Organizatat myslimane amerikane thonë se përpjekjet e administratës Biden për të luftuar islamofobinë në rritje në Shtetet e Bashkuara duhet të shoqërohen paralelisht me ato për mbrojtjen e civilëve në Rripin e Gazës nga sulmet hakmarrëse të Izraelit kundër Hamasit, që kanë vrarë mijëra palestinezë.
Your browser doesn’t support HTML5
Incidentet e islamofobisë janë në rritje pas sulmit të Hamasit në Izrael më 7 tetor, duke përfshirë vrasjen e një djali palestinezo-amerikan muajin e kaluar, që dyshohet se ishte një krim urrejtjeje.
“Një burrë 71-vjeçar goditi 26 herë me thikë një fëmijë 6-vjeçar”, thotë Mahmoud Yousef, xhaxhai i babait të palestinezo-amerikanit Wadea Al-Fayoume, i cili u vra me thikë.
Ndërsa lufta në Rripin e Gazës po intensifikohet, islamofobia dhe antisemitizmi në Shtetet e Bashkuara po shënojnë rritje.
Administrata e Presidentit Biden publikoi në muajin maj strategjinë kombëtare për të luftuar antisemitizmin.
Ajo thotë se ka punuar prej kohësh edhe për një strategji për të luftuar islamofobinë.
“Kjo administratë ka ndërmarrë veprime kundër islamofobisë jo vetëm dy javët e fundit, apo dy muajt e fundit, por e ka nisur këtë proces që në dhjetor të vitit të kaluar”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre.
“Është e rëndësishme që Shtëpia e Bardhë të hartojë një plan për të luftuar islamofobinë. Por ky plan duhet të fillojë, para së gjithash, me thirrjet për t'i dhënë fund bombardimeve të Izraelit në Rripin e Gazës. Kjo dhunë në Gazë është ajo që po nxit trazira dhe fanatizëm në mbarë botën, duke përfshirë incedentet ndaj myslimanëve palestinezo-amerikanë”, thotë zëvendës drejtori ekzekutiv i Këshillit për Marrëdhëniet Amerikano-Islamike, Edward Ahmed Mitchell.
Shtëpia e Bardhë mohon se njoftimi i nismës kundër islamofobisë është bërë për të qetësuar myslimanët e zemëruar nga mbështetja e palëkundur e Presidentit Joe Biden për Izraelin.
"Kjo strategji ka lindur nga një dëshirë e sinqertë për të luftuar këtë lloj urrejtje në Amerikë, që mund të çojë në kërcënime reale të dhunës kundër njerëzve", thotë John Kirby, zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Disa myslimanë kanë theksuar se nuk do ta mbështesin zotin Biden në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.
“Ju mbështesni luftën dhe për këtë arsye ne do tërheqim mbështetjen tonë për ju. Ne mbështesim fëmijët e Gazës. Braktisni zotin Biden”, thotë Jaylani Hussein, udhëheqës i Komunitetit Mysliman në Amerikë.
Shumë grupe myslimane besojnë se Presidenti Biden dhe Partia Demokrate e kanë marrë votën e tyre si të mirëqenë.
“Ka mënyra të ndryshme se si mund ta trajtojmë këtë problem. Por mbështetja për zotin Trump, për shembull, nuk është përgjigja ndaj kësaj çështjeje ”, thotë Salam Al-Marayati nga Këshilli i Çështjeve Publike Myslimane.
Ish-presidenti Trump, kandidati që gëzon mbështetjen më të madhe mes republikanëve, tha muajin e kaluar se nëse rizgjidhet, ai do të dërgojë policë në tubimet pro-palestineze për të arrestuar dhe dëbuar emigrantët që mbështesin publikisht Hamasin dhe do të rikthente në fuqi ndalimin e hyrjes në Amerikë të shtetasve nga "vendet ku mbizotëron terrori".