Komisioni Europian kërkon nga vendet anëtare hapjen e bisedimeve me Shqipërinë për grupkapitujt e parë, brenda fundit të këtij viti. Në Strategjinë e Zgjerimit të miratuar sot në Bruksel bëhet e ditur se raporti i vlerësimit i është dorëzuar Këshillit europian që në muajin korrik. Po sot u prezantua dhe raporti vjetor për ecurinë e Shqipërisë ku vlerësohet se vendi ka bërë përparime, porse nevojiten përpjekje të mëtejshme. Duke njohur zhvillimet pozitive, Komisioni vlerëson se lufta korrupsioni mbetet një shqetësim serioz në vend
Your browser doesn’t support HTML5
Kolegji i komisionerëve europianë ia dedikoi paraditen e sotme procesit të zgjerimit, me miratimin e tre dokumentave bazë, Strategjinë e zgjerimit, raportet e ecurisë për secilin vend aspirant, si dhe Planin e ri të rritjes për Ballkanin perëndimor.
Shqipëria e cila ka marrë dritën jeshile për nisjen e bisedimeve është në pritje të fillimit konkret me grupkapitujt e parë ku janë dhe çështjet më të rëndësishme, që nga demokracia, shteti ligjor, funksionimi i institucioneve demokratike, apo dhe prokurorimet publike. Ky grupkapitujsh është i pari që hapet, dhe i fundit që mbyllet.
Komisioni bëri të ditur se i ka dërguar Këshillit europian që në muajin korrik përfundimin e raportit analitik për këtë grupkapitujsh, ndërsa sot tha se “pret të lëvizë me shpejtësi dhe në mënyrë të vendosur për këtë raport, me synimin për hapjen e grupkapitujve të parë deri në fund të këtij viti”.
Kjo çështje do të jetë pjesë e mbledhjes së Këshillit europian në muajin dhjetor. Pavarësisht vlerësimit pozitiv nga ana e Komisionit, miratimi kërkon mbështetje unanime të 27 vendeve. Dhe Shqipëria rrezikon të mbetet peng e përplasjes më Greqinë për çështjen e kryetarit të zgjedhur të bashkisë së Himarës Fredi Beleri.
Athina ka paralajmëruar disa herë publikisht, për ndikimin e kësaj çështjeje në përparimin e vendit në procesin e anëtarësimit. Zëri i Amerikës ka mësuar se Greqia ka ngritur ndër të tjera pretendimin se Shqipëria nuk respekton të drejtat politike. Mbetet për të parë nëse ajo do të vijojë apo jo të këmbëngulë për këtë dhe në takimin e dhjetorit.
Komisioni europian ka vlerësuar ecurinë e Shqipërisë dhe në raportin e posaçëm vjetor për vendin, duke vënë theksin në fushat ku kërkohen ndërhyrje më të mëdha. Sipas dokumentit “pavarësisht disa përparimeve, lufta ndaj korrupsionit në Shqipëri, mbetet një shqetësim serioz. Niveli i përgatitjes së vendit vlerësohet nën mesataren. Korrupsioni konsiderohet “i përhapur në shumë fusha të jetës publike dhe të biznesit”, ndërkohë që “masat parandaluese vazhdojnë të kenë një ndikim të kufizuar, veçanërisht në sektorë të cenueshëm të cilët “kërkojnë vlerësime të synuara të rrezikut dhe veprime të përkushtuara”, thekson raporti. Duke vënë në dukje hetimet e Prokurorisë së Posaçme, për disa raste të nivelit të lartë, Komisioni thekson se “rritja e numrit të dënimeve përfundimtare në nivel të lartë mbetet një prioritet i rëndësishëm për të trajtuar më tej kulturën e pandëshkueshmërisë”.
Nën mesataren, verësohet niveli i përgatitjes së Shqipërisë dhe për luftën kundër krimit të organizuar, ku kërkohen “më shumë përpjekje në luftën kundër drogave të paligjshme, duke përfshirë edhe rritjen e kapaciteteve të autoriteteve të zbatimit të ligjit”. Shqipëria ka miratuar ligjin për prodhimin e kanabisit për qëllime mjekësore dhe industrial. Për këtë, asaj i kërkohet që “të sigurojë se ekzistojnë mekanizma për të parandaluar në mënyrë efektive devijimin e kanabisit për qëllime të ndryshme”.
Sipas raportit “progresi që është arritur me sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive të lidhura me krimin e organizuar duhet të vazhdojë”. Nga ana tjetër vlerësohet se “lufta kundër krimit kibernetik, pastrimi i parave dhe parandalimi dhe luftimi i trafikimit të qenieve njerëzore mbeten fusha në të cilat nevojiten rezultate shtesë. Të dhënat mbi rastet e pastrimit të parave dhe korrupsionit të nivelit të lartë mbeten të pamjaftueshme dhe hetimet financiare duhet të zhvillohen më tej”.
Me një nivel më të mirë përgatitjeje, i vlerësuar si “mesatar”, konsiderohet funksionimi i gjyqësorit. “Zbatimi i reformës në drejtësi vijoi, duke rezultuar në një përparim të mirë në përgjithësi. Efikasiteti i sistemit gjyqësor dhe qasja në drejtësi vazhdoi të ndikohet nga afati i gjatë i procedurave, ngarkesa e shtuar e punës dhe numri i madh i çështjeve të pazgjidhura, i cili mbetet veçanërisht i lartë në gjykatat e Apelit dhe të Shkallës së parë. Shqipëria duhet të sigurojë që procedurat penale të nisin sistematikisht kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve, procesi i verifikimit të të cilëve zbuloi element penalë”, vë në dukje raporti.
Lidhur me kriteret politike, raporti vlerëson se “situata vijon të shënjohet nga polarizimi politik, në sfondin e përçarjeve të thella të vazhdueshme brenda partisë më të madhe opozitare” dhe se “mbikëqyrja parlamentare e ekzekutivit mbeti e kufizuar”. Ndërsa sa i takon qeverisë, vihet në dukje se “ndërkohë që i vendos reformat në lidhje me BE-në në qendër të planifikimit të saj legjislativ dhe të politikave, qeveria duhet të përmbahet nga masat që nuk janë në përputhje me standardet e BE-së. Qeveria gjithashtu duhet të angazhohet në një komunikim më të fortë publik mbi procesin e anëtarësimit në BE”.
Sa i takon administratës publike “Shqipëria mbetet mesatarisht e përgatitur. Strategjitë e reja për reformën e administratës publike dhe reformën e menaxhimit të financave publike ende nuk janë përgatitur dhe miratuar”, thekson raporti. Ndërsa për të drejtat themelore, “përpjekjet për zbatimin e kornizës ligjore dhe të politikave duhet të intensifikohen”.
Raporti flet për një “përparim të kufizuar” në fushën e lirisë së shprehjes, ku vlerësohet se “Shqipëria ndodhet mes njëfarë niveli dhe një shkalle mesatare përgatitjeje”. Shqetësimet mbeten të njejta me të kaluarën, ndërsa theksohet se “ndërthurja e interesave të biznesit dhe politikës, mungesa e transparencës së burimeve të financimit, përqendrimi i pronësisë së medias, frikësimi dhe kushtet e pasigurta të punës vazhduan të pengojnë pavarësinë e medias, pluralizmin dhe cilësinë e gazetarisë. Atmosfera e sulmeve verbale dhe fizike, fushatave të shpifjeve dhe padive për frikësim ndaj gazetarëve nuk është përmirësuar”.