Ekspertë të çështjeve të sigurisë dhe veprimtarë të çështjeve të migracionit shprehën skepticizmin dhe paqartësitë e tyre mbi ligjshmërinë dhe zbatimin praktik të marrëveshjes mes Italisë dhe Shqipërisë për të mbajtur mijëra migrantë në territorin shqiptar, ndërkohë që shqyrtohen kërkesat e tyre për azil drejtuar autoriteteve italiane.
Your browser doesn’t support HTML5
Ata shprehin shqetësimin pse kjo marrëveshje nuk është diskutuar më parë me struktura të specializuara dhe theksuan se emigrantët e shpëtuar nga autoritetet italiane nuk mund të dërgohen në një vend tjetër.
Eksperti i çështjeve të sigurisë në Shqipëri, Drejtuesi i Qendrës për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes, Arjan Dyrmishi, thotë se mënyra e përgatitjes së marrëveshjes mes dy kryeministrave Rama e Meloni është e pazakontë krahasuar me procedurat e zakonshme të marrëveshje, që më parë diskutojnë ekspertët.
“Bëhet fjalë për numra të mëdhenj dhe është shumë e vështirë, që Shqipëria të japë ndihmesën e vet në raport me këta numra, por çështja është trajtimi afatgjatë i këtyre njerëzve, se çfarë juridiksioni do të zbatohet ndaj këtyre njerëzve, kur territori është shqiptar, por juridiksioni ëhstë Italian. Nuk dihet çfarë masa sigurie do të zbatohen në rastin kur shumë prej tyre nuk do të fitojnë azilin, kur kthimi në vendet e tyre është i vështirë. Atëherë vendeve u lind detyrimi për t’u kujdesur, dhe në 10 vitet e ardhshme ata do të akumulohen në Shqipëri”, thotë zoti Dyrmishi.
Lexoni edhe këtë Ekspertët: Marrëveshja e Italisë për strehimin e azilkërkuesve në Shqipëri tendence shqetësueseAi shprehu dyshimet që Shëngjini mund të shndërrohet pas pak kohe si Kale në Francë, dhe se grumbullimi i këtyre njerëzve në Shqipëri do të sjellë probleme me vendet fqinje si Mali i Zi dhe me vet Italinë.
“Këto njerëz do të përpunojë Italia në Shqipëri, por në çastin e një aksidenti të caktuar të këtyre marrëveshjeve, lidhur me zbatueshmërinë e këtyre marrëveshjeve, këta “emigrantë” do t’i ngelen Shqipërisë në derë. Shqipëria ose duhet t’i absorbojë ose duhet t’i trajtojë duke ia kthyer Italisë pas, ose nuk dihet se si ndryshe. Ka shumë pika të paqarta për atë se si do të operacionalizohet në mënyrë të sigurtë”, tha zoti Dyrmishi.
Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, nuk ishte e përfshirë në diskutimin për këtë marrëveshje. Përfaqësuesja e Agjencisë së Kombeve të Bashkuara UNHCR në Itali, Ciara Cardoleti, thotë se këto janë marrëveshje mes shteteve dhe ne nuk kemi detaje se çfarë propozojnë me këtë marrëveshje. Sipas saj, këto lloj marrëveshjesh mbi zhvendosjen e njerëzve në një vend të tretë të sigurtë, do të përbënin një ndarje të përgjegjësive, duke rritur përgjegjësinë për mbrojtjen në vend që ta zhvendosin përgjegjësinë në një vend tjetër.
Lexoni edhe këtë Italia do të ngrejë në Shqipëri dy qendra për pritjen e migrantëve
“Ne nuk kemi qenë palë e kësaj marrëveshjeje, ndaj nuk kemi qenë pjesë e bisedave rreth saj. Nuk kemi asnjë detaj për këtë marrëveshje. Gjithçka që dimë është çfarë kemi dëgjuar në media. Ajo që mund të themi janë qëndrimet e hershme të UNHCR-së në lidhje me organizimin e zhvendosjes së refugjatëve dhe azilkërkuesve në vende të treta të sigurta: Këto janë të lejueshme me kusht që të përmbushen disa kritere të dyanshme. Shtetet e përfshira në këto lloj marrëveshjesh të respektojnë plotësisht të drejtat e parashikuara në Konventën e vitit 1951 si dhe standardet e të drejtave të njeriut”, thotë përfaqësuesja e UNCHR-së në Itali.
Organizatat joqeveritare dhe veprimtarët e përfshirë në shpëtimin e emigrantëve në Mesdhe pohuan se qeveria italiane po përpiqet për të dërguar dhjetëra mijëra emigrantë të shpëtuar nga anijet italiane në një qendër në Shqipëri, duke i cilësuar këtë hap si një “deportim” dhe kundër ligjit ndërkombëtar.
“Kur njerëzit shpëtohen në det nga anijet italiane, Roja Bregdetare, Marina, Gardia di Finanza, ata janë teknikisht në territorin italian. Kur zbarkojnë në Shqipëri, tashmë flasim për një akt që bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare, por edhe me të drejtën europiane”, thotë ekspertja e cështjeve të emigracionit dhe përfaqësuese e organizatës Sea Watch, Giorgia Liardi.
Ajo shtoi se marrëveshja midis Italisë dhe Shqipërisë është shumë i ngjashëm me modelin britanik, që synohej të zbatohej në Ruandë, dhe këtij modeli iu referua Komisioni Europian kur sqaroi se kërkesat për azil nga pikëpamja normative evropiane konsiderohen të vlefshme kur ato janë depozituar në territorin e një shteti anëtar.
Sipas marrëveshjes, deri në 36 mijë emigrantë mund të dërgohen për përpunim në territorin shqiptar çdo vit nga Italia, ku mbërrijnë qindra mijëra emigrantë pasi kanë bërë udhëtime të rrezikshme detare nëpër Mesdhe nga Libia, Tunizia, Turqia dhe vende të tjera.
“Jemi jashtëzakonisht të shqetësuar, sepse njerëzit që do të shpëtohen nga këto anije ushtarake të çuar në qendrat në Shqipëri, rrezikojnë t'i nënshtrohen një deportimi, që rrezikon të shkelë ligjin ndërkombëtar. Mbi të gjitha cënon humanizmin e tyre. Njerëzit e shpëtuar me anije nga një vend, që më pas deportohen në një vend tjetër jashtë Bashkimit Europian dhe futen në këto qendrave, rrezikojnë t’iu shkatërrohet njerëzimi i tyre, dhe yni po ashtu”, thotë kapelani Mattia Ferrari, përfaqësues i organizatës për shpëtimin e jetëve në Mesdhe.
Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut Amnesty International deklaroi se “Individët e shpëtuar nga autoritetet italiane në det, përfshirë ata që kërkojnë siguri në Evropë, janë nën juridiksionin italian dhe nuk mund të dërgohen në një vend tjetër përpara se të shqyrtohen kërkesat e tyre për azil dhe rrethanat individuale”.
Komisioni Evropian tashmë e ka bërë të qartë se ligji i BE-së për azilin nuk mund të zbatohet jashtë kufijve të bllokut dhe ka kërkuar shpjegime mbi marrëveshjen e nënshkruar të hënën në Romë nga kryeministri shqiptar Edi Rama dhe kryeministrja italiane Xhorxhia Meloni.
Shqipëria ra dakord të hënën të mbajë përkohsisht disa prej mijëra emigrantëve që arrijnë në brigjet italiane ndërsa ofertat e tyre për azil janë duke u përpunuar, duke i ofruar fqinjit të saj përtej detit Adriatik një lehtësim në menaxhimin e disa prej mbërritjeve.