Gjykata Europiane: Dyshime se autoritetet shqiptare u përpoqën të devijonin hetimet e 21 Janarit

  • Armand Mero

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut u shpreh të martën se në hetimin e ngjarjeve të 21 janarit 2011, ku gjatë një manifestimi të dhunshëm të opozitës mbetën të vrarë katër protestuesë, janë vërejtur mangësi të shumta të cilat ngritën dyshime se autoritetet ishin përpjekur ta devijonin apo të ndërhynin padrejtësisht.

Me një vendim unanim, një Dhome të përbërë nga 7 gjyqtarë vlerësoi se ka vërejtur dy shkelje të Nenit 2 (e drejta për jetën dhe për hetim) të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, në rastin e Aleks Nikës, një prej protestuesve të vrarë. Në ndryshim nga tre viktimat e tjera të qëlluar më armë zjarri në afërsi të godinës së kryeministrisë, Aleks Nika ndodhej në krahun tjetër të bulevardit, kur një plumb e qëlloi për vdekje në kokë.

Trupa gjykuese vendosi se sipas nenit 46 (forca detyruese dhe ekzekutimi i vendimeve) autoritetet duhet të vazhdojnë përpjekjet për zbardhjen e vdekjes së Nikës si dhe të identifikojnë e ndëshkojnë përgjegjësit.

Hetimi

Dhoma gjeti se çështja e përgjegjësisë së mundshme të zinxhirit komandues nuk ishte zbardhur nga hetimi përkatës, i cili ishte përqendruar në përgjegjësinë individuale të oficerëve të Gardës dhe jo në sekuencën apo natyrën e urdhrave që mund të ishin dhënë nga zinxhiri komandues i Gardës.

Në vendim vihen në dukje deklaratat e para të zyrtarëve të lartë të kohës se “viktimat ishin qëlluar në distancë të afërt dhe me lloje armësh të ndryshme nga ato në përdorim nga Garda dhe policia”. Ndërsa sulmet ndaj Prokurores së Përgjithshme Ina Rama e cila “i ishte nënshtruar kritikave të ashpra nga Kryeministri i atëhershëm (Sali Berisha) dhe nga një komision hetimor parlamentar i cili kishte nisur punën paralelisht me hetimin penal.. pati një ndikim negativ në efektivitetin e hetimit, në veçanti për shkak të potencialit për t’i dekurajuar dëshmitarët për të bashkëpunuar me hetimin”.

Gjykata Europiane vëren po ashtu se urdhërat për ndalimin e oficerëve të dyshuar të Gardës së Republikës, nuk u zbatuan nga policia. “Oficerët u dorëzuan 18 ditë më vonë, çfarë solli një humbje kohe në një fazë kritike, si dhe të mundësisë për të minimizuar bashkëpunimin ose shtrembërimin e së vërtetës.”

Një tjetër mangësi në hetime vlerësohet dhe fshirja e rregjistrimeve video të incidentit, të ruajtura në dhomën e serverit të Kryeministrisë. Gjykata po ashtu thotë se “gjeti se autoritetet nuk kishin kryer në kohë ekspertizën mbi trupin e viktimës dhe se familjarëve të Nikës u ishte mohuar aksesi gjatë hetimit, pretendim që Qeveria nuk mundi ta rrëzojë me prova”.

Duke marrë parasysh tërësinë e rrethanave, Gjykata doli në përfundimin se”hetimi i çështjes nuk kishte qenë efektiv pasi nuk kishte arritur të përcaktonte të vërtetën apo të çonte në identifikimin dhe ndëshkimin e personave përgjegjës, çfarë përbën shkelje të nenit 2” të Konventës.

Vrasja

Gjykata bëri të ditur se kishte pasur tre grupe kryesore mangësish në përdorimin e forcës që solli vdekjen e Aleks Nikës.

“Së pari, në atë kohë kishte pasur mangësi në kornizën ligjore që rregullonte përdorimin e armëve të zjarrit në kontekstin e tubimeve masive”, shkruan Gjykata në vendimin e saj, ndërsa shton se ka identifikuar “defekte serioze në planifikimin dhe kontrollin e protestës, pavarësisht se autoritetet kishin pasur kohë për t’u përgatitur pasi ishin njoftuar disa ditë përpara”.

Po ashtu Gjykata vuri në dukje në veçanti se “nuk kishte pasur udhëzime të qarta për përdorimin e forces vdekjeprurëse apo për kontrollin e turmës, si dhe kishte munguar bashkërendimi i duhur midis Gardës së Republikës dhe policisë, si edhe një zinxhir i qartë komandues”.

Si përfundim, Gjykata konsideroi se “autoritetet nuk dëshmuan se përdorimi i forcës vdekjeprurëse që rezultoi në vdekjen e të afërmit të kërkueseve kishte qenë absolutisht i nevojshëm në rrethanat e rastit. Gjykata nuk mund të pranojë argumentin se mbrojtja e një ndërtese në vetvete përbënte bazë legjitime për përdorimin e forcës vdekjeprurëse. Edhe nëse do të pranohej argumenti se oficerët kishin qëlluar në ajër si formë paralajmërimi, është e vështirë të imagjinohet se zjarr-qitja në një kënd të kujdesshëm do të kishte goditur në kokë Aleks Nikën, qoftë edhe si pasojë e një plumbi rikoshet, ndërsa ai ishte duke qëndruar në këmbë afër trotuarit përballë Kryeministrisë”.

Reagimet

Në mbrëmje, gjatë një interviste në Report TV, kryeministri Edi Rama e cilësoi “diçka të jashtëzakonshme” vendimin e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut. “Sot Gjykata e Strasburgut i ka dhënë të drejtë familjes Nikaj dhe faktikisht ka rrëzuar procesin që është bërë në Shqipëri për 21 janarin. Që do të thotë i ka hapur rrugën atij hetimi të munguar për zinxhirin e komandimit. Sot një gjykatë supreme europiane ka thënë se është përdorur forcë vdekjeprurëse e pajustifikuar. Dhe ka saktësuar që procesi i bërë duke e lënë këtë punë mbi individë, është një proces që nuk konsiderohet i drejtë. Flet qartësisht për zinxhirin e komandimit. Ka vrarë qeveria në 21 janar”, deklaroi zoti Rama.

Më herët, ish kryeministri Sali Berisha, i cili u la jashtë pistave të hetimit, dhe nuk u mor në pyetje as si dëshmitar apo person që ka dijeni mbi ngjarje, deklaroi se nuk e kishte lexuar vendimin e Gjykatës Europiane, duke shtuar se “nuk ka patur dhe nuk mund të ketë kurrë pengesë hetimi nga Sali Berisha. Kjo është komenti që bëj për çdo gjë. Se si është bërë hetimi, dosjet janë aty, vlerësimin që ka bërë gjykata, nuk kam asnjë kundërshtim”.