Ushtria izraelite ndërhyn në spitalin Al-Shifa në Rripin e Gazës

PALESTINIAN-ISRAEL-CONFLICT-HEALTH-HOSPITAL

Ushtarët izraelitë bastisën Spitalin Shifa në Gazë në orët e hershme të mëngjesit të mërkurën, në kërkim të militantëve të Hamasit pasi i dhanë disa minuta paralajmërim zyrtarëve të ministrisë së shëndetësisë.

Një zyrtar i lartë ushtarak izraelit tha se trupat gjetën armë dhe "infrastrukturë terroriste". Hamasi e mohoi një gjë të tillë.

Your browser doesn’t support HTML5

Trupat izraelite fillojnë bastisjen e spitalit Shifa të Gazës


Uashingtoni e pranon se Hamasi po i përdor spitalet si qendra komandimi por thotë se nuk e përkrah kryerjen e sulmeve ajrore në qendrat shëndetësore.


Zyrtari ushtarak izraelit nuk dha detaje për pohimin se në spital ishin gjetur armë, por tha se provat për një gjë të tillë do të paraqiten më vonë.

Zyrtari u tha gazetarëve se nuk kishte pasur luftime brenda kompleksit spitalor pasi ushtarët mbërritën gjatë natës dhe se nuk kishte përplasje me personelin mjekësor apo pacientët.

Sipas tij, ushtarët izraelitë po operonin në një zonë tjetër të spitalit nga ai ku ndodhen mjekët dhe pacientët.

Forcat ushtarake izraelite thanë se personeli i tyre përbëhej nga “ekipe mjekësore dhe pjesëtarë që e flasin gjuhën arabe, të cilët i janë nënshtruar trajnimeve të veçanta për t'u përgatitur për këtë mjedis kompleks dhe të ndjeshëm, me qëllim që të mos shkaktohet asnjë dëm për civilët”.

Operacioni filloi pasi ushtria mori kontrollin e një zone më të gjerë të Gazës veriore të martën, duke përfshirë ndërtesën e parlamentit të territorit dhe atë të stacionit të policisë, që kanë një vlerë të lartë simbolike në përpjekjen e vendit për të shtypur grupin militant të Hamasit.

Ndërkohë, zyrtarët izraelitë të mbrojtjes thanë se kanë rënë dakord të lejojnë dërgesat me karburantit në Rripin e Gazës për operacione humanitare. Kjo është hera e parë që Izraeli ka lejuar dërgimin e karburantit në territorin e rrethuar që nga sulmi i përgjakshëm nga Hamasi më 7 tetor në Izrael.

Brenda disa prej ndërtesave të pushtuara, ushtarët mbanin flamurin izraelit dhe flamujt ushtarakë për të festuar fitoren. Në një konferencë shtypi të transmetuar në televizionin kombëtar, ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant tha se Hamasi kishte "humbur kontrollin" mbi Gazën veriore dhe se Izraeli kishte arritur përparime të rëndësishme në qytetin e Gazës.

Por i pyetur për kornizën kohore të luftës, zoti Gallant tha: “Bëhet fjalë për muaj të gjatë, jo për një apo dy ditë”.

Një komandant izraelit në Rripin e Gazës, i identifikuar vetëm si nënkoloneli Gilad, tha në një video se forcat e tij pranë spitalit Shifa kishin marrë në kontroll ndërtesa qeveritare, shkolla dhe ndërtesa banimi, ku gjetën armë dhe eliminuan luftëtarë të Hamasit.

Lexoni edhe këtë Çfarë do të ndodhë pasi të jenë ndalur luftimet në Gazë?


Për ditë të tëra, ushtria izraelite ka mbajtur të rrethuar Spitalin Shifa, ku thotë se Hamasi fshihet brenda dhe në tunele nëntokësore, duke i përdorur civilët si mburoja për bazën e tij kryesore komanduese. Personeli i spitalit dhe Hamasi mohojnë pretendimin e ushtrisë izraelite.

Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur pretendimet e Izraelit se Hamasi, grupi militant palestinez që Uashingtoni e ka shpallur organizatë terroriste, po përdor spitalet për qëllime ushtarake.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurimit të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, duke folur me gazetarët të martën ndërsa ishte rrugës për në San Francisko ku Presidenti Joe Biden pritet të takohet me homologun kinez Xi Jinping, tha se megjithatë SHBA nuk i mbështet sulmet ajrore në spitale.

“Hamasi dhe anëtarët e Xhihadit Islamik Palestinez kanë një zonë komandimi dhe kontrolli në spitalin al-Shifa në qytetin e Gazës. Ata kanë mbajtur armë atje dhe janë të përgatitur t'i përgjigjen një operacioni ushtarak izraelit kundër atij objekti. Për të qenë të qartë, ne nuk mbështesim goditjet nga ajri e as luftimet në një spital ku njerëz të pafajshëm, të pafuqishëm dhe të sëmurë, po kërkojnë kujdes mjekësor. Spitalet dhe pacientët duhet të mbrohen”, thotë zoti Kirby, zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së.

Izraeli nuk ka ofruar dëshmi që të verifikojë pretendimet rreth pranisë së militantëve të Hamasit në spitalin Shifa, ndonëse ka publikuar imazhe të ushtarëve të tij duke luftuar me militantët që operojnë nëpër lagje të Gazës.

Hamasi dhe personeli i spitalit i kanë hedhur poshtë akuzat se kjo hapësirë po shfrytëzohet për t’iu ofruar mbrojtje militantëve.

Militantët e Hamasit, që konsiderohet organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, kryen një sulm të befasishëm më 7 tetor në Izrael, duke vrarë më shumë se 1200 njerëz dhe duke marrë më shumë se 200 pengje. Izraeli është përgjigjur me një fushatë ushtarake disa javore në Rripin e Gazës, që sipas Ministrsë së Shëndetësisë së këtij rajoni, të udhëhequr nga Hamasi, ka shkaktuar vdekjen e mbi 11 mijë palestinezëve.