UASHINGTON – Shtetet e Bashkuara i vendosën të enjten sanksione të reja Moskës për luftën në Ukrainë. Sanksionet kanë në objektiv ndër të tjera kapacitet e ardhshme energjetike të Rusisë, u kundërvihen përpjekjeve për shmangien e sanksioneve ekzistuese, si dhe ndaj një lloji të caktuar dronësh që janë të rrezikshëm për forcat ukrainase. Sanksionet iu vendosën qindra personave dhe entiteteve.
Masat më të fundit kanë në objektiv një entitet kryesor që është i përfshirë në hartimin, operacionet dhe pronësinë e një projekti masiv në Siberi, të njohur si Arctic-2 LNG, thuhet në një deklaratë të Departamentit amerikan të Shtetit. Ky projekt pritet të transportojë drejt tregjeve globale gaz natyror të lëngshëm.
Uashingtoni mori masa edhe në lidhje me dronët kamikazë të tipit “KUB-BLA” dhe “Lancet”, që po përdoren nga ushtria ruse në Ukrainë, duke i vendosur sanksione rrjetit që furnizon pjesët për prodhimin e tyre, si dhe kompanisë që i projekton dhe i prodhon këta dronë.
Departamenti Amerikan i Tregtisë shtoi të enjten 13 entitete në Rusi dhe Uzbekistan në listën e kontrollit të eksporteve për veprimtari në kundërshtim me sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara ose interesat e politikës së jashtme.
Shtetet e Bashkuara gjithashtu goditën përpjekjet për shmangie të sanksioneve në Emiratet e Bashkuara Arabe, Turqi dhe Kinë, pasi Departamenti i Thesarit tha se kompanitë me bazë në këto vende vazhdojnë të dërgojnë mallra me përdorim të dyfishtë në Rusi, përfshirë komponentët që i duhen Moskës për sistemet e saj të armëve.
Departamenti amerikan i Thesarit vendosi gjithashtu sanksione ndaj shtatë bankave me bazë në Rusi dhe dhjetëra firmave industriale, përfshirë Gazpromneft Catalytic Systems LLC, për të cilën Departamenti i Thesarit tha se prodhon agjentë kimikë për rafinimin e avancuar të naftës në Rusi.
Kremlini tha të enjten përpara aksionit se priste që Perëndimi të vendoste sanksione gjithnjë e më të ashpra ndaj tij për shkak të luftës, por se ekziston një ndjesi në rritje se ndëshkime të tilla dëmtojnë interesat perëndimore, ndërkohë që vetë ekonomia ruse po përshtatet.
Me sanksionet ndaj kompanisë me përgjegjësi të kufizuar Arctic LNG 2, së bashku me masat e mëparshme të vendosura për projektin në shtator, Shtetet e Bashkuara vendosën në objektiv prodhimin e ardhshëm të energjisë të Rusisë, e ngjashme me mënyrën se mori masa ndaj nxjerrjes së saj të ardhshme të naftës nga deti, pas sulmi në Krime nga Moska në vitin 2014. Të gjitha këto projekte të vështira për t'u realizuar varen nga teknologjia perëndimore.
Shtetet e Bashkuara, prodhues i madh i gazit natyror të lëngshëm që eksportohet në Evropë, po përpiqet gjithashtu të reduktojë dërgesat e gazit të lëngshëm natyror të Rusisë në Evropë, e cila ka ndaluar vetëm gazin rus që dërgohet përmes tubacioneve.
Arctic LNG 2 pritej të fillonte eksportin së shpejti dhe nuk është e sigurtë se sa gaz i lëngshëm rus do të bllokohej nga masat e reja. Prodhuesi më i madh rus i gazit të lëngshëm, Novatek NVTK.MM, tha në shtator se do të fillonte dërgesat nga projekti Arktik LNG 2 në fillim të vitit të ardhshëm.
Veprimi i së enjtes shënon masat e para që ka marrë Uashingtoni duke synuar drejtpërdrejt dronin Lancet, që ka qenë një kërcënim në rritje në vijat e frontit të Ukrainës, sipas ushtarëve ukrainas.
Uashingtoni vendosi në objektiv kompaninë me përgjegjësi të kufizuar ZALA Aero, me seli në Rusi dhe për të cilën Departamenti i Shtetit tha se projekton, prodhon dhe shet municione dhe drone kamikaze për Ministrinë Ruse të Mbrojtjes, si dhe kompaninë A Level Aerosystems CST, me seli në Rusi që prodhon dhe shet dronë nën markën ZALA.
Pronari i kompanive, Aleksandr Zakharov, u vendos gjithashtu nën sanksione, si dhe gruaja, vajza dhe djemtë e tij dhe kompanitë që ata zotërojnë. Departamenti i Shtetit tha se zoti Zakharov është krijuesi dhe projektuesi i dronëve.
Uashingtoni ka rritur presionin diplomatik mbi vendet dhe kompanitë private në mbarë globin për të siguruar zbatimin e morisë së sanksioneve që ka vendosur ndaj Moskës për sulmin e saj ushtarak në Ukrainë.
Mes entiteteve që u sanksionuan të enjten ishin firma në Turqi dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, përfshirë kompani që dërguan mallra me prioritet të lartë në Rusi dhe firma që kanë dërguar pjesë dhe pajisje të aviacionit.
U vendosën gjithashtu nën sanksione tre entitete kineze –për dy nga të cilat Departamenti i Thesarit tha se kanë bërë qindra dërgesa me pajisje optike elektronike, kamera dhe sende të tjera, dhe një që ka dërguar komponentë radarësh tek firmat me seli në Rusi.
Departamenti i Shtetit vendosi gjithashtu sanksione ndaj shumë subjekteve të lidhura me mbrojtjen dhe ndaj kompanive të prokurimit në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ndër të sanksionuarit janë edhe kompani ndërtimi, zyrtarë rusë dhe një kompani e metaleve dhe minierave që zbatojnë një projekt për ngritjen e depozitës më të madhe në botë të titaniumit, të vendosur në Rusi.