RIÇMOND, Virxhinia – Cikli i zgjedhjeve për legjislativin në Virxhinia, i ndjekur me vëmendje të lartë, përmbyllet sot ndërsa votuesit vendosin nëse do të fuqizojnë republikanët për të marrë kontrollin e plotë të qeverisjes, apo nëse do të lejojnë demokratët që të shërbejnë si një kundërpeshë ndaj Guvernatorit republikan Glenn Youngkin.
Rezultati në Virxhinia, një ndër vetëm katër shtetet që mbajnë zgjedhje për legjislativin këtë vit, do të studiohet me vëmendje mbarëkombëtare për sinjale të mundshme për rezultatin e zgjedhjeve presidenciale në vitin 2024.
Nga votimi do të vendoset për të 140 vendet në Asamblenë e Përgjithshme, ku aktualisht balanca e pushtetit është e ndarë. Zonat elektorale që pritet të përcaktojnë rezultatin janë në Hampton Roads, në zonat nënurbane të kryeqytetit Riçmond dhe në pjesët e Virxhinias veriore. Kandidatët u janë drejtuar votuesve me tematika si ekonomia, mjedisi, siguria publike dhe shkollat. Por, çështja më e nxehtë ka qenë ajo e abortit. Virxhinia është i vetmi shtet në jugun e Shteteve të Bashkuara ku nuk janë vendosur ende kufizime ndaj abortit, pasi Gjykata e Lartë vendosi të rrëzojë vendimin e vitit 1973, që u jepte grave të drejtën për abort në mbarë Shtetet e Bashkuara.
Këto “janë zgjedhjet më të rëndësishme në Amerikë pasi këto janë çështje që janë kaq të rëndësishme për virxhiniasit dhe që janë po ato që do të jenë të rëndësishme për amerikanët vitin tjetër”, tha Guvernatori Youngkin për emisionin “This Week” të kanalit televiziv ABC.
Të martën në mëngjes, zoti Youngkin u bëri thirrje votuesve për të shtrirë më tej “liçencën për të udhëhequr” të republikanëve.
“Më dërgoni një ekip që të punojë me mua në Riçmond dhe jo kundër meje, dhe ne do ta ngremë Virxhinian në lartësi të reja”, tha ai gjatë emisionit “Fox & Friends” të kanalit televiziv Fox News.
Kandidatët e të dyja partive u angazhuan deri në ditën e fundit përpara zgjedhjeve në tubime dhe aktivitete për të mobilizuar banorët që të marrin pjesë në votime.
Demokratët morën mbështetje nga mbarë vendi, si nga Guvernatori i Merilendit, Wes Moore, nga aktivisti për kontrollin ndaj armëve, David Hogg, i cili i ka mbijetuar një sulmi me armë me viktima në masë në një shkollë të mesme në Florida, si dhe nga ish-Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, që së bashku me drejtuesen e Senatit të Virxhinias, Louise Lucas, u shfaqën në aktivitetet në Virxhinian veriore.
Presidenti Joe Biden, i cili fitoi në Virxhinia në vitin 2020 me një diferencë prej 10%, si dhe bëri fushatë kundër zotit Youngkin në këtë shtet në vitin 2021, nuk u shfaq në person, por iu bashkua një mesazhi për mbledhje fondesh, si dhe ofroi mbështetjen e tij për kandidatë të ndryshëm demokratë.
Republikanët shpresojnë se kandidatët e tyre do të përfitojnë nga nivelet vazhdimisht të ulëta të mbështetjes në anketime për presidentin demokrat, nivele që janë edhe nën nivelin e mbështetjes për zotin Youngkin.
Guvernatori Youngkin kryesoi aktivitetet e fushatës elektorale të Partisë Republikane. Ai u shfaq me kandidatët në distrikte me konkurencë të lartë në mbarë shtetin Virxhinia, duke përdorur një turne me autobuzë për të nxitur iniciativën për votimin e hershëm, që synon të zhbëjë kështu vite të tëra mosbesimi nga Partia Republikane për këtë mënyrë votimi.
Disa nga personat që morën pjesë në votimin e hershëm thanë se ndër shqetësimet e tyre kryesore është aborti. Guvernatori Youngkin është zotuar të përpiqet sërish për të vendosur kufizime ndaj abortit pas javës së 15-të të shtatëzanisë, me përjashtime për rastet e përdhunimeve, inçestit, apo situatave kur jeta e nënës është në rrezik.
Republikanët përgjithësisht e shohin më të vështirë marrjen e shumicës në Senatin e Virxhinias, që aktualisht është me shumicë të ngushtë demokrate, se sa mbajtjen e Dhomës së Përfaqësuesve të Virxhinias, që është me shumicë të ngushtë republikane.
Ndër çështjet e tjera për të cilat mund të votohet në Virxhinia, janë zgjedhja e anëtarëve të bordeve të shkollave, zgjedhja e prokurorëve në mbarë shtetin, si dhe një referendum në Riçmond për të vendosur nëse duhet miratuar propozimi për çeljen e një kazinoje.
Në shtetin Virxhinia, qendrat e votimit qëndrojnë të hapura të martën nga ora 6 e mëngjesit deri në orën 7 të mbrëmjes, dhe ky shtet lejon regjistrimin brenda ditës të votuesve.