BERZH mbështet planin që Maqedonia e Veriut t’i japë fund varësisë nga energjia e prodhuar me qymyr

Udhëheqësit ndërkombëtarë, përfshirë Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Bankën Botërore po mbështesin një plan prej 3.26 miliardë eurosh që Maqedonia e Veriut t’i jap fund varësisë nga energjia e prodhuar me qymyr, i tha Presidenti i BERZH-it agjencisë së lajmeve Reuters.

Marrëveshja, që pritet të njoftohet gjatë Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike që mbahet në Dubai, nga 30 nëntori, parashikon mbylljen e dy termocentraleve të qymyrit në Maqedoninë e Veriut dhe zëvendësimin e tyre me energji të rinovueshme.

“Qymyri përfaqëson 40 për qind të burimit energjetik të Maqedonisë së Veriut. Kjo është një shifër e lartë, dhe ka rëndësi të madhe”, tha Presidenti i BERZHI-it, Odile Renaud-Basso, për agjencinë Reuters.

“Ky është një rast që do të donim të paraqisnim në Konferencën e Kombeve të Bashkuara, qasjen tonë, ndihmën që mund të ofrojmë dhe angazhimin që presim nga autoritetet vendase”.

Plani është paraprirë nga përpjekje të ngjashme për mbylljen sa më parë të termocentraleve me qymyr në Afrikën e Jugut, Indonezi, Vietnam dhe Senegal, me mbështetjen e qeverive si dhe investitorëve privatë.

Në vitin 2018, Kombet e Bashkuara e shpallën Shkupin, kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, më të ndoturin në Evropë dhe autoritetet vendase ishin përpjekur për vite me radhë për të ndaluar përdorimin e qymyrit për prodhimin e energjisë.

Por në vitin 2021, Maqedonia e Veriut rihapi termocentralin me qymyr REK Oslomej për të shkurtuar importet e energjisë elektrike.

Të dy termocentralet me qymyr janë të vjetruara dhe përdorin linjitin, llojin më ndotës të qymyrit.

Një zëdhënës i Fondit të Investimeve të Bankës Botërore për Klimën (CIF) tha se Maqedonia e Veriut është në konkurrencë të marrë një mbështetje në formë koncesioni prej 85 milionë dollarësh prej këtij organizmi dhe se plani i investimit, përfshirë dhe shuma e saktë e financimit, do t’i dërgohet për miratimin bordit drejtues (CIF), në fillim të vitit të ardhshëm.

Presidenti i BERZHI-it, Odile Renaud-Basso, tha se krahas shumës prej 300-400 milionë eurosh në formë koncesioni, financimi mund të kryhej edhe nga huadhënës shumëpalësh, si Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC) dhe sektori privat.

Një zëdhënës i Korporatës Financiare Ndërkombëtare tha se kalimi tek energjia e gjelbër, përfshirë në Maqedoninë e Veriut, ishte një nga përparësitë kyçe të saj, por se nuk ishte në gjendje që të konfirmonte detajet.

Banka Botërore nuk ishte menjëherë e gatshme për koment. Qeveria e Maqedonisë së Veriut nuk iu përgjigj kërkesës së agjencisë së lajmeve Reuters për koment.

Maqedonia e Veriut iu bashkua në vitin 2021 grupit të vendeve për të mos prodhuar më energji nga qymyri. Shkupi fillimisht planifikoi të hiqte dorë gradualisht nga përdorimi i qymyrit deri në vitin 2027, por vitin e shkuar e shtyu afatin deri në vitin 2030.

Vonesa, planet për hapjen e dy minierave të reja qymyri mes shqetësimeve për sigurinë energjetike të nxitura nga lufta në Ukrainë, pasqyruan veprimet që ishin marrë dhe nga vende të tjera në Bashkimin Evropian, por nxitën kritika nga aktivistë për mbrojtjen e mjedisit.