Forcat amerikane godasin grupin e mbështetur nga Irani pas sulmit me raketa balistike

Që prej së hënës, forcat amerikane ndërmorën dy sulme ajrore ndaj trupave të mbështetura nga Irani dhe infrastrukturës së tyre në Irak, njoftoi Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara,.

Përmes një deklarate, komanda tha se gjatë orëve të para të së mërkurës me orën lokale, avionët luftarakë amerikanë kryen “sulme kundër dy objekteve në Irak", të cilat u kryen "si përgjigje e drejtpërdrejtë për sulmet kundër forcave amerikane dhe koalicionit, nga Irani dhe grupet e mbështetura prej tij”.

Sulmet amerikane kishin si objektiv një qendër operacionale dhe një pikë kontrolli që ndodhet pranë rajoneve Al Anbar dhe Jurf al-Saqr, ë cilat janë përdorur nga grupi militant Kataib Hezbollah, i mbështetur nga Irani, i tha Zërit të Amerikës një zyrtar i mbrojtjes.

Brenda dy objekteve kishte forca të Kataib Hezbollah-ut, objekte që sipas zyrtarit të mbrojtjes ishin përdorur në mbështetje të sulmeve të fundit ndaj bazave amerikane në Irak dhe Siri. Sipas vlerësimeve paraprake, të paktën gjashtë militantë janë vrarë në dy sulmet.

Të hënën, forcat amerikane goditën dhe vranë militantë të mbështetur nga Irani, të cilët kishin kryer sulme me raketa balistike ndaj bazës ajrore al-Asad në Irak.

Kjo shënoi herën e parë që forcat amerikane në Lindjen e Mesme u goditën me raketa balistike, që prej një rritje të papritur të sulmeve më 17 tetor, si dhe herën e parë që forcat amerikane u kundërpërgjigjën duke kryer një sulm në Irak.


Sulmet e së hënës, të mbështetura nga Irani, shënojnë përshkallëzim të situatës, krahasuar me sulmet e tjera gjatë muajve të shkuar, pasi raketat balistike mund të jenë më të fuqishme dhe mund të mbajnë ngarkesa më shkatërruese sesa raketat dhe dronët e përdorur në sulmet e mëparshme.

Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara tha se nga sulmi me raketa balistike u plagosën 8 pjesëtarë të personelit amerikan. Sulmi shkaktoi dëme të vogla në infrastrukturë.

Pentagoni tha se forcat amerikane arritën të lokalizonin një automjet të milicisë të mbështetur nga Irani dhe një numër personeli të përfshirë në sulm. Në kundërpërgjigje forcat amerikane përdorën avionin luftarak AC-130, duke vrarë tre militantë.

Grupet e mbështetura nga Irani kanë sulmuar forcat amerikane në Irak dhe Siri të paktën 150 herë që kur presidenti Joe Biden mori detyrën, i thanë Zërit të Amerikës dy zyrtarë të mbrojtjes. Prej datës 17 tetor, kundër forcave amerikane janë kryer më shumë se 60 sulme me raketa dhe dronë.

Ushtria thotë se shumica e këtyre sulmeve janë ndërprerë me ndërhyrjen e forcave amerikane ose kanë dështuar të arrijnë objektivat, duke mos shkaktuar viktima apo dëme në infrastrukturë, sipas ushtrisë.

Por një pjesë e vogël e sulmeve kanë plagosur dhjetëra anëtarë të personelit ushtarak amerikan. Dëmtimet variojnë nga lëndimet traumatike të trurit, shpimi i daulleve të veshit deri tek lëndimet e vogla të shkaktuara nga mbetjet e mjeteve shpërthyese.

Zyrtarët thonë se të plagosurit janë kthyer në detyrë.

Përveç sulmit me avionin AC-130 në Irak, avionët luftarakë amerikanë kanë kryer tre sulme të tjera që kanë patur si shënjestër objekte të përdorura nga Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit dhe grupet e mbështetura prej tyre në Siri.

Gjendja në Lindjen e Mesme është përkeqësuar që kur Hamasi i mbështetur nga Irani kreu një sulm terrorist ndaj Izraelit më 7 tetor, duke vrarë të paktën 1200 persona dhe duke marrë peng rreth 240 ntë tjerë. Sulmet që ndërmorri në shenjë hakmarrjeje Izraeli dhe ofensiva e tij tokësore në Gazë kanë shkaktuar mijëra të vdekur.

Shtetet e Bashkuara kanë shtuar praninë e tyre në rajon në mbrojtje të rreth 2500 trupave të tyre në Irak dhe 900 të tjerëve në Siri dhe për të penguar që konflikti Izrael-Hamas të zgjerohet më tej, nga aktorë malinj, duke përfshirë Iranin, Houthisin, Hezbollahun dhe milicitë e tjera të mbështetur nga Irani.