Në ditët pas masakrës së qindra izraelitëve nga militantët e Hamasit, grupit të mbështetur nga Irani, ushtria amerikane ka fajësuar grupe të tjera të mbështetura nga Teherani për rreth 30 sulme, pothuajse të përditshme, kundër forcave të saj në Irak dhe Siri.
Your browser doesn’t support HTML5
Javën që shkoi Shtetet e Bashkuara u kundërpërgjigjen me sulme precize kundër objektivave në Siri, të lidhura me Gardën Revolucionare Islamike të Iranit dhe grupe të tjera.
Megjithatë, sulmet kundër personelit amerikan, ndonëse kryesisht të pasuksesshme, nuk kanë të ndalur.
“Nëse kjo nuk ndalon, do të përgjigjemi”, tha të martën Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin në një paralajmërim për grupet militante të mbështetura nga Irani, ndërsa komentonte mbi shqetësimet e ligjvënësve se reagimi ushtarak i Shteteve të Bashkuara javën e kaluar ndaj sulmeve në Irak dhe Siri nuk ishte mjaft i fortë.
“Nëse nuk kemi veprime bindëse, jo thjesht parandaluese, por veprime bindëse parandaluese ndaj iranianëve, këto sulme do të përshkallëzohen, do të vijnë më shpejt, do të përhapen përtej Sirisë dhe Irakut dhe do të përfshijnë armë më të avancuara dhe më vdekjeprurëse. Kjo është frika ime më e madhe”, thotë Marco Rubio, senator republikan.
Qindra trupa shtesë janë vendosur në rajon, së bashku me sistemin Patriot dhe një sistem tjetër të mbrojtjes kundër-ajrore.
Grupi i aeroplanmbajtëses “USS Eisenhower” po shkon drejt Gjirit, ndërsa grupi i aeroplanmbajtëses tjetër “USS Ford” ndodhet në ujrat e Mesdheut lindor.
Mijëra marinsa në bordin e anijes sulmuese amfibe “USS Bataan” patrullojnë pranë Izraelit.
Komandanti i Marinës amerikane, Gjenerali Eric Smith, i tha Zërit të Amerikës se forcat janë atje për mbrojtje dhe parandalim, jo për të shkuar në Gazë.
“Nuk ka ndonjë synim, me aq sa kam dijeni, për të çuar personel amerikan në Gazë. Kjo nuk është një temë që unë jam përgatitur ta diskutoj, ose që e kam diskutuar. Jemi në atë rajon për sigurinë e qytetarëve amerikanë dhe që kjo krizë të mos zgjerohet apo përshkallëzohet”, tha ai.
Për ata që kërkojnë zgjerimin e konfliktit dhe që sulmojnë trupat amerikane, Gjenerali Smith ka një paralajmërim:
“Nëse na sulmoni, dikush tjetër do t’i rrisë fëmijët tuaj. Kjo nuk është shaka. Kjo nuk është shfaqje e guximit. Kjo është mënyra si funksionojnë marinsat”, tha Gjenerali Smith.