po këmbëngul që ndihma shtesë për Ukrainën të shoqërohet dhe me masa më të ashpra në kufi, megjithatë nuk është aspak e sigurt nëse një marrëveshje për imigracionin në Senatin e udhëhequr nga demokratët, do të miratohej edhe në Dhomën e Përfaqësuesve.