Punonjës të Shërbimit Sekret, që mbrojnë mbesën e Presidentit Joe Biden, hapën zjarr pasi tre persona u përpoqën të hynin në një makinë me targa civile, por në zotërim të agjencisë. Lajmi u konfirmua për agjencinë e lajmeve Associated Press nga një zyrtar i rendit.
Të dielën në mbrëmje, rojet e Shërbimit Sekret po shoqëronin zonjën Naomi Biden në “Georgetown”, një lagje në Uashington, kur panë tre individë që po thyenin dritaren e makinës së parkuar. Në momentin e incidentit në të nuk ndodhej asnjë njeri tha zyrtari i cili foli në kushte anonimiteti.
Një nga punonjësit e Shërbimit Sekret hapi zjarr, por asnjë nga personat nuk u godit, tha përmes një deklarate agjencia. Tre individë u panë tek largoheshin me një makinë të kuqe, ndërsa agjentët njoftuan Policinë Metropolitane.
Uashingtoni ka shënuar një rritje të konsiderueshme të numrit të grabitjeve dhe vjedhjeve të makinave këtë vit. Policia ka njoftuar për rrëmbimin e më shumë se 750 makinave dhje vjedhjen e më shumë se 6000 automjeteve në kryeqytetin amerikan.
Muajin e kaluar, tre sulmues të armatosur ndaluan makinën me të cilën udhëtonte ligjvënësi Henry Cuellar, i cili përfaqëson Teksasin në Kongresin amerikan, i vodhën makinën por nuk e dëmtuan atë fizikisht.
Krimet e dhunshme në Uashington kanë shënuar gjithashtu rritje këtë vit, me rreth 40% më shumë krahasuar me vitin e kaluar. Në muajin shkurt, ligjvënësja Angie Craig e cila përfaqëson Minesotën në Kongres, u sulmua në apartamentin e saj, duke pësuar mavijosje ndërsa u shpëtoi lëndimeve të rënda.