Konflikti Izrael-Hamas, shtohet antisemitizmi në SHBA

Prej 7 tetorit, pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit, gjatë të cilit u vranë 1400 civilë dhe pas përgjigjes së Izraelit në Rripin e Gazës, kur deri tani kanë humbur jetën mbi 10 mijë vetë, në Shtetet e Bashkuara është vënë re një shtim i ndjeshëm i gjuhës së urrejtjes dhe incidenteve antisemitike.

Sipas të dhënave paraprake të Lidhjes Anti-Shpifje, një organizatë joqeveritare hebreje, me seli në Nju Jork, incidentet antisemitike janë rritur me gati 400%. Drejtori i FBI-së Christopher Wray tha javën e kaluar, gjatë një seance dëgjimore në Senat, se antisemitizmi po arrin "nivele historike" në Shtetet e Bashkuara.

Një prej arsyeve sipas tij lidhet me faktin se "komuniteti hebre ka qenë dhe është në shënjestër të terroristëve të të gjithë spektrit", duke përfshirë ekstremistët e dhunshëm vendas si dhe organizatat terroriste të huaja.

Tensionet janë transferuar edhe në kampuset universitare, ku që prej fillimit të konfliktit midis Izraelit dhe Hamasit ka patur një shtim të incidenteve anti-semitike.

Zëri i Amerikës bisedoi me zotin Akri Çipa, Drejtor Ekzekutiv i Operacioneve të Përditshme të Kongresit Hebre Amerikan, një shoqatë që mbron interesat e këtij komuniteti, si brenda ashtu edhe jashtë Shteteve të Bashkuara.

Your browser doesn’t support HTML5

Konflikti Izrael - Hamas, shtohet antisemitizmi në SHBA

Zëri i Amerikës: Zoti Çipa cili është vlerësimi juaj mbi atë që po ndodh sot në Shtetet e Bashkuara?

Akri Çipa: Në fakt sikurse e thatë ju, është një shqetësim shumë i madh për komunitetin hebre për shkak se ngjarjet në Lindjen e Mesme kanë rezonuar përtej saj dhe prekin në mënyrë të drejtpërdrejtë rritjen intensive të këtyre sentimenteve antisemite, sentimentet kundra komunitetit hebre në shkallë globale, sikurse e theksoi e Dërguara e Posaçme e Shteteve të Bashkuara, zonja Deborah Lipstadt. Por, veçanërisht këtu në Shtetet e Bashkuara ku sigurisht është edhe komuniteti i dytë më i madh hebre pas Izraelit. Është një fenomen i cili nuk është i ri. Është më i vjetër se koha. Por në fakt përgjatë këtij muaji të fundit, që nga sulmi terrorist i 7 tetorit dhe përgjigja e Izraelit në Gazë është transformuar në tre elemente kryesore. Në radhë të parë në anti-semitizmin online, në platformat e ndryshme, tashmë jo vetëm ato ekstremiste të cilat përgjithësisht kanë qenë të njohura për këtë fenomen, por edhe në platformat mainstream tashmë, në Twitter, Tik-Tok, në Instagram, ka një rritje eksponenciale të komenteve antisemite, të teorive të konspiracionit antisemite dhe të gjithë atyre fushatave të dezinformimit që bazohen tek teori të mirëfillta antisemite. Ka një faktor të dytë dhe një shfaqje të dytë, e cila është shumë shqetësuese, që lidhet me kampuset universitare - ju e përmendët. Është në fakt një rritje e incidenteve të drejtpërdrejta, që lidhet sa me grupet aktiviste në kampus, por edhe me fakultetin, anëtarë të të cilëve shpeshherë e kalojnë kritikën normale ndaj Izraelit, ose politikave të Izraelit dhe shpeshherë bien subjekt i sulmeve të drejpërdrejta ndaj anëtarëve të kampusit dhe të trupës studentore, të cilët janë me origjinë hebraike. Fenomeni i tretë dhe normalisht edhe më shqetësuesi është edhe sulmet e drejtpërdrejta në shkallë më të gjerë kur kemi tashmë një rritje eksponenciale të këtyre sulmeve. E theksoi drejtuesi i Byrosë Federale të Hetimit, zoti Wray, por e theksoi edhe Sekretari i Sigurisë Kombëtare, zoti Mayorkas. Janë një sërë incidentesh të cilat janë të monitoruara nga forcat ligjzbatuese, por janë edhe një sërë incidentesh dhe kërcënimesh të cilat monitorohen vazhdimisht, edhe janë parandaluar, për shkak se ka një gërshetim të ndjenjës antisemite nga faktorët lokalë, por edhe një thirrje të faktorëve të huaj, shpeshherë të organizatave terroriste të huaja, si fjala vjen përtej Hamasit dhe Xhihadit Islamik, edhe al-Kaida ose ISIS për shembull, të cilët kanë bërë thirrje për sulme ndaj komunitetit hebre.

Zëri i Amerikës: Zoti Çipa, sa e vështirë është të trajtohet një situatë e tillë në këto momente kur opinioni publik dëgjon shifrat për një numër të lartë të civilëve të vrarë në Gazë, e ku emocionet e dhimbja, rrezikojnë të përdoren nga grupe që gjithmonë kanë qenë të interesuara, për ta shndërruar atë në urrejtje ndaj komunitetit hebre?

Akri Çipa: Është mjaft e vështirë për shkak se në fund të ditës bëhet fjalë për një problem që prek vetë strukturën dhe kohezionin social të Shteteve të Bashkuara. Në fakt nuk është vetëm rritja e sulmeve ndaj hebrenjve. Sigurisht shumica e sulmeve janë ndaj hebrenjve, por ka edhe rritje të islamofobisë, ka edhe rritje të sulmeve ndaj minoriteteve të tjera dhe të gjitha këto në fund të ditës janë një shqetësim i përgjithshëm, jo vetëm për komunitetet dhe minoritetet e ndryshme, por për popullsinë dhe shoqërinë më të gjerë amerikane.

Për sa i përket specifikisht sulmeve antisemite sigurisht që janë të ndërlidhura në mënyrë të drejtpërdrejtë, por edhe jo vetëm, me konfliktin në Lindjen e Mesme dhe për vetë natyrën e tyre mendoj se ka nevojë për një qasje më integrale nga administrata. Përgjithësisht deri më tani mesazhet kanë qenë pozitive, por sigurisht departamente të ndryshme, si fjala vjen Departamenti i Arsimit, kanë më shumë mundësi për të reflektuar, për të adresuar disa çështje si fjala vjen antisemitizmi në kampus.

Nga ana tjetër, Kongresi është një element kyç. Besoj se legjislativi ka ndërmarrë hapa substancialë deri më tani për të treguar qoftë qëndrimin ndaj këtij fenomeni, qoftë edhe për të ndërmarrë hapa proaktivë në mbrojtjen e anëtarëve të komunitetit hebre.

Ka një legjislacion, një kërkesë të paktën, nga administrata Biden për të rritur fondin e granteve për sigurinë për organizatat jo fitimprurëse, që prek jo vetëm organizatat dhe OJQ-të e drejtpërdrejta, por objektet e kultit, si ato të të gjitha minoriteteve të ndryshme. Një kërkesë nga administrata Biden për të rritur fondin me 200 milionë, në mënyrë që të adresohen në mënyrë të drejtpërdrejtë shqetësimet e sigurisë dhe të sigurohet një mbrojtje, një parandalim i sulmeve, i agresioneve të mundshme, të cilat janë evidente edhe nga raportimet e shumta nga forcat ligjzbatuese.

Zëri i Amerikës: Që nga sulmet e Hamasit më 7 tetor, Izraeli ka bombarduar në mënyrë të vazhdueshme Gazën duke vrarë me mijëra palestinezë dhe duke refuzuar thirrjet për armëpushim. Shumë vetë, ndonëse e pranojnë të drejtën e Izraelit për t’u vetëmbrojtur, mendojnë se Izraeli, duke synuar të shkatërrojë Hamasin, po bombardon, pa kursyer popullatën civile. Cili është mendimi juaj mbi këtë?

Akri Çipa: Për fat të keq, ka një humbje padyshim, të jetëve civile, që është brengosëse për të gjithë ata që e shikojnë me kujdes këtë situatë dhe të cilët janë të shqetësuar në fund të ditës, për mbrojtjen e jetës njerëzore.

Për fat të keq, është një situatë komplekse, e cila lidhet me dinamikat e zhvillimeve rajonale aty dhe një konflikt tashmë prej vitesh ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve, për të cilët nuk është herë e parë kjo. Ajo që ndryshon kësaj radhe dhe që mendoj se është e rëndësishme të theksohet, është që ka një diferencë mes palestinezëve, nuk duhet përfshirë dhe nuk duhet ngatërruar Hamasi, një organizatë e njohur si terroriste për Shtetet e Bashkuara, vende të Bashkimit Europian dhe për vetë Izraelin, dhe nuk duhet të gërshetohet kurrsesi me palestinezët në mënyrë më të gjerë, për shkak se në fund të ditës është e rëndësishme të ruhen mundësitë për të gjetur një paqe konstante, në përfundim të këtij konflikti aktual.

Përsa i përket qëndrimeve dhe veprimeve ushtarake të Izraelit në Gazë, janë komplekse dhe ka një koordinim me Shtetet e Bashkuara për të minimizuar sa më shumë të jetë e mundshme humbjet e jetëve njerëzore dhe për të garantuar deri diku asistencë humanitare për të adresuar këto problematika të cilat lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me një pjesë të popullsisë e cila është komplet e pafajshme dhe mbahet peng në fund të ditës nga kjo organizatë terroriste, si Hamasi.

Mendoj është e rëndësishme nga pikëpamja e Shteteve të Bashkuara dhe ka patur gjithashtu një punë të madhe diplomatike për të mbajtur të përmbyllur konfliktin, në mënyrë që aktorë të tjerë malinj rajonal si fjala vjen Irani, Hezbollahu në Liban, por edhe grupe të tjera militante, të mos përfshihen, që do të sillte në mënyrë të drejtpërdrejtë një zgjerim të konfliktit dhe një përshkallëzim të tij edhe me konotacion më të gjerë rajonal, dhe pse jo, edhe global.