Shqipëri, ndërroi jetë në fushën e futbollit ganezi Raphael Dwamena, sulmuesi i Egnatias

Raphael Dwamena

Kapiteni i ekipit të futbollit Egnatia në Shqipëri, Raphael Dwamena, ndërroi jetë të shtunën në mesditë gjatë ndeshjes së kampionatit kombëtar ndaj ekipit të Partizanit.

Sulmuesi i Egnatias ra pa ndjenja në fushë gjatë pjesës së parë të lojës, dhe besohet nga mjekët si pasojë e një infakti kardiak, ndërsa u largua me autoambulancë nga stadiumi i Rrogozhinës.

Sulmuesi Dwamena u dërgua me urgjencë në spital, ku nuk mundi dot të mbijetojë.

Pak më pas u mësua lajmi tragjik se ai kishte mbërritur pa jetë në spitalin e Kavajës, ndërsa u nis në spitalin rajonal të Durrësit për të kryer ekspertizat mjeko-ligjore.

Federata Shqiptare e Futbollit ndërpreu ndeshjet e radhës dhe shprehu ngushëllimet për humbjen e sportistit të njohur, që luante prej disa vitesh në Shqipëri.

Federata e Futbollit të Ganës shprehur pikëllimin teksa dëgjoi për ndarjen nga jeta të ish-lojtarit të vet Raphael Dwamena, dhe shprehu ngushëllimet familjes së tij në këtë çast të vështirë”.

Presidenti i saj, Simeon Okraku u shpreh se Raphael i shërbeu mirë vendit të tij dhe tregoi klasin e tij teksa përfaqësonte Ganën.

“Ky është një lajm i rëndë për ne. Ngushëllimet tona shkojnë për familjen dhe Zoti i dhëntë prehje të qetë”, tha ai.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, shpehu dhimbjen e tij pas lajmit për humbjen tragjike të kapitenit të klubit Egnatia, Raphael Dwamena.

“Në këtë çast të vështirë shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për familjen, klubin Egnatia dhe tifozët rrogozhinas”, tha zoti Begaj.

Kolegët e skuadrës Egnatia shprehën dhimbjen e madhe të tyre, ndërsa u shprehën në rrjetet sociale: “U prehsh në paqe!”, apo “Ti do të jesh gjithmonë kapiteni ynë”.

Trajneri i ekipit përfaësues të Shqipërisë Sylvinho Mendes Campos Júnior, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, i shprehu ngushëllime familjes së lojtarit. “Prehu në paqe! Ngushëllime familjes dhe miqve”, shënoi kreu i kombëtares shqiptare.

Sulmuesi Dwamena ka luajtur vite më parë edhe për klube në Spanjë, Zvicër, Austri dhe Danimarkë, si edhe për përfaqësuesen vendit të tij Gana, ku në 8 ndeshje ka shënuar 2 gola.