Prokurorët francezë hapën hetime të mërkurën lidhur me një video ku shihet një grup të rinjsh që bën thirrje antisemitike, ndërsa në vend është shënuar një rritje e urrejtjes ndaj hebrenjve pas sulmit të Hamasit në Izrael dhe reagimit të Izraelit duke bombarduar Gazën.
Në Francë janë shënuar 850 raste të antisemitizmit që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor, tha Ministri i Brendshëm Gerald Darmanin të martën, gati sa dyfishi i shifrave të regjistruara gjatë gjithë vitit 2022.
Pamjet filmike, që qarkulluan gjerësisht në median sociale, tregojnë një grup të rinjsh në metro që bëjnë thirrje ofenduese ndaj hebrenjve dhe nënave të tyre dhe në mbështetje të palestinezëve.
Të rinjtë, fytyrat e të cilëve nuk mund të dalloheshin, brohoritën në video: “Ne jemi nazistë dhe krenarë për këtë”.
“Komente tronditëse, të papranueshme, të padenja”, tha shefi i policisë së Parisit Laurent Nunez në rrjetin X, duke shtuar se do të bëhet gjithçka për të identifikuar personat e përfshirë, ndërsa Ministri i Transportit Clement Beaune tha se qeveria do të jetë e vendosur.
Prokurorët kanë hapur gjithashtu hetime lidhur me një seri yjesh blu të Davidit, të spërkatura me bojë në muret e Parisit dhe gjetkë, që të kujtojnë kohën kur nazistët i etiketonin hebrenjtë që i dërgonin në kampet e përqendrimit gjatë Luftës së Dytë Botërore.