Microsoft punëson ish-shefin e OpenAI, Sam Altman pas shkarkimit nga kompania

Ish drejtuesi i OpenAI Sam Altman dhe drejtuesja teknologjike e platformës Mira Murati/AFP fotografi nga arkivi

Drejtuesi i ri i kompanisë OpenAI, që krijoi platformën e inteligjencës artificiale ChatGPT, deklaroi të hënën se do të hetojë vendimin për shkarkimin e bashkë-themeluesit të kompanisë Sam Altman, që shkaktoi tronditje në qarqet e inteligjencës artificiale dhe çoi në punësimin e tij nga kompania Microsoft për të punuar në një nismë të re të saj për inteligjencën artificiale.

Ndërkohë qindra punonjës të kompanisë kërcënuan të hënën me dorëheqje nga OpenAi dhe pati njoftime për një peticion të nënshkruar nga qindra të tjerë që kërkuan shkarkimin e bordit të kompanisë.

Këto zhvillime ndodhën pas një fundjave dramatike dhe spekulimeve se çfarë epilogu do të kishin zhvillimet brenda kompanisë OpenAI, platforma e të cilës filloi epokën e inteligjencës artificiale që krijon shkrime, pamje, xhirime dhe muzikë sikurse njerëzit.

Drama përfundoi me emërimin e ish-drejtuesit të kompanisë teknologjike “Twitch” Emmet Shear në krye të OpenAi si drejtues i përkohshëm ekzekutiv dhe njoftimin e gjigandit Microsoft se kishte punësuar zotin Altman dhe bashkëthemeluesin dhe ish Presidentin e kompanisë OpenAI, Greg Brockman për të drejtuar ekipin e kërkimeve për inteligjencën artificiale të kësaj kompanie.

Megjithë përçarjet ndërmjet aktorëve kryesorë prapa platformës ChatGPT dhe kompanisë që kanë ndërtuar bashkarisht, edhe zoti Shear dhe drejtuesi ekzekutiv i Microsoftit Satya Nadella deklaruan se dy palët mbesin të përkushtuar për partneritet.

Microsoft ka investuar miliarda dollarë tek OpenAI dhe ka ofruar kapacitete kompjuterik për të vënë në punë sistemet e saj të inteligjencës artificiale. Në rrjetin social X, zoti Nadella shkroi se ishte “jashtëzakonisht i entusiazmuar ” nga vendimi për të punësuar ish-drejtuesit e OpenAI dhe se “mirëpret mundësinë për ta njohur” zotin Shear dhe ekipin e ri menaxhues.

Në një përgjigje në platformën X, zoti Altman shkroi se “misioni vazhdon,” ndërkohë që zoti Brockman njoftoi se “Do të ndërtojmë diçka të re dhe të jashtëzakonshme.”

Bordi i OpenAI njoftoi të premten se zoti Altman ishte shkarkuar pasi një shqyrtim i brendshëm arriti në përfundimin se “nuk kishte qenë plotësisht i sinqertë në korrespondencën e tij” me anëtarët e bordit, të cilët kanë humbur besimin në aftësinë e tij për të drejtuar kompaninë”.

Në një postim në X të hënën, zoti Shear tha se do të caktojë një hetues të pavarur për të shqyrtuar se çfarë çoi në shkarkimin e zotit Altman dhe të hartojë një raport mbi këtë zhvillim brenda 30 ditësh.

“Është e qartë që procesi dhe komunikimi rreth shkarkimit të Samit është trajtuar shumë keq, gjë që ka dëmtuar seriozisht besimin tonë,” shkroi zoti Shear, i cili ishte njëri nga themeluesit e platformës Twitch, një shërbim i transmetimit të drejtpërdrejtë, i njohur për lojtarët e video-lojërave, pronë e kompanisë Amazon.

Ai tha se gjithashtu planifikon që gjatë muajit të ardhshëm të “reformojë ekipin drejtues pas dorëheqjeve të fundit për ta ta forcuar atë” dhe se do të flasë me punonjësit, investitorët dhe konsumatorët.

Pas kësaj, zoti Shear tha se do të angazhohet për të “nxitur ndryshimet në organizatë,” përfshirë “ndryshime të rëndësishme në drejtim nëse ka nevojë.” Ai tha se arsyeja prapa vendimit të bordit për të shkarkuar zotin Altman nuk kishte të bënte “me një mosmarrëveshje specifike rreth sigurisë.”

Kompania OpenAI javën e kaluar refuzoi të përgjigjet ndaj pyetjeve se për çfarë mungese sinqeriteti bëhej fjalë në rastin e zotit Altman. Në deklaratë, kompania theksoi se sjellja e tij po pengonte bordin që të përmbushë përgjegjësitë e veta.

Një zëdhënëse e OpenAI nuk u përgjigj të hënën ndaj kërkesës së gazetarëve për të komentuar zhvillimet. Një përfaqësues i Microsoft-it tha se kompania nuk do të komentonte përtej deklaratës së drejtuesit të saj ekzekutiv.

Pas shkarkimit të premten zoti Altman nxiti spekulimet se ai mund të kthehej sërish përmes disa deklaratave në platformën X. Ai postoi të dielën një fotografi të vetes të pajisur me një kartë vizitorësh të kompanisë OpenAI, duke thënë se kjo është “hera e parë dhe e fundit që unë përdor një të tillë.”

Disa orë më herët, ai shkroi në X, “e dua shumë ekipin e OpenAI”, që mori përgjigje me zemra nga zoti Brockman, i cili dha dorëheqjen pas shkarkimit të zotit Altman, dhe Mira Muratit, drejtueses për teknologji të kompanisë OpenAI, që fillimisht u emërua drejtore e përkohshme ekzekutive.

Është e paqartë se çfarë ndodhi në periudhën ndërmjet emërimit të zonjës Murati në rolin e përkohshëm të premten dhe punësimit të zotit Shear, ndonëse ajo ishte në mesin e punonjësve që shkruan në platformën X të hënën se “OpenAI nuk është asgjë pa njerëzit e vet.” Zoti Altman iu përgjigj shumë prej tyre me postimin e simbolit të zemrës në këtë rrjet social.

Zoti Shear tha se kishte dhënë dorëheqjen nga pozita e drejtuesit ekzekutiv të kompanisë Twitch për shkak të lindjes së djalit, i cili tani është 9 muaj, por se “e pranoi këtë post pasi beson që OpenAI është njëra nga kompanitë më të rëndësishme që ekzistojnë për momentin.”

“Përfundimisht u ndjeva se e kam për detyrë të ndihmoj nëse mundem,” shkroi ai në platformën X.

Zoti Altman ndihmoi në ngritjen e ChatGPT drejt famës globale dhe gjatë këtij viti u shndërrua në zërin më të kërkuar për të shpjeguar të mirat dhe rreziqet e inteligjencës artificiale.

Ai zhvilloi një turne botërore për të takuar zyrtarë qeveritarë gjatë këtij viti, duke joshur audienca të mëdha në ngjarje publike ndërkohë që diskutoi për rreziqet e inteligjencës artificiale dhe përpjekjet për të rregulluar me ligj përdorimin e kësaj teknologjie të re.

Zoti Altman shkroi të premten se “ishte i lumtur nga koha që ka kaluar në OpenAI” dhe më vonë i quajti zhvillimet e fundit “përvojë të çuditshme.”

“Po të mos ta merrte Microsoft Altmanin, ai do të mund të shkonte në Amazon, Google, Apple apo ndonjë kompani të ngjajshme që me padurim do ta bënte pjesë të vetën fytyrën globale të inteligjencës artificiale,” tha analisti Daniel Ives nga “Wedbush Securities”.

Sipas tij, Microsoft-i tani është në pozitë edhe më të fuqishme sa i përket inteligjencës artificiale.

Aksionet e Microsoft-it u rritën për 2 për qind dhe të hënën po i afroheshin rekordit të kompanisë.

Agjencia e lajmeve The Associated Press dhe OpenAI kanë një marrëveshje për licencë dhe teknologji që i lejon OpenAI qasje në një pjesë të arkivave të kësaj agjencie.