Putini pritet të rikandidojë; Por nëse jo, kush do ta zëvendësonte?

Vladimir Putini nuk është më ai i pari. Ka kaluar tashmë mbi një dekadë që kur presidenti rus shfaqej publikisht për të demonstruar gjallërinë e tij, duke përqafuar një ari polar, apo duke kalëruar pa bluzë nëpër male. Imazhin e burrit të fortë e ka dëmtuar më tej edhe lufta në Ukrainë.

Mendohet se zoti Putin do të kërkojë një tjetër mandat, kur Rusia të mbajë zgjedhjet presidenciale në muajin mars. Ai madje ka mundësuar ndryshime në kushtetutë që i lejojnë të kandidojë edhe për dy mandate të tjera gjashtëvjeçare.

Por, mosha 71-vjeçare është një moshë kur sëmundja serioze apo vdekja nuk tingëllojnë më aq të largëta për njeriun që ka qeverisur Rusinë për 24 vite. Nëse për ndonjë arsye zoti Putin nuk do të figuronte më si kandidat në fletëvotime, nuk është e qartë se kush do ta zëvendësonte.

Presidenti rus gjatë një pushimi në Siberi në vitin 2018

Në nivel kombëtar, sistemi politik i Rusisë është hermetik. Nuk ka zgjedhje paraprake, ku votuesit mund të përzgjedhin një kandidat; partitë politike i përzgjedhin vetë konkurrentët dhe në vazhdim ia paraqesin elektoratit.

Në mungesë të zotit Putin, Partia “Rusia e Bashkuar” mund të paraqiste një kandidat tjetër, por nuk ekziston një procedurë e qartë për ta përzgjedhur atë. Zyrtarisht, zoti Putin kandidoi në vitin 2018 si i pavarur, duke krijuar kështu një precedent që e shton pasigurinë se në ç’mënyrë do të mund të bëhej zëvendësimi i tij.

Sido që të zhvillohen gjërat, kandidati do të shfaqej pothuajse me siguri nga struktura e tanishme e pushtetit, pasi asnjë nga kandidatët nga partitë e tjera më të vogla nuk do të fitonte njohje apo mbështetje të gjerë.

Por, kush do të ishin pretendentët e mundshëm, nëse zoti Putin nuk do të kandidonte?

DMITRY MEDVEDEV

Zoti Medvedev ka një eksperiencë unikale si zëvendësues i zotit Putin. Ai u bë president në vitin 2008 kur zoti Putin nuk mundej të rikandidonte për shkak të kufizimeve për një tjetër mandat. Megjithë postin e lartë, ai perceptohej gjerësisht si i dyti pas zotit Putin, që u bë kryeministër dhe vazhdoi praktikisht ta drejtonte vendin.

Zoti Medvedev iu nënshtrua dëshirës së zotit Putin për një mandat të ri në vitin 2012, duke shërbyer si kryeministër deri në vitin 2020. Ai u emërua më pas në postin e ri të zëvendës kryetarit të këshillit të sigurisë kombëtare.

Dmitry Medvedev

Megjithëse posti ka pak dukshmëri dhe shihet gjerësisht si një privilegj, statura e zotit Medvedev u rrit shumë vitin e kaluar, kur ai hoqi dorë nga personaliteti i tij normalisht i butë dhe u bë një nga mbrojtësit më të apasionuar të luftës në Ukrainë, duke sulmuar me gjallëri Perëndimin.

Ky lloj qëndrimi mirëpritet nga nacionalistët rusë, por kandidimi i zotit Medvedev mund të dëmtohej nga perceptimi se e teproi me mirëpritjen kur ishte president të iniciativës së administratës së ish-Presidentit Obama për një “fillim të ri” të marrëdhënies, si dhe nga ekspozimi në publik i akuzave ndaj tij për korrupsion dhe një stil luksoz jetese.

ALEXEI DYUMIN

Si guvernator i rajonit Tula, Dyumin nuk ka dukshmëri publike të madhe, por ai është konsideruar prej vitesh si pasardhës i mundshëm i zotit Putin për shkak të marrëdhënies së ngushtë me presidentin, të cilit i ka shërbyer madje edhe si truprojë.

Zoti Dyumin ra në sy të publikut kur bëri pretendimin dramatik se pati shpëtuar njëherë zotin Putin nga një ari. Sipas rrëfimit të zotit Dyumin, ai gjendej në një vilë në mal, ku zoti Putin po flinte, kur u informua se tek dera gjendej një ari.

Alexei Dyumin

“Ariu dhe unë u pamë sy më sy. Ai u zmbraps pak, unë hapa derën dhe zbraza tek këmbët e tij të gjithë karikatorin e pistoletës”, tha ai.

Zoti Dyumin drejtonte forcat speciale të agjencisë së zbulimit të ushtrisë, gjatë aneksimit nga Rusia të Krimesë në vitin 2014, duke fituar kështu një hije trimërie dhe suksesi në lidhje me Ukrainën, në dallim nga vështirësitë dhe dështimet e luftës së tanishme.

SERGEI SOBYANIN

Nëse ana vizuale do të kishte rëndësi në zgjedhjet presidenciale ruse, zoti Sobyanin mund të kishte kredencialet më të forta se të gjithë të tjerët. Gjatë drejtimit të tij si kryebashkiak i Moskës që nga viti 2010, kryeqyteti rus ka kaluar ndryshime të dukshme dhe mbresëlënëse.

Kanë lulëzuar zonat e reja çlodhëse, zonat për këmbësorët, objektet sportive dhe të tjera. Autobuzët elektrikë zëvendësuan tramët e vjetër, linjat e reja për transportin hekurudhor të pasagjerëve ulën trafikun e rënduar dhe parqet dikur të shkatërruara u risistemuan dhe u përmirësuan.

Sergei Sobyanin

Zoti Sobyanin ofendoi liberalët pro-perëndimorë duke ndaluar paradat në qytet të komunitetit LGBTQ+, por sidoqoftë toleranca ndaj të drejtave të homoseksualëve nuk ofron pozita fitimtari në Rusi. Zoti Sobyanin gjithashtu ka shmangur tendencën përçarëse dhe deklamative të pararendësit të tij, Yuri Luzhkovit.

MIKHAIL MISHUSTIN

Kryeministër i Rusisë nga viti 2020, zoti Mishustin nuk ka ngjallur entuziazëm dhe ka rënë pak në sy. Por, ai ka një avantazh të mundshëm domethënës: nëse zoti Putin do të vdiste, apo do të gjendej i pamundur për të përmbushur detyrën e tij përpara se të mbaheshin zgjedhjet, atëherë zoti Mishustin do të bëhej president në detyrë. Këtë mënyrë ndoqi zoti Putin kur u bë president në detyrë pas dorëheqjes së Boris Jelcinit në mbrëmjen e vitit të ri 1999, duke e shfrytëzuar në vazhdim këtë detyrë për të fituar zgjedhjet.

Mikhail Mishustin

Megjithatë, zoti Mishustin nuk duket se ka një ambicie të tillë. Ai është një teknokrat i qetë, që konsiderohej shumë i aftë në postin e tij të mëparshëm në krye të tatimeve. Si kryeministër, ai ka marrë nivel mbështetjeje popullore prej 70% në anketime, për drejtimin që i ka bërë administratës dhe ministrive.

Megjithëse shumë vëzhgues mendojnë se ai u kap në befasi nga vendimi i zotit Putin për të pushtuar Ukrainën, zoti Mishustin ka vazhduar me qetësi përmbushjen e funksioneve të tij.

NIKOLAI PATRUSHEV

Ngjashmëritë mes zotit Putin dhe zotit Patrushev janë të pazakonta. Të dy kanë lindur në Leningrad, me një diferencë prej 10 muajsh, dhe zoti Patrushev u bë drejtues i Shërbimit Federal të Sigurisë, agjencisë kryesore që pasoi KGB-në, në vitin 1999 kur zoti Putin u bë kryeministër. Tashmë në krye të këshillit kombëtar të sigurisë, ai përsërit dhe nganjëherë përforcon pikëpamjet e forta të zotit Putin dhe armiqësinë ndaj Perëndimit.

Nikolai Patrushev

Zoti Patrushev ngriti fillimisht dyshime për njohjen e pavarësisë së drejtuesve rebelë në rajonet separatiste të Ukrainës, në Donetsk dhe Luhansk, vetëm pak ditë përpara sulmit të forcave ruse. Sidoqoftë, ai më vonë u bë një mbështetës i fortë i luftës, duke thënë se Rusia duhet të eliminonte “neo-nazistët” në pragun e shtëpisë, siç tha ai, dhe duke pretenduar se Ukraina dhe orientimi i saj perëndimor ishin një rrezik i qartë për sigurinë.

Ai gjithashtu ka denoncuar futjen tinzare, siç i ka quajtur, të ideve neo-liberale perëndimore në Rusi dhe ka mbrojtur ruajtjen e traditave të vendit, një qëndrim filozofik identik me atë të zotit Putin.