Netanyahu hedh poshtë thirrjet për armëpushim, thotë se beteja e Izraelit kundër Hamasit, do të vazhdojë

Arkiv

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha të shtunën se ushtria e vendit të tij do të vazhdojë betejën kundër Hamasit në Gazë me "të gjithë forcën", duke refuzuar thirrjet në rritje ndërkombëtare për një armëpushim.

Në një fjalim televiziv, zoti Netanyahu tha se armëpushimi do të ishte i mundur vetëm nëse militantët në Gazë do të lironin të gjithë personat e marrë peng gjatë sulmit të përgjakshëm të 7 tetorit. Rreth 240 persona mendohet të jenë marrë peng nga grupi militant, atë ditë.

Udhëheqësi izraelit tha gjithashtu se pas luftës Gaza do të çmilitarizohet dhe se kontrollin e sigurisë në këtë rajon do ta kishte Izraeli.

Ndërkohë të shtunën trupat izraelite dhe militantët e Hamasit, u përfshinë në luftime jashtë spitalit më të madh të Gazës, Al Shifa.

Ditët e fundit, luftimet pranë këtij spitali dhe të tjera objekteve shëndetësore janë intensifikuar ndërsa ato përballen me mungesë të energjisë elektrike e furnizime të nevojshme.

Ushtria izraelite thotë se Hamasi ka fshehur armë në tunelet nën spitale dhe ka ngritur një qendër komandimi nën Al-Shifa, spitali më i madh i Gazës, çka përligj sipas zyrtarëve izraelitë, sulmet ndaj tyre.

Megjithatë Forcat e Mbrojtjes izraelite hodhën poshtë pretendimet se kishin goditur spitalin Al-Shifa të premten, duke akuzuar për këtë Hamasin. Sipas zyrtarëve izraelitë, militantët kishin lëshuar një raketë që kishte patur si objektiv trupat izraelite, por në fakt ajo kishte goditur sipas tyre, spitalin.

Personeli mjekësor në Al-Shifa akuzoi Izraelin se po godet civilët me sulme pa dallim.

Drejtori i spitalit Mohammed Abu Selmia tha se të shtunën se në spital ishte ndërprerë energjia elektrike.

Pajisjet mjekësore ndaluan së funksionuari. Pacientët, veçanërisht ata në kujdes intensiv, filluan të vdesin", tha ai gjatë një bisede telefonike ndërsa në sfond dëgjoheshin të shtëna e shpërthime. Ai tha se trupat izraelite po "qëllonin mbi këdo jashtë ose brenda spitalit".

Ushtria izraelite konfirmoi luftimet jashtë spitalit, por admirali Daniel Hagari hodhi poshtë pretendimet se spitali ndodhej nën rrethim. Ai tha se trupat do të ofrojnë ndihmë të dielën në lëvizjen e foshnjave që ndodhen në spital dhe se zyrtarët izraelitë po komunikojnë "drejtpërdrejt dhe rregullisht" me personelin e spitalit.

Të premten kreu i Shoqatës së Gjysmëhënës së Kuqe palestineze tha se në 24 orët e fundit janë goditur katër spitale në pjesën veriore të Rripit të Gazës. Ai akuzoi Izraelin se i ka goditur ato qëllimisht në një përpjekje për të detyruar civilët palestinezë të largohen nga Gaza.

Ndërkohë të shtunën udhëheqësit e vendeve arabe zhvilluan një takim të nivelit të lartë në Arabinë Saudite për të diskutuar mbi mundësitë për t'i dhënë fund luftës në Rripin e Gazë.

Arabia Saudite dhe vendet e tjera myslimane bënë thirrje për përfundimin e menjëhershëm të operacioneve ushtarake në Gazë, duke hedhur poshtë qëndrimet e Izraelit se veprimet ishin një akt vetëmbrojtjeje.

Pjesëmarrësit në takimin e nivelit të lartë që u mbajt në Riad, i kërkuan Gjykatës Ndërkombëtare Penale të hetojë ato që në komunikatën përfundimtare u quajtën "krime lufte dhe krime kundër njerëzimit që po kryen Izraeli" në territoret palestineze.

Në takim morën pjesë me dhjetra udhëheqës të vendeve arabe, përfshirë presidentin iranian Ebrahim Raisi, atë turk Tajip Erdogan, emirin e Katarit Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani dhe presidentin sirian Bashar al-Assad.

Të premten në një intervistë për BBC-në, presidenti francez Emmanuel Macron bëri thirrje për armëpushim. Ai tha se e njeh të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur, por shtoi se në Gazë po bombardohen civilë.

"Ka foshnja, ka gra, të moshuar që po bombardohen dhe vriten. Nuk ka asnjë arsye për këtë dhe nuk ka legjitimitet, ndaj ne i bëjmë thirrje Izraelit të ndalojë", tha ai.

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë tha se sistemi shëndetësor i Gazës "është në gjunjë" në kushtetet kur 18 nga 36 spitalet dhe dy të tretat e qendrave të saj shëndetësore parësore, nuk funksionojnë fare.

"Situata në terren është e pamundur të përshkruhet", tha Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Ai shtoi se çdo 10 minutë në Gazë humb jetën mesatarisht një fëmijë si dhe bëri apel për armëpushim.