Londër, takim i nivelit të lartë për të frenuar rreziqet e inteligjencës artificiale

Delegatë nga 28 shtete, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Kinën, ranë dakord të mërkurën që të bashkëpunojnë për të frenuar rreziqet e mundshme “katastrofike” që paraqet përparimi me shpejtësi të madhe i inteligjencës artificiale.

Takimi i parë ndërkombëtar i nivelit të lartë mbi Sigurinë e Inteligjencës Artificiale, u mbajt në një bazë zbulimi, në afërsi të Londrës, e cila gjatë Luftës së Dytë Botërore u përdor për deshifrimin e mesazheve.

Takimi u përqëndrua në modelet tejet të sofistikuara të inteligjencës artificiale, që disa shkencëtarë kanë paralajmëruar se mund të paraqesin rrezik për vetë ekzistencën e njerëzimit.

Kryeministri britanik Rishi Sunak tha se deklarata paraqet një “arritje tejet të rëndësishme, pasi fuqitë më të mëdha botërore në fushën e inteligjencës artificiale bien dakord në nevojën për të trajtuar me urgjencë rreziqet e inteligjencës artificiale, duke ndihmuar për një të ardhme më të sigurt, për fëmijët”.

Por Nënpresidentja Kamala Harris i bëri thirrje Britanisë dhe vendeve të tjera që të ndërmarrin më shumë hapa dhe të veprojnë me shpejtësi, ndërsa vuri në dukje transformimet që po shkakton inteligjenca artificiale, si dhe nevojën për të vënë përpara përgjegjësisë kompanitë, përfshirë edhe përmes akteve ligjore.

Gjatë një fjalimi në ambasadën e Shteteve të Bashkuara, zonja Harris tha se nuk duhet humbur kohë për të trajtuar të gjithë spektrin e rreziqeve që paraqet inteligjenca artificiale, duke mos u kufizuar vetëm tek rreziqet me pasojat më të rënda.

“Ka shumë rreziqe për të cilat ne duhet të marrim masa, kërcënime që po shkaktojnë dëm dhe që për disa njerëz janë jetike”, tha ajo, duke cituar, mes të tjerash, rastin e një gruaje e cila ishte kërcënuar nga partneri i saj abuziv duke përdorur fotografi të rreme.

“Presidenti Biden dhe unë besojmë se të gjithë udhëheqësit kanë detyrën morale, etike dhe shoqërore që përdorimi dhe përparimi i inteligjencës artificiale të ndodhë në mënyrë të tillë që e mbron publikun nga rreziqet e mundshme dhe nga ana tjetër bën të mundur që gjithësecili të jetë në gjendje të gëzojë përfitimet që sjell inteligjenca artificiale”, tha Nënpresidentja Kamala Harris.

Zonja Harris pritet të jetë e pranishme në punimet e së enjtes së takimit të nivelit të lartë, së bashku me zyrtarë nga dhjetëra vende të tjera, përshirë, Kanadanë, Francën, Gjermaninë, Indinë, Japoninë, Arabinë Saudite dhe Kinën, e cila u ftua megjithë kundërshtimin e disa prej anëtarëve të Partisë Konservatore të kryeministrit Sunak.

Drejtori ekzekutiv i kompanisë Tesla, Elon Musk pritet të diskutojë mbi inteligjencën artificiale me kryeministrin Sunak, një bisedë që do të transmetohet në internet në kohë reale, të enjten në mbrëmje. Miliarderi i teknologjisë ishte mes atyre që firmosën në fillim të këtij viti një deklaratë në të cilën ngrihej alarmi mbi rreziqet që inteligjenca artificiale paraqet për njerëzimin.

Mes atyre që pritet të marrin pjesë në takim janë edhe Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres, drejtues nga kompani amerikane të inteligjencës artificiale si Anthropic dhe OpenAI, apo shkencëtarë kompjuterikë si Yoshua Bengio, një nga “pionierët” e inteligjencës artificiale.

Në total, mbi 100 delegatë pritet të marrin pjesë në takimin që mbahet në Bletchley Park, një ish bazë tepër sekrete për deshifruesit e mesazheve gjatë Luftës së Dytë Botërore, që është vlerësuar si baza ku mori jetë teknologjia moderne.

Në nisje të punimeve të takimit të nivelit të lartë, Sekretarja britanike për Teknologjinë, Michelle Donelan, njoftoi firmosjen e Deklaratës “Bletchley” mbi Sigurinë e Inteligjencës Artificiale. Dkelarata “nënvizon nevojën për të kuptuar dhe për të trajtuar bashkarisht rreziqet e mundshme përmes një përpjekjeje të re, të përbashkët, globale”.

Kryeministri Sunak tha se teknologjia hap mundësi të reja, por gjithashtu paralajmëroi mbi kërcënimet që paraqet për njerëzimin inteligjenca artificiale e sofistikuar, pasi mund të përdoret për krijimin e armëve bërthamore apo mund të shfrytëzohet nga terroristët për të ngjallur frikë dhe shkatërrim.

Inteligjenca artificiale e sofistikuar (Frontier AI) është një term i shkurtuar që i referohet modeleve të fjalës së fundit dhe sistemeve më të fuqishme të inteligjencës artificiale, që tejkalon modelet e sotme më të avancuara teknologjike, por që mund të paraqesin rreziqe ende të panjohura.

“Qeveritë dhe jo kompanitë mund t’i mbrojnë njerëzit nga rreziqet e inteligjencës artificiale”, tha zoti Sunak javën e kaluar.

Megjithatë, gjatë të njëjtit fjalim, ai bëri thirrje për të vepruar me shpejtësi për të përcaktuar norma rregullatore ndaj teknologjisë së inteligjencës artificiale, duke thënë se më së pari, është e nevojshme që kjo teknologji të kuptohet mirë.

Në dallim prej tij, zonja Harris nënvizoi nevojën për trajtimin e menjëhershme të rreziqeve, përfshirë “dëmet që po pëson aktualisht shoqëria si diskriminimi dhe përhapja e dezinformimit”.

Zonja Harris tha se administrata e Presidentit Biden është e angazhuar që në emër të njerëzve, të vërë para përgjegjësisë kompanitë, por në një mënyrë që nuk dëmton inovacionin.

Ajo vuri në dukje urdhrin ekzekutiv që nënshkroi këtë javë Presidenti Biden, që përcaktonte masa për mbrojtjen nga rreziqet e inteligjencës artificiale, si dëshmi se Shtetet e Bashkuara po udhëheqin duke u bërë shembull, në zhvillimin e rregullave për inteligjencën artificiale që mbrojnë interesin publik.

Zonja Harris nxiti gjithashtu vendet e tjera që të nënshkruajnë një deklaratë të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara për përdorimin me "përgjegjësi dhe në mënyrë etike" të inteligjencës artificiale për qëllime ushtarake.