Politikani i krahut të djathtë Javier Milei zgjidhet president i Argjentinës

Politikani i krahut të djathtë Javier Milei tha të dielën se situata e Argjentinës është "kritike" dhe premtoi të bëjë ndryshime "drastike" sapo të marrë presidencën e ekonomisë së tretë më të madhe në Amerikën Latine.

"Situata e Argjentinës është kritike. Ndryshimet që i duhen vendit tonë janë drastike. Nuk ka vend për masa të vakëta," u tha Javier Milei mbështetësve që brohoritën "president, president" dhe "liri, liri" kur populisti i krahut të djathtë doli në skenë.

Javier Milei mori 56 për qind të votave në balotazhin e zgjedhjeve presidenciale të së dielës, ndërsa rivali i tij, ministri i Ekonomisë Sergio Massa 44 për qind. Duket se kjo është fitore më e thellë sesa parashikohej nga të gjitha anketat dje më e thella që nga rivendosja e demokracisë në Argjentinë në vitin 1983.

Në fjalimin e tij të parë si president i zgjedhur, Javier Milei i dërgoi gjithashtu një mesazh qeverisë në largim, duke thënë se vendi ishte "përgjegjësi e tyre deri në fund të mandatit" më 10 dhjetor.

Sergio Massa, i partisë Peroniste në pushtet, pranoi humbjen dhe uroi zotin Milei, një anarko-kapitalist i vetëshpallur, që e ka krahasuar shpesh veten me ish presidentin amerikan, Donald Trump.

Me fitoren e zotit Mileit, vendi do të lëvizë djathtas. Ekonomisti Milei i cili u zgjodh si deputet dy vjet më parë, ishte një kritik në televizion i “kastës politike”.

Nën drejtimin e zotit Massa, inflacioni është rritur në mbi 140 për qind dhe varfëria është përkeqësuar. Zoti Milei, që e konsideron veten si një kapitalist anarkist, propozon shkurtimin e administratës shtetërore dhe ndërhyrjen ndaj inflacionit, ndërsa zoti Massa ka paralajmëruar për pasojat negative të politikave të tilla.

Zgjedhjet shumë të polarizuara i kanë detyruar shumë prej votuesve që të zgjedhin kandidatin që e mendojnë si opsionin më pak të keq.

Gjatë fushatës elektorale, zoti Massa paralajmëroi argjentinasit se plani i kundërshtarit të tij për të eliminuar ministritë kryesore dhe shkurtimin e administratës shtetërore, mund të rrezikojë shërbimet publike, përfshirë shëndetësinë dhe arsimin, si dhe programet sociale që mbështesin shumë njerëz. Zoti Massa ka përqendruar gjithashtu vëmendjen tek retorika shpesh agresive e kundërshtarit të tij dhe ka ngritur publikisht pikëpyetje për mprehtësinë e tij mendore; përpara raundit të parë të votimit, zoti Milei merrte ndonjëherë me vete në tubime një sharrë motorike.

Votimet e së dielës u zhvillua mes akuzave të zoti Milei për mashtrim të mundshëm elektoral, ngjashëm me pretendimet e ngritura nga ish presidenti Trump dhe ish presidenti brazilian i ekstremit të djathtë Jair Bolsonaro. Pa dhënë prova, zoti Milei pretendoi se raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale u dëmtua nga parregullsi që ndikuan në rezultat.

"Shpresa shndrit përsëri në Amerikën e Jugut", shkroi zoti Bolsonaro në rrjetin X, dikur i njohur si Twitter. "Le të arrijnë këto erëra të mira Shtetet e Bashkuara dhe Brazilin, kështu që ndershmëria, përparimi dhe liria të na kthehen të gjithëve", shkroi ai.