Vendet e APEC-ut mund të përfitojnë nga tensionet SHBA-Kinë

APEC 2023 Made In America thumbnail

Shumë shtete anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC) mund të përfitojnë nga tensionet tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, pasi siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Jessica Stone, kompanitë amerikane po i zhvendosin fabrikat e tyre jashtë Kinës.

Your browser doesn’t support HTML5

Vendet e APEC-ut mund të përfitojnë nga tensionet SHBA-Kinë

Për dekada, Kina ka shërbyer si qendra e prodhimit të fabrikave të botës. Në vitin 2020, sasia e mallrave që prodhoheshin në fabrikat kineze ishte gati sa dyfishi i atyre që prodhoheshin në Shtetet e Bashkuara. Pagat e ulëta, një infrastrukturë e zhvilluar mirë dhe mbështetja e qeverisë kontribuuan në këtë arritje.

Ekspertja për çështjet e zinxhirit të furnizimit, Rosemary Coates thotë se drejtuesit e bizneseve tani nuk e shohin më Kinën si vend të mirë për vendosjen e fabrikave të prodhimit ... por si një rrezik. Ata, sipas zonjës Coates janë të gatshëm të paguajnë më shumë për ta shmangur Kinën.

“Drejtuesit me të cilët punoj nuk shikojnë më vetëm përfitimet, por vlerësojnë gjithashtu edhe rrezikun global dhe rrezikun gjeopolitik”, thotë zonja Coates.

Ajo thotë se ndërprerja e zinxhirëve të furnizimit për arsye të pandemisë së Covidit dhe mbylljes së plotë që u vendos nga Pekini, ka shtyrë disa drejtues firmash amerikane të ndryshojnë mënyrën se si e shohin prodhimin, duke zgjedhur të punojnë me vendet që kanë marrëdhënie të qëndrueshme me SHBA-në.

Kjo është një politikë që po zë rrënjë te disa prej 21 anëtarëve të APEC-ut.

Të dhënat e firmës Bloomberg tregojnë se prodhuesit amerikanë të veshjeve, të vetëdijshëm për koston, filluan të largohen nga Kina për në Vietnam, Bangladesh dhe Indonezi edhe përpara se të fillonin tensionet tregtare me Pekinin në vitin 2017. Në vitin 2022, administrata e Presidentit Biden ofroi 500 milionë dollarë për pesë vitet e ardhshme për të ndihmuar modernizimin dhe sigurimin e zinxhirëve të rinj të furnizimit me gjysmëpërçues.

“Kemi filluar të shohim ndikimin e kësaj nisme. Në të gjithë sektorët, nga pjesët e makinave deri tek elektronika, SHBA po importon më shumë nga partnerë si India, Vietnami, ose Meksika dhe është më pak e varur nga një vend i vetëm, si Kina”, thotë Janet Yellen, Sekretarja amerikane e Thesarit.

Muajin e kaluar, prodhuesi i gjysmëpërçuesve ‘Amkor Technology’ njoftoi për ndërtimin e një fabrike të re në Vietnam.

Firmat ‘Synopsys’ dhe ‘Marvell’ kanë ndërtuar qendra të reja të gjysmëpërçuesve po ashtu në Vietnam.

Firma ‘Nike’ tanimë ka zhvendosur prodhimin nga Kina në Azinë Juglindore, gjatë dekadës së fundit.

Matt Pottinger, zëvendës këshilltar për sigurinë kombëtare gjatë administratës së Presidentit Trump, thotë se kjo situatë është rezultat i investimeve amerikane në rajon prej dekadash.

“Investimet amerikane prej dekadash atje, kanë arritur sot në mbi një trilion dollarë”, thotë zoti Pottinger.

Analisti për tregtinë Steven Okun thotë se megjithatë jo të gjithë fqinjët e Kinës janë gati të mirëpresin kompanitë amerikane dhe fabrikat e tyre.

“Ju mund të dëshironi të krijoni alternativa ndaj Kinës duke dëshiruar që ta bëni zinxhirin e furnizimit më elastik, por nuk mund ta merrni të gjithë Kinën dhe ta vendosni në Vietnam, Indonezi e as në Indi. Nëse doni të arrini të krijoni një treg të shumëllojtë, ka kufizime të natyrshme se sa i mundshëm është ai”, thotë Drejtori i firmës konsulente ‘APAC Advisors’.

Ekspertët thonë se Kina ka shpenzuar vite duke ndërtuar infrastrukturën e saj, grupin e punës dhe rregulloret për t'u kthyer në fabrikën e botës dhe është ende vendi më i mirë për të prodhuar mallrat që janë për tregun kinez.