Zyrtarët e fushatës presidenciale të kandidates republikane Nikki Haley planifikojnë të shpenzojnë 10 milionë dollarë në reklama televizive, radiofonike dhe në media sociale, në shtetet e Ajouas dhe Nju Hempshërit, duke filluar nga java e parë e muajit dhjetor. Synimi i këtij investimi masiv është që ish-ambasadorja e Kombeve të Bashkuara të krijojë avantazh ndaj Guvernatorit të Floridës Ron DeSantis në një moment kritik në betejën për të fituar emërimin zyrtar nga Partia Republikane për garën presidenciale.
Shuma e parave për fushatën në reklama, planifikuar nga zonja Haley, deri tani është pesë herë më e madhe sesa shuma e parave që po shpenzon për reklama zoti DeSantis për të njëjtën periudhë kohore, sipas kompanisë që monitoron median ‘AdImpact’.
Lëvizja e zonjës Haley vjen ndërsa ajo po bën përpjekje për t'u shfaqur si alternativë e mundshme që do të zëvendësonte ish-presidentit Donald Trump, e për të përfaqësuar republikanët kundër Presidentit Joe Biden në zgjedhjet e vitit 2024. Zoti DeSantis është konkurrenti më i fortë i zonjës Haley për vendin e dytë mes kandidatëve të partisë. Por fushata e guvernatorit të Floridës ka dhënë shenja për probleme financiare pas një vere të trazuar.
Zoti Trump vazhdon të kryesojë sondazhet në mesin e republikanëve për zgjedhjet paraprake.
Zoti Trump përballet me katër padi penale, mes tyre një çështje që është përqendruar tek përpjekjet e tij për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020 në Xhorxhia dhe një tjetër, lidhur me akuza për përpjekje për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të 2020 që çoi në sulmin e dhunshëm të 6 janarit 2021 ndaj Kapitolit.
Në SHBA mbledhja e fondeve dhe strategjia e reklamave shpesh mund të jetë më e rëndësishme sesa politikat ose personaliteti i një kandidati. Por paratë e mbledhura dhe të shpenzuara nga kandidatët tregojnë vetëm një pjesë të realitetit që lidhet me zgjedhjet e 2024.
Senatori i Karolinës së Jugut, Tim Scott, për të cilin një grup konservator kishte planifikuar 7.5 milionë dollarë në reklama për zgjedhet në Ajoua, u largua nga gara të dielën në mbrëmje. Zoti Scott nuk arriti të sigurojë mbështetjen e duhur në sondazhet në nivel kombëtar dhe sondazhet e tetorit, e rendisnin atë shumë pas zotit Trump dhe zonjës Haley.
Zyrtarët e fushatës së zonjës Haley nuk pranuan të komentojnë nëse reklamat do të sulmonin drejtpërdrejt zotin DeSantis apo zotin Trump. Por menaxherja e fushatës, Betsy Ankney kritikoi zotit DeSantis, lidhur me komentet e tij se zonja Haley dhe republikanë të tjerë në garë, do të shërbenin vetëm ‘sa për të bërë dëm’.
“Rruga e Nikki Haley-t drejt fitores është e qartë”, tha zonja Ankney. “Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Ron DeSantis”, shtoi ajo.