Marrëveshja mes Izraelit dhe Hamasit, rezultat i negociatave intensive

Qeveria e Izraelit dhe grupi i militantëve të Hamasit ranë dakord për një pauzë katër-ditore të luftimeve, gjatë së cilës do të lirohen 50 pengje që mbahen në Gaza, në këmbim të 150 palestinezëve të burgosur në Izrael. Po kështu marrëveshja, e cila pritet të nisë të zbatohet prej ditës së enjte, parashikon dhe hyrjen e ndihmave humanitare në rajonin e rrethuar.

Kjo do të jetë pauza e parë në luftimet mes Izraelit dhe Hamasit që prej fillimit të luftës, e cila do të zgjasë katër ditë. Marrëveshja erdhi pas disa javë negociatash të udhëhequra nga Katari, Shtetet e Bashkuara dhe Egjipti, sipas një zyrtari të lartë të administratës amerikane.

Qeveria izraelite votoi në orët e para të së mërkurës për të mbështetur marrëveshjen, e cila do të mundësojë lirimin e 50 grave dhe fëmijëve që mbahen peng në Gazë, disa prej të cilëve mund të lirohen që të enjten.

Po kështu autoritetet izraelite kanë bërë të ditur se për çdo 10 robër shtesë të liruar, ata do të zgjasin pauzën në luftime me një ditë.

Në këmbim, Izraeli do të lirojë 150 gra dhe fëmijë palestinezë që mbahen të burgosur në këtë vend si dhe do të lejojë qindra kamionë me ndihma, të hyjnë në Gazë.

Ndërsa përshëndeti marrëveshjen dhe aktorët e përfshirë në të, Presidenti Joe Biden vlerësoi angazhimin e Kryeministrit Netanyahu për të siguruar që ajo të realizohet plotësisht, për të mundësuar sikurse tha ofrimin e ndihmës shtesë humanitare për të lehtësuar vuajtjet e familjeve të pafajshme palestineze në Gazë. Presidendi shtoi se ai nuk nuk do t’i ndale përpjekjet deri në lirimin e gjitha pengjeve.

Sipas të dhënave izraelite, militantët e Hamasit morën peng rreth 240 persona gjatë sulmit terrorist të 7 tetorit gjatë të cilit vranë edhe 1200 izraelitë.

Deri më sot, Hamasi ka liruar katër pengje. Të martën vonë, krahu i armatosur i grupit militant palestinez Xhihadi Islamik, i cili gjithashtu mori pjesë në sulmin e Hamasit, tha se një nga pengjet izraelite kishte vdekur.

Ndërkohë familjarët po presin me ankth kthimin e të afërmëve të tyre, sikurse gjashtëdhjetë e tre vjeçar, Gilad Korngold. Hamasi ka marrë peng shtatë anëtarë të familjes së tij, kryesisht gra dhe fëmijë dhe ai shpreson që ata të jenë të parët që të lirohen.

Duam të dimë nëse janë gjallë, nëse janë mire dhe ky është thjesht minimumi. Ky është një krim lufte, ata janë civilë”.

Autoritetet në Gazë, thonë se që nga sulmi i tetorit, bombardimet izraelite kanë rrafshuar pjesë të mëdha të rajonit së sunduar nga Hamasi, duke vrarë më shumë se 13 mijë njerëz e zhvendosur rreth 2.3 milionë të tjerë. Të mërkurën në mëngjez u dëgjuan shpërthime të shumta pavarësisht marrëveshjes për një armëpushim të përkohshëm të arritur nga Izraeli dhe Hamasi, e cila do të nisë të zbatohet së shpejti,

Banorët në Khan Younis e mirëpritën marrëveshjen dhe bënë thirrje për një armëpushim të përhershëm në mënyrë që njerëzit t’i kthehen jetës së tyre normale.

Shpresojmë të shohim zgjidhje pozitive nga kjo. Ne lutemi për armëpushim e që njerëzit të jetojnë në paqe në mënyrë që të kthehen në punët dhe shtëpitë e tyre, e të kenë stabilitet”, thotë Ebu Xhihad Ebu Shamieh një palestinez i zhvendosur

Para se të shpallej marrëveshja, Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se ndërhyrja e Presidentit amerikan Biden kishte ndihmuar në përmirësimin e marrëveshjes paraprake, duke përfshirë një numër më të madh pengjesh dhe mundësuar më pak lëshime ndaj grupit militant.

Zoti Netanyahu tha se megjithatë misioni më i gjerë i Izraelit nuk ka ndryshuar.

"Ne jemi në luftë dhe do të vazhdojmë luftën derisa të arrijmë të gjitha qëllimet tona, të shkatërrojmë Hamasin, të kthejmë të gjithë pengjet dhe të sigurohemi që asnjë entitet në Gazë të mos kërcënojë Izraelin", tha zoti Netanyahu.