Sipas ministrisë izraelite për çështjet e emigracionit, rreth 400 mijë persona që kanë mbërritur në vend gjatë 10 viteve të fundit klasifikohen si emigrantë të rinj, që mund të kenë nevojë për mbështetje nga agjencitë qeveritare. Ata gjenden tashmë në një situatë të vështirë për shkak të luftës Izrael-Hamas. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Natasha Mozgovaya, u takua në Jeruzalem me emigrantët e rinj nga Etiopia, të cilët për shkak luftimeve u evakuuan nga qyteti izraelit Sderot.
Your browser doesn’t support HTML5
Shpërthimet janë të zakonshme gjatë mbrëmjeve në qytetin izraelit Sderot, rreth 3 kilometra nga Gaza. Raketat e Hamasit vazhdojnë të godasin lagjet e qytetit. Në këtë qytet gjenden rreth 30 mijë emigrantë të rinj, të mbiquajtur në hebraisht “olim”, të cilëve gjatë javëve të luftës mes Hamasit dhe Izraelit, së bashku me banorët e tjerë, iu desh të evakuoheshin nga shtëpitë e tyre. Shtatëdhjetë etiopianë me origjinë hebreje u larguan nga qendra ku qeveria izraelite ofron strehim të përkohshëm për emigrantët.
Masafent Mukatu Baralu, i ardhur nga qyteti etiopian Gondar, kujton sulmin që bëri Hamasi në 7 tetor.
“Jemi mësuar me shpërthimet e raketave dhe nuk shqetësohemi. Thjesht futemi në vendstrehim. Por, këtë radhë pati terroristë nëpër rrugë, poshtë banesës sonë. Ishin të armatosur dhe të veshur me rroba kamuflazhi, dhe disa njerëz u vranë pasi menduan se ishin nga policia apo ushtria izraelite. Iu afruan dhe ata i vranë”, tregon zoti Baralu.
Masersha Yerdaw thotë se është mirënjohëse për mbështetjen që emigrantët e evakuar marrin në Jeruzalem, por se është e vështirë të qëndrojë larg shtëpisë dhe me pasigurinë se kur do të mund t’i rikthehet një jete normale.
“Zgjohesh në mëngjes dhe nuk ke asgjë për të bërë. Është e vështirë. Për fëmijët të paktën u gjet një zgjidhje – ngrihen në mëngjes dhe shkojnë të mësojnë”, thotë zonja Yerdaw.
Emigrantët ja kanë shprehur shqetësimin e tyre qeverisë izraelite.
“Thonë se do të vazhdojë për shumë muaj. Duhet bërë diçka. Duhet të na e japin mundësinë të punojmë”, thotë ajo.
Avichai Kahana, drejtor për emigracionin mbikëqyr përpjekjet për t’u siguruar që emigrantët e evakuar të vazhdojnë të marrin shërbimet bazë, si dhe të ndjekin studimet hebraike dhe të marrin ndihmën e psikologëve.
“Emigrantët e rinj janë ndoshta më të përhumbur se të gjithë të tjerët, pasi kanë vështirësi gjuhësore, kanë problemet e tyre dhe nuk patën kohë as të mësonin se si thuhet në hebraisht fjala “alarm”, apo se cilat janë njësitë mbrojtëse që duhet të ofrojnë mbrojtjen e tyre”, thotë ai.
Zoti Kahana thotë se Izraeli po përballet edhe me një valë të re emigrantësh nga Ukraina, Rusia dhe Bjellorusia.
“Duhet të kuptojmë se vetëm gjatë vitit të fundit kemi në Izrael mbi 100 mijë emigrantë të rinj nga Rusia, Ukraina që u evakuan për shkak të luftës atje. Ata janë shpesh të traumatizuar nga situatat në Rusi apo në Ukrainë. Dhe tani gjenden në të njëjtën situatë këtu në Izrael”, thotë ai.
Megjithë luftën, zyrtarët thonë se emigrantë të rinj vazhdojnë të vijnë në Izrael.
“Është bërë më i komplikuar sigurimi i biletave të udhëtimit me avion. Por kur mundemi, vazhdojmë me fluturime për emigrantët. Vetëm javën e kaluar pati mbërritje të emigrantëve nga Franca, për shembull, me një fluturim të drejtpërdrejtë. Para një jave pati të tjerë që erdhën nga Shtetet e Bashkuara... Nuk është situata e parë e emergjencës që kemi përjetuar, por është megjithatë një emergjencë e pazakontë. Nuk kemi përjetuar ndonjëherë një sulm të tillë, masakra të tilla masive ndaj civilëve... Kemi sidoqoftë procedura për emergjencat, pasi fatkeqësisht Hamasi ka goditur me raketa civilët izraelitë prej vitesh dhe vitesh të tëra”, thotë Igor Palmor, drejtues për marrëdhënien ndërkombëtare në Agjencinë Hebraike.
Qeveria izraelite po përgatit popullsinë për mundësinë e një konflikti të zgjatur. Ndërkohë, shumë nga emigrantët kanë nevojë për mbështetje, por shumë prej tyre duan edhe të punojnë vullnetarisht për të ndihmuar në këtë periudhë lufte.