Stoltenberg: NATO-ja e shqetësuar nga retorika për ndarjen e Bosnjës

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha të hënën në Sarajevë se aleanca është e shqetësuar nga "retorika ndarëse" në Bosnje, si dhe nga ndërhyrjet e huaja, përfshirë Rusinë.

Your browser doesn’t support HTML5

Stoltenberg: NATO-ja e shqetësuar nga retorika për ndarjen e Bosnjës

“Aleatët mbështesin fuqishëm sovranitetin dhe tërësinë tokësore të Bosnjës e Hercegovinës”, u tha sekretari Stoltenberg gazetarëve në Sarajevë. “Ne jemi të shqetësuar nga retorika ndarëse dhe përçarëse, si dhe nga ndërhyrjet e huaja keqdashëse, përfshirë Rusinë”.

Ai iu referua deklarimeve të përsëritura të udhëheqësit serb Milorad Dodik se Republika autonome Serbe e vendit do të punojë për t'u shkëputur dhe për t'u bashkuar me aleaten fqinje, Serbinë.

"Kjo dëmton qëndrueshmërinë dhe pengon reformën", tha sekretari Stoltenberg, duke shtuar se të gjithë udhëheqësit politikë duhet të punojnë për të ruajtur unitetin, për të ndërtuar institucionet shtetërore dhe për të arritur pajtimin.

Lexoni edhe këtë SHBA-ja dënon deklaratat e Milorad Dodikut

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha sot në Sarajevë se aleanca mbështetë fuqishëm integritetin territorial të Bosnjes dhe dënon “ndikimin e huaj keqdashës”, përfshirë atë nga Rusia, në rajonin e Ballkanit, i cili në vitet 1990 ka vuajtur pasojat e një lufte shkatërrimtare. Komentet e udhëheqësit të NATO-s pasojnë thirrjet tashmë disa mujore të udhëheqësit të serbëve të Bosnjes për shkëputje nga vendi.

Pas luftës së viteve 1992-1995, në Bosnje u krijua një strukturë federale mes Republikës Serbe të Bosnjes dhe federatës boshnjako-kroate. Udhëheqësi pro-rus i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, në muajt e fundit ka shtuar thirrjet për shkëputjen e Republikës Serbe nga federata boshnjako-kroate e Bosnjes dhe bashkimin e saj me Serbinë fqinje. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë një konference shtypi sot në Sarajevë, shprehu shqetësimin për situatën në Bosnje.

Zoti Stoltenberg u bëri thirrje udhëheqësve politikë të Bosnjes që të ruajnë unitetin, të ndërtojnë institucionet demokratike dhe të punojnë për të arritur pajtimin mes komuniteteve.

Gati tre dekada pas përfundimit të luftës më të rëndë në Ballkan pas shpërbërjes së Jugosllavisë, në të cilën u vranë 100 mijë njerëz, Bosnja vazhdon të përballet me ndasi politike, një ekonomi në stagnacion dhe largime masive të njerëzve nga vendi.

NATO dislokoi 60 mijë trupa në Bosnje pas mbarimit të luftës atje, që në vitin 2004 u zëvendësuan me forcën paqeruajtëse të Bashkimit Evropian, EUFOR. Vitin e kaluar, BE pothuajse dyfishoi numrin e trupave të EUFOR-it në 1100 për shkak të shqetësimeve mbi mundësinë e përhapjes së luftës Ukrainë-Rusi në Ballkanin Perëndimor.

Zoti Stoltenberg tha se NATO mbështet fuqishëm misionin e EUFOR-it dhe ka një bashkëpunim të mirë me trupat e tij.

“Ne nuk mund të lejojmë krijimin e një boshllëku sigurie në Bosnje dhe Hercegovinë”, tha ai pas takimit me Përfaqësuesin e Lartë ndërkombëtar në Bosnje, Chrstian Schmidt, i cili nuk mbështetet nga serbët e Bosnjes për shkak se emërimi i tij nuk është bërë me miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB –së.

Së fundmi, është rritur frika se Rusia po përpiqet të destabilizojë Bosnjen dhe pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor për të hequr vëmendjen e botës nga agresioni i saj në Ukrainë. Moska e ka mbështetur në mënyrë të hapur udhëheqësin pro-rus të serbëve të Bosnjes, Milorad Dodik, i cili vazhdimisht ka bërë thirrje për ndarjen e vendit dhe bashkimin me Serbinë fqinje të gjysmës së Bosnjes, që kontrollohet nga serbët.

NATO ka paralajmëruar rreth rrezikut me të cilin përballet Bosnja nga ndërhyrjet e huaja, veçanërisht atë nga Rusia dhe ka rënë dakord të forcojë aftësitë dhe kapacitetet vetëmbrojtëse të Sarajevës.

“NATO mbetet e angazhuar në mbështetjen e rrugës euro-atlantike të Bosnjes. Çdo vend ka të drejtë të zgjedhë pa ndërhyrje nga jashtë aleancat për sigurinë e vet”, tha zoti Stoltenberg.

Ndonëse udhëheqësit e vendit kanë premtuar se do të mbështesin integrimin në NATO, serbet e Bosnjës me prirje pro-ruse, kanë tërhequr mbështetjen e tyre për anëtarësimin e vendit në aleancën Perëndimore, duke ndalur procesin e integrimeve euroatlantike të vendit.

Para vizitës së sekretarit Stoltenberg, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Rusia synon ndezjen e një vatre krize në oborrin e Bashkimit Evropian për ta shpërqendruar NATO-n, kurse Serbia përmbushjen e ambicieve territoriale ndaj fqinjëve të saj.

Lexoni edhe këtë Kurti: Rusia dhe Serbia kërcënojnë qëndrueshmërinë, paqen dhe sigurinë rajonale

“Vizita e sekretarit Jens Stoltenberg në Kosovë tregon përkushtimin e vendosur të NATO-s për sigurinë tonë. Me Bashkimin Evropian që e ka shpalosur zyrtarisht qëllimin e Rusisë për të provokuar një konflikt të ri në Ballkanin Perëndimor, rruga më e sigurt drejt paqes së qëndrueshme është që Kosovës t’i jepet statusi i kandidatit për në BE dhe integrimi në NATO”, shkroi kryeministri Kurti në rrjetin X, të njohur deri vonë si Twitter.

Serbia është vend kandidat për integrim në Bashkimin Evropian, por ruan lidhje të ngushta me Moskën dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve kundër saj për shkak të agresionit në Ukrainë. Ajo gëzon mbështetjen e Moskës në kundërshtimin e saj ndaj pavarësisë së Kosovës.

Muajin e kaluar udhëheqësit e vendeve kryesore evropiane i kërkuan Prishtinës t’u jap më shumë autonomi serbëve të Kosovës, ndërsa Beogradit të njohë de fakto pavarësinë e saj, si pjesë e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.