Disa qeveri të vendeve të Amerikës Jugore kanë filluar të ndërmarrin disa hapa, të lidhura me shqetësimin e tyre për viktimat civile palestineze në konfliktin mes Izraelit dhe Hamasit. Për herë të dytë në më pak se 20 vjet, Bolivia i ndërpreu marrëdhëniet me Izraelin, ndërsa Kolumbia dhe Kili tërhoqën ambasadorët e tyre nga Izraeli. Shumë vende të tjera të rajonit po bëjnë thirrje për një armëpushim.
Your browser doesn’t support HTML5
Ndërsa konflikti Izrael-Hamas vazhdon, tre vende të Amerikës Jugore janë shumë të shqetësuara rreth pasojave të luftës mbi civilët palestinezë.
Bolivia njoftoi ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin, duke e akuzuar ushtrinë izraelite për kryerje të krimeve kundër njerëzimit në sulmet ndaj Rripit të Gazës. Zëvendësministri i jashtëm i Bolivisë, Freddy Mamani shpjegoi qëndrimin e vendit të tij gjatë një konference shtypi më 31 tetor.
“Kemi vendosur të ndërpresim marrëdhëniet diplomatike me shtetin e Izraelit, si një mënyrë për të dënuar ofensivën agresive dhe jo proporcionale të ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës. Ky konflikt po kërcënon paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”, tha ai.
Gjatë konferencës për shtyp, Ministrja e Jashtme në detyrë Maria Nela Prada theksoi se Presidenti i vendit Luis Arce ishte takuar me ambasadorin palestinez në Bolivi dhe kishte shprehur solidaritetin me vuajtjet e palestinezëve.
Kjo është hera e dytë që Bolivia i ndërpret marrëdhëniet diplomatike me Izraelin. Ish-presidenti Evo Morales bëri një veprim të ngjashëm në vitin 2009 për të protestuar sulmet izraelite në Rripin e Gazës. Marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve u rivendosën në vitin 2020.
Ndërkohë, Kili dhe Kolumbia kanë thirrur ambasadorët e tyre nga Izraeli për konsultime mbi zhvillimet atje. Presidentët e këtyre dy vendeve i kanë diskutuar shqetësimet e tyre për gjendjen në Rripin e Gazës me Presidentin amerikan Joe Biden gjatë takimit të Partneritetit të vendeve të Amerikës Jugore, të Mesme dhe atyre Veriore për Begati Ekonomike, të premten në Uashington.
Pas takimit me Presidentin Biden në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti i Kilit Gabriel Boric dënoi operacionet ushtarake izraelite në Rripin e Gazës, që kanë shkaktuar viktima në mesin e civilëve.
“Ka patur më shumë se 8000 të vrarë që nga fillimi i sulmeve të Izraelit në Rripin e Gazës. Mund ta themi pa asnjë dyshim se përgjigja izraelite ka qenë joproporcionale dhe ka shkelur ligjin ndërkombëtar humanitar. Ajo që po ndodh në Rripin e Gazës është thjesht e papranueshme. Dua të jem i qartë se, si President i Kilit, i dënoj fuqishëm dhe në mënyrë kategorike sulmet terroriste të Hamasit. Në bëjmë thirrje për lirimin e pengjeve. Por, ne nuk pranojmë t’i nënshtrohemi trysnisë për të mbështetur njërën ose tjetrën palë në konflikt. Ne zgjedhim atë që është njerëzore”, tha Presidenti i Kilit.
Presidenti i Kolumbisë Gustavo Petro theksoi se vrasja e njerëzve si një mënyrë e luftimit të terrorizmit “gjithmonë dështon”.
“Ia thashë Presidentit Biden se masakra në Palestinë nuk mund të lejohet të vazhdojë. Shkelja e ligjit ndërkombëtar që po shohim sot prodhon më shumë dhunë, më shumë barbarizëm dhe shkatërrim të demokracisë”, tha ai.
Analisti politik Manuel Rayran beson se vende të tjera mund të ndërmarrin veprime kundër Izraelit, të ngjashme me ato të Bolivisë, Kilit dhe Kolumbisë.
“Me këto veprime, vendet e Amerikës së Jugut po krijojnë një shembull për veprimet që vendet e tjera mund të ndërmarrin”, thotë ai. ‘
Argjentina dhe Peruja kanë dënuar sulmet në Rripin e Gazës, ndërsa Meksika dhe Brazili kanë bërë thirrje për armëpushim.
Në përgjigje të tërheqjes së ambasadorëve, Izraeli i bëri thirrje Kolumbisë dhe Kilit që “të dënojnë në mënyrë më të drejtpërdrejtë organizatën terroriste të Hamasit”.
Përmes një deklarate ministria e jashtme e Izraelit i bëri thirrje dy vendeve që të “mbështesin të drejtën e një vendi demokratik për të mbrojtur qytetarët e tij, të bëjnë thirrje për lirimin e menjëhershëm të pengjeve dhe mos të mbajnë qëndrime në një linjë me Venezuelën dhe Iranin në mbështetje të terrorizmit të Hamasit”.