Forcat izraelite luftojnë me militantët e Hamasit rreth një tjetër spitali në Gazë

Palestinians search for casualties at the site of Israeli strikes on houses in Jabalia refugee camp at the Indonesian hospital, in the northern Gaza Strip

Të hënën, forcat izraelite vazhduan ofensivën kundër Hamasit në Gazën veriore, duke luftuar me militantët, pranë atij që njihet si “Spitali Indonezian”, në të cilin ndodhen një numër i madh pacientësh, personel mjekësor dhe palestinezë të zhvendosur.

Një predhë goditi katin e dytë të spitalit, duke vrarë të paktën 12 persona, sipas një përfaqësuesi të personelit mjekësor që ndodhej brenda objektit dhe sipas Ministrisë së Shëndetësisë që drejtohet nga Hamasi.

Ata fajësuan forcat izraelite për sulmin. Ushtria izraelite tha se ushtarët që ndodhen jashtë spitalit hapën zjarrë në përgjigje të sulmeve të militantëve të Hamasit, por nuk kanë qelluar me predha në drejtim të spitalit.

Ministrja e Jashtme e Indonezisë, Retno Marsudi fajësoi Izraelin për sulmin.

“Indonezia dënon me forcë sulmin e Izraelit në Spitalin Indonezian në Rripin e Gazës, në të cilin u vranë një numër civilësh”, tha ajo përmes një deklarate. “Sulmi është një shkelje e qartë e ligjit ndërkombëtar humanitar. Të gjitha vendet, veçanërisht ato që kanë lidhje të forta me Izraelin, duhet të shfrytëzojnë ndikimin dhe aftësitë e tyre për t’i bërë thirrje Izraelit, që t’i japë fund sulmeve”.

Një ditë më parë Organizata Botërore e Shëndetësisë evakuoi nga spitali i Al Shifës, 31 foshnje të lindura parakohe. Të paktën 28 u transportuan të hënën për në Egjipt. Ndërkohë më shumë se 250 pacientë në gjendje të rëndë vazhdojnë të jenë të bllokuar brenda spitalit, ku forcat izraelite hynë disa ditë më parë.

Luftimet nisën pas sulmit terrorist të Hamasit më 7 tetor në jug të Izraelit, gjatë të cilit u vranë 1200 izraelitë, pjesa më e madhe, civilë.

Izraeli u përgjigj, fillimisht me një ofensive ajrore e pak ditë më vonë dhe një ofensivë tokësore në Gazë, me qëllim kryesor shkatërrimin e Hamasit.

Izraeli thotë se grupi militant i ka përdorur civilët si mburoja si dhe se ka përdorur infrastrukturën spitalore për të kryer operacionet e veta ushtarake, përfshirë edhe spitalin më të madh të rajonit Al Shifën. Forcat izraelite thonë se nën spital ndodhet qendra kryesore komanduese e Hamasit. Një ditë më parë ata ofruan pamje filmike të një tuneli të fortifikuar, 55 metra të gjatë, që siç thonë, mbështet pohimet e tyre.

Por kritikët kanë akuzuar Izraelin për bombardime të pamëshirshme ajrore e ndëshkim kolektiv të popullatës 2.3 milionë banorëshe të territorit palestinez. Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi thotë se mbi 12 mijë persona kanë humbur jetën, pa bërë një ndarje mes civilëve dhe militantëve të vrarë.

Marwan Abdallah, pjesë e personelit mjekësor të “Spitalit Indonezian”, tha sot se tanket izraelite po vepronin më pak se 200 metra larg spitalit dhe se në çatitë e ndërtesave aty pranë mund të shiheshin snajperë izraelitë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Ashraf al-Qidra, i cili aktualisht ndodhet në Gazën jugore, tha se në spital ndodhen rreth 600 pacientë, 200 punonjës të kujdesit shëndetësor dhe 2 mijë palestinezë të zhvendosur, që e kanë shfrytëzuar spitalin për t’u strehuar.

Ndërkohë sot me dhjetëra kamionë hynë në Gazë nga Egjipti me pajisje mjekësore nga Jordania, me synimin për të ngritur një spital fushor. Ky zhvillim shihet si një mundësi për të lehtësuar një pjesë të trysnisë mbi sistemin shëndetësor në kolaps të Gazës. Mediat shtetërore jordaneze njoftuan se spitali në qytetin jugor të Khan Younis-it, do të nisë të funksionojë brenda 48 orësh.