Ushtria izraelite vazhdon të godasë nga ajri qytetin e Gazës ndërsa forcat tokësore të saj u përballën me militantët e Hamasit pranë spitalit më të madh të rajonit, Al Shifa. Në një fjalim televiziv të shtunën, kryeministri Benjamin Netanyahu hodhi poshtë thirrjet ndërkombëtare për një armëpushim dhe tha se Izraeli do të luftojë me gjithë forcën kundër Hamasit.
Your browser doesn’t support HTML5
Banorët në Gazë njoftuan të dielën për sulme ajrore edhe në afërsi të spitalit më të madh të qyteti Al Shifa.
Izraeli thotë se grupi militant palestinez Hamas ka ndërtuar një komandë të saj brenda dhe nën hapësirën e spitalit, akuza që janë hedhur poshtë nga Hamasi dhe personeli mjekësor.
Megjithë thirrjet në rritje për armëpushim Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e bëri të qartë që vendi i tij, nuk do të pranonte një gjë të tillë pa u liruar të gjithë personat e marrë peng nga Hamasi gjatë sulmit të 7 tetorit.
“Ne nuk do të ndalemi derisa të përfundojë misioni. Lufta kundër Hamas-ISIS-it po përparon me shpejtësi të plotë dhe ka një qëllim, fitoren. Ne do të kontrollojmë sigurinë në Gazë, për të pasur aftësinë për të hyrë sa herë që duam për të eliminuar terroristët që mund të depërtojnë në shtetin e Izraelit”, tha kryeministri i Izraelit.
Ushtria izraelite publikoi një video që sipas saj tregonin operacionin e vazhdueshëm tokësor brenda Rripit të Gazës. Në pamje shfaqeshin tanke që qëllonin ndaj asaj që mendohet të jetë pjesë e infrastrukturës së Hamasit.
Brigada 551, një brigadë rezervë e ushtarëve komando dhe parashutistësh, tha se po kryenin një mision në zonën Beit Hanoun. Gjatë operacionit, ushtria izraelite tha se një numër armësh u gjetën në një kopsht fëmijësh, si dhe u shkatërruan “dhjetëra hyrje tunelesh”.
Në anën tjetër, krahu ushtarak i Hamasit publikoi një video që sipas tyre tregonte Brigadat Al-Qassam, duke sulmuar automjetet e ushtrisë izraelite brenda Gazës.
Reuters njoftoi se nuk ishte në gjendje të verifikonte pretendimet a snjërës palë.
Mes luftimesh që vazhdojnë mijëra njerëz vijuan edhe sot të larguan nga zona pranë spitalit kryesor të Gazës, Al-Shifa, drejt pjesës jugore të Gazës. Pamje filmike tregonin ndër të tjera palestinezë me karroca që mbanin kryesish të plagosur e të moshuar.
“Aktualisht spitali Al-Shifa nuk po funksionon, askush nuk lejohet të hyjë, apo të dalë, qofshin të plagosur”, thotë Mohamed Kandil, mjek në Gazë i cili thotë se për herë të fundit ka arritur të kontaktojë me personelin mjeksor të Al Shifas, të shtunën.
Ndërkaq zëdhënësi ushtarak izraelit, Daniel Hagari tha se ushtria do të ndihmojë për transferimin në një vend të sigurt të foshnjeve që ndodhen spital, duke iu përgjigjur kërkesës së përsonelit mjekësor për ndihmë.
Izraeli është zotuar t'i japë fund sundimit 16-vjeçar të Hamasit në Gazë dhe të shkatërrojë aftësitë e tij ushtarake, ndërsa fajëson militantët për dëmet dhe viktimizin e 2.3 milionë palestinezëve të bllokuar në territorin e rrethuar.
Izraeli thonë se deri më tani 41 ushtarë janë vrarë gjatë luftimeve me Hamasin, ndërsa rreth 1200 persona u vranë gjatë sulmit të 7 tetorit nga grupi militant.
Ndërsa të dhënat nga Gaza ofrohen vetëm nga Hamasi pa mundësi konfirmimi nga burime të pavarura. Sipas tyre deri tani janë vrarë rreth 11 mijë e 200 persona, por Hamasi nuk bën ndarje të shifrave mes shifra civilëve dhe militantëve të vrarë.