Raporti europian: Rrjetet shqiptare aktive në "shtëpitë e barit" në disa vende europiane

  • Raimond Kola

Kanabis

Rrjetet kriminale të Ballkanit Perëndimor duket se kanë përshtatur një model të ri biznesi që fokusohet kryesisht në kultivimin e kanabisit në mjedise të mbyllura në Bashkimin Europian.

Kështu thuhet në një raport të publikuar nga Qendra Europiane e Monitorimit për Drogën dhe Varësinë nga Droga (EMCDA) dhe Europol.

Sipas raportit “Tregu i drogës në BE, kanabisi”, bazuar në të dhënat nga disa hetime të përbashkëta ndërkombëtare rrjetet shqiptare dhe serbe, në veçanti, duket se janë të përfshirë në kultivimin e kanabisit në shkallë të gjerë në Bashkimin Europian, veçanërisht në Spanjë.

Në raport përmenden disa raste të goditjes së rrjeteve kriminale, përshirë ato shqiptare në kultivimin e kanabisit në mjedise të mbyllura.

“Në korrik të vitit 2021, një rrjet kriminal i udhëhequr nga një klan shqiptar u çmontua në veri-lindje të Spanjës, ku menaxhonte disa plantacione të brendshme kanabis ku u arrestuan 107 persona, përfshirë shtetas shqiptarë, spanjollë, sllovakë dhe grekë, u çmontuan 51 ferma kanabisi dhe u sekuestruan 25 000 bimë kanabisi. Në përfundim të operacionit nga Europol u vlerësua se ishte vjedhur më shumë se 1.6 milionë euro energji elektrike për kultivimin e kanabisit”, thuhet në raport.

Sipas Raportit të Europol dhe Qendrës së Monitorimit për Drogën, Spanja nuk është i vetmi shtet anëtar i Bashkimit Europain ku rrjetet e Ballkanit Perëndimor angazhohen në kultivimin e kanabisit.

“Për shembull, thuhet në raport, 60 anëtarë të një rrjeti kriminal shqiptar u arrestuan në prill 2019 për menaxhimin e të paktën një duzinë plantacionesh kanabisi në Belgjikë dhe në veri të Francës”.

Gjithashtu raporti thotë se “rrjetet belge, holandeze dhe shqiptare duket se janë aktorët kryesorë në kultivimin e kanabisit në Belgjikë”.

“Disa faktorë mendohet se kanë kontribuar në këtë, si afërsia me tregjet e konsumit, si dhe rreziqet dhe kostot që lidhen me trafikimin e kanabisit në Bashkimin Europain nga Ballkani Perëndimor”, vlerëson raporti.

"Rrjetet kriminale të Ballkanit Perëndimor duket se janë të përfshirë jo vetëm në në kultivimin e kanabisit brenda Bashkimit Europain, por edhe në trafikimin e kanabisit që kultivohet në vendet e Ballkanit perëndimor, madje disa nga këto rrjete mund të përfshihen edhe në trafikun me shumicë të kokainës në Evropë", thotë raporti.

“Megjithëse shumica e kanabisit bimor të konsumuar në BE ka të ngjarë të jetë prodhuar në BE, rajoni i Ballkanit Perëndimor duket se mbetet një burim i rëndësishëm i kanabisit bimor të trafikuar në tregun evropian”, thuhet me tej.

Vendet e Ballkanit Perëndimor janë gjithashtu furnizues të rëndësishëm të kanabisit për vendet e tjera të rajonit dhe Turqisë.

Sipas paportit të EMCDA dhe Europol “Shqipëria konsiderohej si një burim i madh jashtë BE-së i kanabisit bimor të destinuar për tregun evropian përpara vitit 2018, por që atëherë vendet fqinje si Greqia, Italia dhe Maqedonia e Veriut raportojnë reduktime të konsiderueshme në sekuestrimin kanabis me origjinë shqiptare”.

“Megjithëse informacioni i disponueshëm sugjeron një rritje të prodhimit në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, deri më sot nuk është vërejtur ndonjë intensifikimi i trafikut ndërkufitar të kanabisit”, thuhet në raport.

Kanabisi bimor i trafikuar nga Ballkani Perëndimor në Bashkimin Europian duket se transportohet kryesisht nga toka.

Sipas raportit “përafërsisht 48% e kanabisit bimor të kapur në Greqi në vitin 2020 mendohej të ishte me origjinë shqiptare, një rënie në raport me shifrat e viteve të mëparshme (62% në 2018 dhe 71% në 2017)”.

Trafikimi i kanabisit bimor drejt Italisë gjithashtu duket se ka rënë në vitet e fundit, siç tregohet nga të dhënat e sekuestrimeve dhe nga numri I ksafeve skafeve që kalojnë detin Adriatik, thuhet në raport.

Megjithatë, sipas raportit, “rrugët detare vazhdojnë të përdoren, si rasti i sekuestrimit të fundit të 1 ton kanabis bimor nga një varkë me vela dhe skafe në brigjet e Vlorës, Shqipëri, në gusht të vitti 2022, që dyshohej se synohej për shitje në Itali.”

Raporti i antidrogës europiane vlerëson se lloje të shumta të produkteve të kanabisit gjithashtu mund të trafikohen nga Ballkani Perëndimor drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Raporti përmend një rast në shkurt 2020 ku autoritetet italiane sekuestruan 450 kilogramë kanabis bimor, 75 kilogramë rrëshirë kanabisi dhe 3.5 litra vaj kanabisi në të njëjtën ngarkesë nga Shqipëria.

Në një rast tjetër të përmendur në raport , në prill 2020, forcat e rendit italian arrestuan dy shtetas italianë për kontrabandë te rreth 646 kilogramë kanabis bimor dhe 250 kilogramë rrëshirë kanabisi nga Shqipëria.

Në një numër të kufizuar rastesh, trafikimi i kanabisit nga Ballkani Perëndimor duket se është kryer nëpërmjet avionëve të vegjël dhe mjeteve ajrore pa pilot, thuhet në raport.