Biden: Spitalet e Gazës duhet të mbrohen

United States Biden Indonesia

Të martën autoritetet palestineze propozuan evakuimin nën mbikëqyrjen e Kryqit të Kuq të mbi 30 foshnjeve që ndodhen në spitalin e Al Shifës në Gazë, i cili prej disa ditësh ka qenë epiqendër e luftimeve. Ata thanë se armëpushimi do të ishte mënyra e vetme për t’i shpëtuar të sapolindurit.

Dje në mbrëmje Presidenti Joe Biden u tha gazetarëve në Shtepinë e Bardhë se spitalet në Rripin e Gazës “duhet të mbrohen”.

Këto ishin komentet e para të presidentit amerikan që nga zhvillimet në fundjavë, përfshirë njoftimet për vdekjet e pacientëve në spitalin Al Shifës.

Presidenti Biden tha se Uashingtoni vazhdon të jetë në kontakt me zyrtarët izraelitë dhe se po bëhen gjithashtu përpjekje “për të siguruar pauza me synim lirimin e pengjeve në bashkëpunim edhe me Katarin”.

Izraeli akuzon Hamasin se po i përdor spitalet si vendstrehime për luftëtarët e tij dhe thotë se militantët kanë ngritur qendrën e tyre kryesore komanduese brenda dhe poshtë spitalit të Al Shifës. Izraeli thotë se disponon informacione zbulimi që mbështesin këto pohime, por nuk ka ofruar prova vizuale për t'i mbështetur ato.

Lexoni edhe këtë Çfarë do të ndodhë pasi të jenë ndalur luftimet në Gazë?

Si Hamasi ashtu edhe personeli i Spitalit të Al Shifës i kanë hedhur poshtë akuzat.

Konflikti i nxitur nga një sulm i përgjakshëm i Hamasit më 7 tetor ka hyrë në javën e gjashtë të tij. Gjatë sulmit u vranë 1200 izraelitë, ndërsa 240 persona të tjerë u morën peng. Po kështu si pasojë e përgjigjes ushtarake izraelite janë shkaktuar mijëra palestinezë të vrarë. Por autoritetet palestineze nuk bëjnë një ndarje të shifrave mes civilëve dhe numrit të militantëve të vrarë.

Të hënën në mbrëmje Hamasi publikoi një video ku sipas tij shfaqej një nga pengjet. Militantët thanë se ajo ishte 19-vjeçarja Noa Marciano, para dhe pasi u vra, në atë që sipas Hamasit ishte një sulm izraelit. Ushtria më vonë tha se 19 vjeçarja ishte një ushtare e rënë, por pa përmendur shkakun e vdekjes.

Noa Marciano është pengu i parë i konfirmuar se ka vdekur ndërsa ndodhej në duar a grupit militant. Katër pengje janë liruar nga Hamasi ndërsa një i pestë, u shpëtua nga forcat izraelite.